Edhe pse nuk ka marrë përmasa të mëdha mediatike, tani është fakt: Tre të rinj shqiptarë, që me vullnetin e tyre kanë shkuar për të luftuar në Siri kundër presidentit Bashar al- Assad, kanë gjetur vdekjen atje. Ata janë janë Ermal Xhelo nga Vlora, Anri Maliqi, nga Tirana dhe Denis Jangulli, nga Dibra.
Njëri prej tyre, Anri Maliqit, falej në xhaminë e Unazës së Re ku predikon Abdurrahim Balla, ish- ligjërues në xhaminë e Rrugës së Kavajës. Imami e cilëson vendimin e tij si diçka personale: “Vajtja e një personi në luftë është diçka shpirtërore e njeriut. Ai vetëm mund të vendosë nëse duhet të shkojë apo jo”. Më tej ai nuk pranon që të ketë nxitur muslimanët që të kenë shkuar në luftë , edhe pse e mohon se predikimi i tij përmend hera-herës edhe Xhihadin. “Nëse Kurani përmend Xhihad, pse unë nuk duhet ta përmend!”, shprehet ai.
Më tej ai pranon hapur se nuk ka asnjë lidhje me Komunitetin Mysliman, e madje është i revoltuar me këtë institucion: “Ky komunitet nuk përfaqëson myslimanët e po vjedh pronat e tyre”.