Në vitin 2007 e gjithë bota shënoi me krenari 200 vjetorin e shkatërrimit të tregut transatlantik të skllavërisë. Por një investigim i gazetës britanike “The Sun” tregon se skllavëria është ende e ndjeshme në Britaninë e Madhe dhe kryesisht në formën e trafikimit të qenieve njerëzore duke përbërë formën më të shpeshtë të veprimtarisë së krimit të organizuar. Meshkuj, femra dhe fëmijë detyrohen të futen në tregun e skllavërisë ose tregun e seksit. Ky krim, i dyti pas trafikut të drogës, arrin të gjenerojë një sasi prej 7.5 milion paund në çdo vit. “The Sun” ka takuar një prej viktimave të trafikimit.
Sophie Hayes e dëshpëruar telefonoi një numër që ishte i nënës së saj dhe me buzët që i dridheshin pyeti “Si është teto Linda?”. Stafi i panjohur i spitalit ku ajo ishte mendoi se kjo është një telefonatë e thjeshtë por në fakt nëna e 24 vjeçares e dinte kodin sekret të komunikimit që përkthehej në formën “Ndihmë! Jam në rrezik të madh”. Nëna e saj Melanie udhëttoi nga Leeds në Milano të Italisë afro 700 milje. Sophie kishte përfunduar nën kthetrat e një rrjeti trafikantësh dhe ndodhej në spital në gjendje të rëndë pas disa muajsh abuzimeve.
“The Sun” shkruan se një djalë simpatik shqiptar i cili e kishte takuar në një klub të Leeds gjashtë vite më parë nuk doli njeriu që premtoi në atë kohë një jetë të bukur jashtë shtetit. I njohur thjesht si Kastrioti, ai ishte pjesë e gangsterëve të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore. Ai e shiti më pas Sophien si një skllave seksi. Sophie, tanimë 29 vjeçare thotë se “asnjëherë nuk e besoja se do të ndodhte diçka e tillë në këto ditë dhe në këtë moshë. Jeta jonë ishte shumë normale. Vëllezërit e mi, motrat dhe kishim një familje të madhe. U rritëm në një shtëpi të madhe, u shkolluam në shkolla private. Asnjëherë nuk kam menduar se do të ndodhte kjo në jetën time. Prostitucioni as nuk ekzistonte si ide në botën time. Por unë takova Kastriotin. Në momentin që u takuam unë isha në një pikë shumë të dobët dhe ai më ofroi gjithçka mua më duhej për të qenë më mirë”.
Kastrioti u zhvendos në veri të Italisë por çifti vazhdonte të mbante lidhjet që prej takimit. Gjashtë vite më pas, ai e ftoi për pushime. “Kastrioti ishte gazmor dhe i pashëm. Nisa ta takoja atë dhe ta trajtoja si një të dashur”, thotë vajza. Por në ditën e tretë të udhëtimit në pushime, Kastroti i rrëfeu se nuk ishte një ekspert i IT-së por një tregtar droge dhe kishte një pasaportë false të cilën e kishte blerë për 100 mijë paund. Ai i tha Sophies se e kishte sjellë në Itali për ta shitur trupin e saj për të paguar borxhet.
“Unë u përpoqa ti thoja vetes se gjithçka që po më thoshte ishte një shaka”, thotë Sophie. Reagimi i saj në fakt pas kësaj bisede u shoqërua me një goditje në kokë dhe shumë kërcënime të tjera. Ndërsa shpërthen në lot Sophie tregon se “ai më pyeti se në çfarë moshe ishin vëllezërit e mi dhe kur unë i tregova ai mori një thikë në dorë dhe më tha se do të gjente dikë për ti hequr qafe. Më pas ai më mori pasaportën. Më pas më çoi pranë një lumi ku më thoshte se këtu do të të hedh nëse nuk bindesh në ato çka të them. E pashë se nuk kisha asnjë rrugë tjetër. Nëse nuk do ta bëja apo do të përpiqesha ti tregoja dikujt ai do të më vriste mua dhe familja ime mund të ishte gjithashtu në rrezik”.
Në një moment kritik, Sophie u detyrua të thërrasë familjen në telefon dhe të garantohet se ajo ishte mirë. Ajo thotë “zëri im dridhej. Nëna më kishte thënë se nëse unë ndonjëherë do të gjendesha në vështirësi dhe rrezik duhet të thoja se si është teto Linda. Ajo tha se ky mund të ishte kodi ynë për ndihmë”. Natën tjetër Kastrioti e detyroi Sophien që të bëhej gati për tregun e punës. “Unë ende e shoh këtë skenë në mendjen time çdo ditë. Ishte njësoj si të shikoje dikë tjetër duke luajtur në një film. Kastrioti më detyroi të vishja një fustan të shkurtër të zi dhe çorape të gjata. Ai më tha se duhet të vendosja një çmim 30 euro për seksin dhe pretendohej të fitoja 1 mijë euro në natë. Ai më nxori jashtë dhe më la pranë një pike karburanti. Unë duhet të afrohesha tek të gjitha makinat që kalonin pranë. Në fund të natës mu desh të flija me tetë meshkuj, shumë më tepër se sa kisha parë në gjithë jetën time të flija me ta”, tregon Sophie.
Sophie shpesh duhej të bënte seks deri me 30 meshkuj në natë. Ajo thotë se “njëri me kërcënoi me armë, një tjetër më përplasi kokën për dritare”. Por në fakt askush nuk e trembte më shumë se Kastrioti. Sophie tregon se “nëse nuk arrija dot shumën që më kërkonte ai më akuzonte se po e vidhja. Ai më vendoste një pistoletë tek koka dhe më kërcënonte”. Pas disa muajsh shitje trupi dhe dhunime të rregullta ajo përfundoi në një spital lokal pasi vuante nga pneumonia dhe dhimbje stomaku.
Vetëm në atë moment ajo arriti të bënte një thirrje për ndihmë. Sophie e cila tanimë ka shkruar një libër për eksperiencën e saj “E trafikuar: Historia ime” thotë se Kastrioti më kërcënoi se do të më vrasë nëse unë tentoja të ikja. Unë mora telefonin dhe përdora kodin që kisha përcaktuar me nënën time duke i thënë “Si është teto Linda?”.
Kastrioti ra dakord që ta linte të shkonte në Britaninë e Madhe për mjekim. Ishte në fakt koha fiks katër ditë pasi kishte bërë telefonatën me nënën të cilës i dha alarmin. Pasi u kthye në Britani një mik e vuri në kontakt me njësitë speciale të policisë kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ata bënë lidhjen se Kastrioti dyshohej për ngjarje në Leeds kaur vite më parë. Sophie kishte frikë ta akuzonte zyrtarisht por policia e arrestoi për të shtënat e katër viteve më parë dhe e mbajti tetë muaj në burg.
Sophie thotë “unë doja ta çoja përpara drejtësisë por si mund të përballesha me të në gjyq? Po siguria e familjes sime?”. Tanimë Sophie ka ngritur një fondacion të sajin në ndihmë të femrave të trafikuara.