Partia Socialiste ka sqaruar se ajo që u konsiderua si “rrjedhje” e votave gjatë votimit dje në Kuvend, për dy kandidatura të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nuk ishte thyerje e vendimit politik të grupit parlamentar.
Taulant Balla, sekretar i këtij grupi u shpreh se Partia Socialiste nuk kishte marrë një vendim për votim politik ndaj kandidaturave të Enkeleda Shehit për kryetare të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dhe Mati Pepës për nënkryetar të këtij bordi.
Shehi mori 117 vota pro dhe 12 kundër ndërsa Pepa, mori 85 vota pro dhe 43 kundër. Mazhoranca gjatë votimit të fshehtë në sallë kishte të pranishëm 73 deputetë dhe në të dy rastet pati vota pro kandidaturave nga ana e deputetëve të PS-së.
“Grupi Parlamentar Socialist i ka të specifikuara qartë në Rregulloren e organizmit dhe funksionimit të tij mënyrën e vendimmarrjes. Në nenin 24 të Rregullores, paragrafi i tretë, thuhet se “Kur e gjykon të arsyeshme, Grupi mund të vendosë që votimi të bëhet sipas gjykimit individual të secilit deputet. Grupi Parlamentar Socialist nuk kishte marrë një vendim për mënyrën e votimit për dy kandidaturat e paraqitura, duke e vlerësuar të arsyeshme që votimi të bëhej sipas gjykimit individual të deputetëve” u shpreh Balla.
Në fund të vitit të kaluar Paria Socialiste çregjistrojë nga grupi parlamentar deputetin Kastriot Islami për thyerje të vendimit politik të grupit.