Kryeministri Berisha e ka cilësuar sot 17 shkurtin si ditën më të ndritur në tërë historinë e shqiptarëve që nga luftërat e Skënderbeut deri më sot, ndërsa ka vlerësuar figurën e Ibrahim Rugovës si arkitekt i pavarësisë së Kosovës. I pranishëm në inagurimin e një rruge në kryeqytet, të cilës iu dha emri i ish-presidentit të ndjerë të Kosovës, Berisha u shpreh se Rugova ishte njeriu vizionar që u dha nder shqiptarëve më shumë se kushdo tjetër, pas Ismail Qemalit.
“Nderojmë themeluesin e partisë së parë antikomuniste në Ballkanin e diktaturave, frymëzuesin, organizatorin e lëvizjes paqësore më të pashembullt në historinë e shqiptarëve, arkitektin e Kosovës së Pavarur”, tha Berisha.
“Pavarësia u ndërtua mbi gjakun, flijimin e jetët e sakrifikuara të qindra mijëra shqiptarëve në Kosovë gjatë një shekulli, me triumfin e ideve të Ibrahim Rugovës”, u shpreh ai.
Rama: 17 shkurti, prova se asgjë nuk është e pamundur për shqiptarët e bashkuar
Kryesocialisti Rama ka uruar në emër të opozitës shqiptare popullin e Kosovës me rastin e 4-vjetorit të Pavarësisë.
Duke folur në një konferencë shtypi, Rama u shpreh se dita e stome është festa e madhe dhe e përbashkët e të gjithë shqiptarëve kudo nëpër botë.
“17 shkurti do të mbetet një ditë e pashlyeshme për historinë e kombit tonë. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës do të jetë për të gjithë ne një ditë e pashlyeshme dhe vetëdije që asgjë nuk është e pamundur për ne shqiptarët nëse jemi të bashkuar. Kjo është një festë e madhe e përbashkët e të gjithë shqiptarëve kudo nëpër botë. Kjo është një datë që do kujtohet me admirim gjithnjë nga kombi ynë, do kujtohet me adhurim UÇK-ja dhe Adem Jashari, po ashtu edhe lideri historik Ibrahim Rugova. Kjo është dita e përjetshme e dëshmorëve që vunë jetën e tyre në themelet e shtetit të Kosovës”, tha Rama.
Në emër të opozitës, Rama shprehu gatishmërinë për të qenë përherë krah Kosovës, ndërsa i kujtoi Serbisë se me përpjekjet për të vënë në diskutim kufijtë e saj nuk bën gjë tjetër veçse mban peng të ardhmen e vet në BE.
“Nuk ka ditë më të mirë se kjo për të thënë se do jemi në krah të Kosovës kur vihen në diskutim kufijtë territorial të Kosovës, kur cënohet integriteti i saj territorial, jemi kundër çdo përpjekje për të futur në historinë e saj fantazmat e së shkuarës që Kosova i mbylli me luftën heroike. Serbët ta kuptojnë se Kosova iu ka ikur nga duart njëherë e përgjithmonë, ata s’bëjnë gjë tjetër veçse mbajnë peng të ardhmen e tyre në BE”, tha Rama.
AK: Kosova e meritonte pavarësinë
Aleanca Kuqezi ka uruar sot përmes një deklarate për mediat për pavarësinë e Kosvës. Aleanca Kuqezi nderon heronjtë e UÇK-së që dhanë jetën për Kosovën dhe falenderon partnerët si SHBA dhe NATO, të cilat e mbështetën atë në rrugën e saj drejt pavarësisë e rindërtimit.
Në deklaratën për shtyp, AK shprehet se pavarësia e Kosovës u dha fund luftërave në Ballkan. “Kosova e meritonte lirinë, ndaj festës së kosovarëve sot u bashkohen edhe zemrat e shqiptarëve kudo që ndodhen”, shprehet AK.
Haxhinasto: Sfida e re e Kosovës, integrimi në BE
Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, u shpreh sot se dita e sotme është momenti më i mirë për të kujtuar sakrificat e bëra nga populli i Kosovës në vite, ndërsa para saj mbetet sfidë integrimi europian.
Haxhinasto priti sot një përfaqësi të rinjsh kosovarë, me rastin e 4-vjetorit të shpalles së pavarësisë së Kosovës.
“Ky përvjetor është një moment shumë i mirë për të kujtuar ato sakrifica që janë bërë nga populli i Kosovës, nga figurat e shquara të saj si ish-presidenti Ibrahim Rrugova si dhe dëshmorët e saj por është e rëndësi të shihet ajo se çfarë Kosova duhet të arrijë dhe sidoms ju brezi i ri do të keni përgjegjësi të mëdha për ta bërë Kosovën anëtare të Bashkimit Europian”, tha Haxhinasto.
Ai ripërsëriti mbështetjen e Shqipërisë në procesin e njohjeve nga shtetet e tjera dhe integrimin e Kosovës në BE dhe NATO, ndërsa theksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare se referendum i mbajtur ditët e fundit në veri të nuk ka asnjë vlerë ligjore.
“ Në lidhje me referendumin, nuk është kjo mënyra për asnjë komunitet në Kosovë për të realizuar integrimin e tij. Kosova ka shtet dhe shoqëri të hapur multietnike. Ky referendum nuk ka asnjë vlerë ligjore, nuk njihet nga askush në komunitetin ndërkombëtar. Rruga e vetme është duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke u sjellë si një qytetar i Kosovës”, tha Haxhinasto.