Egjiptianët e lashtë ishin ndër vëzhguesit më kuriozë të qiellit, sipas
disa autorëve mund të konsiderohen madje edhe të parët astronomë të
vërtetë. Në Nabta Playa, një zonë depresive që ndodhet në shkretëtirën e
Nubias, afro 100 kilometra larg nga Abu Simbel, ruhet një kompleks i
madh megalitik, një bashkësi gurësh të vendosur në formë rrethi, që i
përkasin mijëvjeçarit V para Krishtit. Ky Stonehenge në mesin e dunave
të shkretëtirës duket i orientuar sipas pikave të ngjitjes dhe rënies së
diellit në periudha të caktuara të vitit. Për njerëzit e lashtë,
studimi i trupave yjorë dhe lëvizjeve të tyre kishte një përdorim
praktik. Rregullimi i një kalendari në bazë të lëvizjeve qiellore ishte
në fakt i domosdoshëm për të planifikuar festat dhe veprimtarinë
bujqësore. Në mënyrë të veçantë, për egjiptianët, kishte rëndësi jetike
spiralja në ngjitje, domethënë fenomeni i daljes, në lindje, i një ylli menjëherë përpara Diellit. Dhe ylli më i
rëndësishëm ishte Sopdet, Siriusi i sotëm. Ylli lidhej me perënditë
Hathor dhe Iside, dhe spiralja e tij e ngjitur pak javë përpara
solsticit veror dukej se paralajmëronte përmbytjen e bekuar verore të
Nilit.
Yje monumentalë
Duke marrë parasysh lidhjen e ngushtë mes studimit të trupave
qiellorë dhe fesë (astronomët e lashtë ishin në të njëjtën kohë
priftërinj, është e natyrshme që rezultatet e vëzhgimeve reflektoheshin
edhe në ndërtimin e monumenteve të shenjtë. Po të njëjtat piramida, në
fakt, duket se janë ndërtuar duke iu referuar pozicioneve të yjeve. Në
fakt, është hedhur hipoteza që, përveçse përfaqësonin monumente funeralë
të ngritur mbi varrin e sovranit, piramidat shërbenin për të lehtësuar
ngjitjen në qiell të shpirtit të faraonit të vdekur. Pra, si të thuash
makina shumë të mëdha për të “hedhur” sovranin në botën e përtejme.
Virginia Trimble, astronome e Universitetit të Kalifornias, në vitin
1964 demonstroi se si kanali në jug të dhomës së mbretit në piramidën e
Keopsit tregonte, në periudhën e ndërtimit të piramidës, mes viteve 2620
dhe 2500 para Krishtit, për nga zona e qiellit ku lëviznin yjet e
Brezit të Orionit,ndërkohë që ai verior tregonte për nga ylli polar. Duke kujtuar se si
egjiptianët e lidhnin me konstelacionin e Orionit hyjshmërinë e
Osiridit, me të cilin identifikohej faraoni i vdekur, aëherë ngrihej
spontane hipoteza që kanali ishte i destinuar të vendoste një lloj
komunikimi të drejtpërdrejtë mes dhomës ku ndodhej i vdekuri dhe
destinacionit yjor të faraonit. Që në vitet 800 një tjetër astronom
kishte mbetur i magjepsur nga saktësia e piramidave, madje deri në atë
pikë sa të formulonte megjithatë teori më të diskutueshme. Skocezi
Charles Piazzi Smyth kreu matje të sakta në Piramidën e Madhe dhe arriti
në konkluzionin që përmblidhte në vetvete një dije më të lartë të
universit. Nga matjet dhe llogaritjet e tij, ai deduktoi se mund të
nxirreshin gjëra të mëdha astronomike dhe madje data shumë të
rëndësishme për historinë e njerëzimit, si ajo e mërgimit të hebrenjve
apo e lindjes së Krishtit. “Në të vërtetë”, shpjegon astrofizikani Steno
Ferluga i Universitetit të Triestes “metoda e përshtatur nga Piazzi
Smyth do të lejonte të siguronim rezultate analoge edhe nëse do të
aplikohej në çfarëdolloj ndërtese moderne. Në fakt, duke elaboruar në
mënyrën e duhur çfarëdolloj objekti, mund të arrihet çfarëdolloj
rezultati”.Yje në Tokë
Megjithatë, hipoteza e një korrespondimi mes pozicionit të piramidave
dhe atij të yjeve nuk gjendet veç aty. Autorët e Greqisë së lashtë na
zbulojnë se për egjiptianët Rruga e Qumështit, fasha e yjeve që përshkon
qiellin, ishte korresponduesi qiellor i Nilit.
Dhe nëse Rruga e Qumështit mund të ishte reflektimi qiellor i lumit,
dhe e anasjellta, përse pika të tjera mbi Tokë nuk do të mund të
korrespondonin me pika specifike në qiell? Ishin Robert Bauval dhe
Adrian Gilbert, në librin “Misteri i Orionit” që parashtruan tezën sipas
të cilës piramidat ishin ndërtuar në mënyrë të tillë që të riprodhonin
kupën qiellore. Ideja e Bauval merr shtysë nga observacioni që pozicioni
i 3 piramidave të mëdha të Gizës duket sikur riprodhon atë të 3 yjeve
në Brezin e Orionit, domethënë Osiridin, perëndinë e të vdekurve.
Kënde të ndryshëm
Megjithatë, kjo hipotezë ka mangësi të ndryshme. Pohime të tilla janë
vënë në provë mbi të gjitha nga dy astronomë, amerikani Ed Krupp dhe
afrikanojugori Anthony Fairall. Si për fillim, korrespondimi është vetëm
i përafërt: vija e tre piramidave kryesore është e drejtuar për nga
veriu, ndërsa ajo e yjeve për nga jugu; për t’i përputhur duhet të
rrotullohet një nga të dyja. Megjithatë, edhe kështu këndi i drejtimit
është i ndryshëm. Nëse pastaj përfshijmë edhe piramidat e tjera, siç bën
Bauval, nuk gjendet më asgjë dhe mbi të gjitha mungojnë pikërisht
piramidat që i korrespondojnë dy yjeve më të shdnritshëm të të gjithë
konstelacionit: Betelguese dhe Rigel.
“Bauval dhe të tjerë”, thotë Robert Chadëick, historian i McGill
University në Montrea, “nuk kanë arritur asnjëherë të çiftojnë më shumë
se 3 piramida dhe po kaq yje. Duke qenë se janë afro 30 piramida në
zonën mes Abu Ruwash dhe Dashur, ky përkim është gjithësesi i
hamendësuar. Kombinimi i 10 % të piramidave me 3 yje në mijëra yje të
dukshëm në kupën qiellore nuk është provë e një korrelacioni bindës”.
Ndoshta mundet që, për egjiptianët e lashtë, Orioni ishte i përbërë
thjeshtë nga 3 yje të Brezit. Në varrin e Senmut, një arkitekt i
dinastisë XVIII, konstelacioni i Orionit përfaqësohet nga tre yje në
rresht dhe jo nga 7 që formojnë
konstelacionin siç e njohim ne. Kinezët e lashtë e quanin Orionin Shen
che, dhe jo rastësisht ndoshta. Ky term përkthehet “Bashkimi i treshes”.
Pra, mund të mos ketë asnjë kuptim të kërkosh tek piramidat
korrespndimin e të shtatë yjeve. Ndoshta, me 3 piramidat e Gizës
egjiptianët përpiqeshin të riprodhonin në mënyrë të përafërt vendosjen e
yjeve të brezit dhe asgjë më shumë.
Jashtëtokësorë?
Por për Bauval dhe një tjetër studiues mbështetës të kësaj teze,
Graham Hancock, kjo nuk mjafton. Të dy thonë në fakt se një herë e një
kohë të tre piramidat e Gizës kanë qenë pozicionuar me saktësi
milimetrike. Dhe që, bazuar vetëm në konfigurimin e tyre, mund të
arrihesh tek mosha e tyre reale. Arsyetimi është ky: përllogaritet
raporti mes këndit të reshtimit të piramidave të mëdha dhe Nilit me
këndin e Brezit të Orionit dhe Rrugës së Qumështit. Me anë të një
simulimi në kompjuter përllogaritet më pas rrotullimi i kryer nga
konstelacioni gjatë mijëvjeçarëve dhe arrihet në një koinçidencë të
përsosur mes 2 këndeve diku rreth vitit 10 500 para Krishtit.
Konkluzioni: piramidat janë 8 mijë vite më të lashta nga sa është
menduar deri sot. Dhe pikërisht mbi këtë bazë, shumëkush ka hedhur
hipotezën e ekzistencës së qytetërimeve shumë të lashta dhe të panjohura
(për disa edhe jashtëtokësorë) që mendohet të kenë ndërtuar piramidat
në kohë shumë të largëta.
Asnjë provë
Por ekzistojnë prova në gjendje të përgënjeshtrojnë ato
historiko-kulturore të akumuluara me kalimin e kohës nga arkeologë që e
shohin ndërtimin e piramidave të mëdha të Gizës nga faraonët e dinastisë
IV? Fatkeqësisht jo. E vetmja “provë” është ajo ngjashmëri mes
pozicionit të tre piramidave dhe tre yjeve të brezit të Orionit.