Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania i bënë thirrje Rusisë që të mos mbështesë me armë dhe sidomos me sisteme të avancuara raketash Sirinë, pasi ky hap do të zgjasë pafund konfliktin e armatosur atje.
Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry deklaroi se dërgesat e Rusisë padyshim që do të kenë një ndikim negativ në mbërritjen sa më shpejt të paqes në Siri. Ndërkohë, Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Ëesterëelle i kërkoi moskës që të mos minojë ato pak shanse që janë për gjetjen e paqes në Siri.
Deklaratat e sekretarit Perry dhe kryediplomatit gjerman u lëshuan nga Uashingtoni në të njëjtën ditë kur presidenti sirian, Bashar al-Assad deklaroi se ka nisur zbatimi i kontratave për blerjen e armëve nga Rusia, por pa përmendur asnjëherë mbërritjen e ndonjë armatimi të sofistikuar rus.
Të premten, dy gazeta ruse, duke cituar një burim nga Ministria e Brendshme në Rusi, përhapën lajmin se është ende e paqartë nëse do të dërgohet brenda këtij viti ndonjë sistem i avancuar raketor në Siri.
Nga ana tjetër Izraeli ka paralajmëruar se i konsideron raketat ruse si një kërcënim serioz ndaj sigurisë së tij. Izraeli ka ndërmarrë 3 sulme nga ajri në Siri, për të ndaluar transferimin e armëve të rënda drejt Hezbollahut në Liban.
“Ekziston një presion popullor për të nisur një front rezistence në Golan”, tha Assad. Izraeli ka pushtuar Lartësitë Golan që prej luftës së vitit 1967. Ai aneksoi territorin në 1981, në një lëvizje, e cila nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
Predhat siriane kanë goditur pozicionet izraelite në Lartësitë Golan, edhe pse nuk është e qartë nëse ato kanë patur si shënjestër rebelët në zonat kufitare, ndërsa Izraeli i është kundërpërgjigjur zjarrit.
Siria dhe Izraeli janë në gjendje lufte që prej 1948, por kufiri ka qenë relativisht i qetë gjatë viteve të fundit.
Beteja e ashpër për Kusairin
Ndërkohë, në terrent vijojnë luftimet e ashpra mes forcave të regjimit të mbështetura nga militantët e Hezbollahut dhe trupave të opozitës dhe kryeqendra është shndërruar qyteti i Kusairit, një nyje lidhëse që të dyja palët kërkojnë ta kenë nën kontroll. Forcat opozitare në Siri po përforcojnë pozicionet e tyre luftarake në këtë qytet.
Kreu i grupit kryesor opozitar, George Sabra foli për rreth 1 mijë trupa të opozitës të vendosura në këtë qytet. Por BBC citon një burim nga brenda qytetit të rrethuar të ketë thënë që numri i rebelëve në këtë zonë është shumë herë më pak se 1 mijë.
I njëjti raportim transmetohet edhe nga televizioni shtetëror sirian. Sipas tij, Kusair është i rrethuar tashmë nga forcat qeveritare dhe se “terroristët” e kanë betejën e humbur.
/ Top Channel