Lufta e Parë ishte “fundi i botës”. Rrëfimi i një historiani
Një historian ushtarak shpjegon përse Lufta e Parë Botërore ndodhi, dhe si ajo ndryshoi gjithçka
Siç ka thënë një ushtar indian që i shkruante shtëpisë që nga fronti prëndimor në 1915, “kjo nuk është luftë, ky është fundi që po pëson bota”. Dhe kështu ishte. Bota që vdiq në fushat e Evropës, bashkë me më shumë se 9 milionë vetë gjatë vetëm 52 muajve luftime, ishte diçka që shkonte përtej shumës së copëzave të saj të plagosura. Bota e re e Evropës që do të dilte nga ai konflikt ishte krejt ndryshe: më e errët, më e dhunshme, më e polarizuar, më cinike, më pak e sigurtë tek vetvetja dhe më pak e dhënë, për shpalljen me vetëbesim të superioritetit dhe shanseve të veta, përveçse në një formë të helmët ideologjike. Shkurt, shekulli i 20 i Evropës, tronditjet dhe pasojat e të cilit janë ende të ndjeshme
TONY JUDT
Nuk është e lehtë të shpjegosh, sidomos të rinjve, përvojën e Luftës së Parë Botërore dhe domethënien e saj për shekullin që kaloi. Në atë luftë, Shtetet e Bashkuara ishin pjesëmarrëse dhe në të gjetën vdekjen 114 mijë amerikanë – dy herë më shumë se numri i atyre të vrarë në Vietnam. Por ndërkohë, më shumë amerikanë gjetën vdekjen gjatë Luftës së Dytë (292 000) dhe të dy këto shifra, nga ana tjetër, janë shumë më pak se numri i viktimave gjatë Luftës Civile në SHBA (mbi 600 000). Angazhimi i amerikanëve në Luftën e Parë zgjati vetëm 19 muaj; si rezultat, ndonëse përqindja e vdekjeve të amerikanëve në muaj qe e lartë, përvoja ishte jetëshkurtër. Dhe duke qenë se ishte një luftë që u luftua shumë milje larg, jehona e saj me vështirësi mbërrinte në brigjet e SHBA.
Humbjet ushtarake të britanikëve në Luftën e Dytë Botërore ishin të krahasueshme me ato të SHBA – 265 mijë burra dhe gra. Por ato duken shumë të vogla statistikisht dhe nga pikëpamja njerëzore, kur mendon horroret e konfliktit të mëhershëm. Në një kodër të vogël në fshatin verior francez Thiepval, 20 milje në jug të Arrasit, ndodhet një memorial ku janë të renditur emrat e 70 mjë ushtarëve britanikë të humbur apo të paidentifikuar, pas betejës që ndodhi aty në verën e 1916.
Thiepval shtrihet në luginën e lumit Sommer mespërmes vijave të frontit të perëndimit. Sot është një vend i butë e i gjelbërt, me krahina e fshatra paqësorë (dhe të rindërtuar). Por në betejën e Sommes, që ishte një prej dhjetëra konfrontimeve të mëdhenj e të vegjël përgjatë këtij fronti gjatë katër viteve të luftës, britanikët pësuan 420 mijë humbje në njerëz, francezët 195 mijë dhe gjermanët 600 mijë. Vetëm në ditën e parë të betejës së Sommes, në 1 korrik 1916, brenda vetëm 24 orëve, 20 mijë ushtarë britanikë u vranë dhe 40 mijë të tjerë u plagosën.
Kjo ishte, siç shkruan John Keegan në librin e tij “Lufta e Parë Botërore”, “humbja më e madhe e jetëve në historinë e ushtrisë britanike”. Bashkë me betejën e tretë të Ypres në korrik 1917 (e njohur më mirë si beteja e Passchendaele, duke marë emrin e fshatit belg ku dhe ndodhi), ku gjetën vdekjen 70 mijë ushtarë britanikë dhe u plagosën 170 mijë, Somme ishte një goditje e fortë në shtyllën kurrizore të ushtrisë britanike dhe “ajo shënoi fundin e një epoke optimizmi në jetën britanike, e cila nuk është rigjeneruar asnjëherë, që atëherë”.
Por britankët e fituan Luftën e Parë Botërore, një luftë e luftuar në territor të huaj dhe ku gjetën vdekjen më pak se 2000 civilë britanikë. Domethënia e ksaj lufte për gjermanët, që humbën atë dhe bashkë me të edhe 2 milionë njerëz apo francezët, në territorine të cilëve u luftua dhe që humbën 1.7 milionë njerëz vetëm mund të imagjnohet. Në vitin 1918 kishte 630 mijë vejusha lufte në Francë, si dhe dhjetëra mijëra gra beqare që nuk do të martoheshin asnjëherë – ato mund të shiheshin deri në vitet gjashtëdhjetë tek plakeshin duke kryer punë burrash në sektorin publik, një kujtesë e zymtë e Luftës së madhe, ashtu si edhe memorialet për të vdekurit në pothuajse çdo fshat të Francës.
Kështu u përjetua Lufta e Parë në Evropën Perëndimore. Në Evropën Lindore, pasojat ishin njësoj të këqia. Në Serbi gjetën vdekjen 15 % e popullsisë; rusët humbën pothuajse po aq njerëz sa francezët, ndërsa humbjet e turqve as që nuk u llogaritën ndonjëherë, ndonëse me siguri ishin qindra mijëra. Nëse kujtimi i luftës së parë është më pak i pranishëm në lindje, kjo ndodh vetëm sepse humbjet ushtarake gjatë Luftës së Dytë ishin edhe më keq. Por lufta në Evropën lindore ishte ashtu si luftërat e mëhershme atje, me burra e kuaj që përshkonin hapësira të mëdha – do të kish qenë e pranueshme për Napoleonin në madhësi dhe lëvizje. Në perëndim, ajo kish zbritur në 475 milje llogore në nëntor 1914 dhe mbeti aty për afro katër vite. Ja përse imazhi klasik i Luftës së Parë Botërore në Britani dhe në SHBA është ai i një ushtari të këmbësorisë që lufton, ose vdes, në një pellg me baltë dhe prandaj ne, kur mendojmë për Luftën e Madhe, mendja na shkon menjëherë tek Fronti Perëndimor.
John Keegan është një historian ushtarak, ndoshta historiani ushtarak më i mirë i kohëve të sotme dhe historia e tij e luftës mishëron pikat e forta të tij. Eshtë shkruar në mënyrë elegante, me qartësi dhe në detaje. Si narrativë është e mrekullueshme, duke rrëfyer historinë se si nisi lufta, si u luftua, dhe përse u fitua nga aleatët. Në sytë tanë, Lufta e Parë mund të duket shumë misterioze: përse ndodhi një luftë kaq e pakuptimtë? Përse masakra dhe tmerre të tillë duhej të zgjasnin kaq shumë? Përse njerëzit vazhdonin të shërbenin dhe luftonin në kushte kaq të paimagjinueshëm? Keegan nuk i injoron asnjëherë këto shqetësime, por ai merret me to në mënyra të kuptueshme për bashkëkohësit.
Lufta e parë nisi me një seri incidentesh dhe vendimesh, që u ndërmorën duke menduar shumë pak për pasojat e tyre; dhe askush, aq më pak gjeneralët gjermanë përgjegjës që ia këshilluan drejtuesve të tyre, nuk prisnin që të merrte formën që mori dhe për aq gjatë. Në këtë kuptim, liderët ushtarakë gjermanë vështirë se mund të fajësohen për nisjen e asaj që u bë e njohur si Lufta e Madhe, duke qenë se kurrë nuk e patën qëllim atë. Sa për ushtarët profesionistë që luftuan në betejat e hershme, Keegan shkruan se “ata vdiqën me mijëra në Ypres jo për shkak të ndonjë ideali të vetëflijimit, por sepse kjo gjë pritej prej tyre dhe, në çdo rast, nuk është se kishin ndonjë alternativë”.
Rekrutët, të cilët në 1916 përbënin shumicën dërrmuese të ushtrive luftuan dhe vdiqën me një vendosmëri dhe kurajë që është e vështirë ta kuptosh sot; por në 1917, pas betejës së Passchendaeles, si dhe ofensivës katastrofike franceze të urdhëruar nga Gjenerali Robert Nievlle në prill të atij viti, ata kishin mbërritur në limit. 49 divizione frncezë u rebeluan atë verë; ata do të vazhdonin deri në fund të mbronin vijat e frontit dhe tokën e tyre, por nga ana tjetër kundërshtonin thirrjet e mëtejshme për të sulmuar. Diçka e krahasueshme ndodhi me ushtrinë ruse, si dhe ushtrinë gjermane pas ofensivës së pasuksesshme të pranverës së vitit 1918. Fryma dhe rendi social i shekullit evropian 19, vdiq në katakombet e baltosur të Flanders dhe Argonne.
Keegan shpjegon më mirë se çdokush tjetër arsyen përse fronti perëndimor ishte kaq vrastar. Në një farë kuptimi, ishte një luftë e modës së vjetër: gjermanët mobilizuan 715 mijë kuaj, austriakët 600 mijë. Kavaleria franceze në vitin 1914 mbante prazmore të ngjashme me ato që kish mbajtur në Vaterlo një shekull më herët. Komunikimi në det kryhej përmes ngritjes së flamujve, ndërsa në tokë me mesazherë apo sinjale me duar. Nelsoni dhe Uellingtoni do ta kishin njohur mirë këtë skenë.
Armatimi, nga ana tjetër, ishte transformuar. Vetëm një grusht automatikësh mund të fshinin një regjiment të tërë brenda disa orësh. E vetmja mënyrë për të fituar ishte të dërgoheshin këmbësoria që të sulmonte këmbsorinë përballë në llogore disa qindra metra larg, dhe e vetmja mënyrë për të siguruar që ata do të mbërrinin atje ishte të shkatërroheshin llogoret kundërshtare. Artileria britanike hodhi tre milionë predha mbi pozicionet e gjermanëve, përpara ofensivës së Sommes.
Por artilierët nuk kishin si të kuptonin nëse predha kish goditur objektivin dhe këmbësorët që marshonin përpara për të pushtuar terrenin që kish kundërshtari, nuk kishin si të informonin artilerinë se ku të shënjestronte dhe kur të qëllonte. Shkurt, në Luftën e Parë Botërore, gjeneralët kishin teknologji vrasëse destruktive nën komandën e tyre, por nuk kishin asnjë mënyrë si ta vendosnin në përdorim me efektivitet. Në vitet e mëparshëm ata mund të shihnin përparimin e trupave të tyre; në vitet e mëvonshëm ata kishin komunikim të çastit me radio apo telefon. Mes viteve 1914 dhe 1918 ata u mbërthyen në një boshllëk teknologjik, dhe çmimin e paguan njerëzit e tyre.
Të kuptosh nuk do të thotë të falësh. Duhet bërë një dallim i qartë mes dënimit të gjeneralëve për rrethana që ishin përtej kontrollit të tyre, si dhe justifikimit të tyre për dështimin, për të kuptuar dhe përshtatur me një lloj të ri lufte.
Erich von Falkenhayn në Verdun dhe Doouglas Haig në Ypres nuk kishin strategji përtej asaj të gjakosjes për vdekje të armikut. Tek Haig është i dukshëm fakti që nuk ka as një lloj shqetësimi për vuajtjet njerëzore. Tek Somme, ai “kish dërguar lulen e rinisë britanike drejt vdekjes apo gjymtimit; në Passchendaele kish dërguar të mbijetuarit në batakun e dëshpërimit”. Gjeneralët, ashtu si politikanët ndodheshin në një luftë që nuk e kishin pritur, dhe që nuk e kuptonin; por entuziasmi mospërfillës me të cilin ata dërguan qindra mijëra të rinj drejt vdekjes, e ruan gjithësesi fuqinë për të tronditur dhe shkaktuar krupë, edhe një shekull më vonë.
Keegan e shpjegon shumë mirë se si nisi lufta, dhe përse në shumë drejtime ajo ishte një aksident – vetëm nacionalistët serbë që synonin të gjymtonin pushtetin e Habsburgëve në Ballkan dhe stafi i gjeneralëve gjermanë që kish një “plan” të eleminonte Francën e më pas të shtypte, rusët kërkuan në mënyrë aktive një zjarr të madh.
Fuqitë e mëdha arritën që të meremetojnë qëndrimin gjatë konfliktit, por nuk ishin ato që e shkaktuan atë. Në shpjegimin që jep për fundin e luftës, Keegan mbështetet kryesisht në idenë që ishte një eksperiencë e përjetuar dhe kujtuar nga ushtarët. Kështu që, në memorien e britanikëve, Lufta e Parë Botërore ishte një fitore e blerë me gjak, një konflikt, rezultati pozitiv i të cilit nuk mjafton për të justifikuar kostot njerëzore. Por domethënia e tij institucionale dhe politike ishte e vogël.
Në Evropën kontinentale, trashëgimia e luftës shkonte më tej. Mënyra se si u humb lufta është ajo çfarë kish rëndësi për memorien e Gjermanisë, dhe prandaj zhvillimet politikë të vitit 1918 janë kaq të rëndësishëm. Në Francë, mësimet e Verdun, ofensivës së Nivelle si dhe rebelimet sollën frute të hidhur në zënkat e politikës mes luftërave, si dhe katastrofën e 1940. Në pjesën tjetër të kontinentit lufta solli mungesë stabiliteti ekonomik, rendi social dhe autoriteti imperial. Historia e Luftës së Parë Botërore në tokat e Evropës qendrore, lindore dhe juglindore është e pandashme nga kolapsi në frontin kryesor, si dhe një seri revolucionesh dhe kundër-revolucionesh të përgjakshëm.
Keegan e shpreh këtë në rastin e rusëve, por neglizhon aplikimin në vende të tjerë.
Kur polakët apo ukrainasit shkruajtën apo folën më vonë për luftën, ata kujtonin jo vetëm përvojat e betejave në Galici apo në Prusinë Lindore por edhe, e ndoshta veçanërisht, luftërat civile, si dhe zënkat e hidhëta partiake dhe masakrat që nisën përpara armëpushimit të nëntorit 1918 dhe që zgjatën për shumë vite me radhë. Në Turqi, lufta, revolucioni politik i Ataturkut si dhe konfliktet me Greqinë që pasuan përbëjnë në fakt një të tërë, e të pandashme. Një histori lufte që kufizohet në luftimet e organizuar në frontet kryesorë dhe që merr fund në vitin 1918, ka një histori për të rrëfyer; por sigurisht, jo të gjithë historinë.
Sepse, siç ka thënë një ushtar indian që i shkruante shtëpisë që nga fronti prëndimor në 1915, “kjo nuk është luftë, ky është fundi që po pëson bota”.
Dhe kështu ishte. Bota që vdiq në fushat e Evropës, bashkë me më shumë se 9 milionë vetë gjatë vetëm 52 muajve luftime, ishte diçka që shkonte përtej shumës së copëzave të saj të plagosura. Bota e re e Evropës që do të dilte nga ai konflikt ishte krejt ndryshe: më e errët, më e dhunshme, më e polarizuar, më cinike, më pak e sigurtë tek vetvetja dhe më pak e dhënë për shpalljen me vetëbesim të superioritetit dhe shanseve të veta, përveçse në një formë të helmët ideologjike. Shkurt, shekulli i 20 i Evropës, tronditjet dhe pasojat e të cilit janë ende të ndjeshme.
Tony Judt është Profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin e Nju Jorkut