Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, me një inisiativë personale ka shpërndarë ndihma ushqimore në zonat e bllokuara nga dëbora në Bulqizë, për të ndihmuar banorët.
Po kështu, të gjithë punonjësit e administratës së Bashkisë së Durrësit, kanë dhuruar secili nga 1.000 lekë të rinj. Kryebashkiaku Dako u shpreh se në këto zona rrugët ishin të bllokuara dhe situata e banorëve ishte katastrofike.
Kryebashkiaku Vangjush Dako është mbështetur në inisiativën e tij për të siguruar dhe më pas shpërndarë ndihma në ushqime për zonat në vështirësi edhe nga krerët e bashkive të Vlorës, Laçit, Kavajës, Lushnjës. Inisiativa është mbështetur fuqimisht edhe nga kryetari i PS-së Edi Rama.
Kryebashkiaku Dako, së bashku me mbështetësit e inisiativës së tij, kanë shkuar në tre komuna të bllokuara: Fushë- Bulqizë, Gjoricë dhe Martanesh, ku kanë shpërndarë 60 tonë ushqime, kryesisht miell, vaj, sheqer, oriz etj. Ndihmat janë shkarkuar në qendër të secilës prej këtyre tre komunave dhe më pas janë shpërndarë në zona akoma më të thella nga përfaqësuesit e komunave dhe banorëve të zonës.
Nga zonat e bllokuara nga dëbora, kryebashkiaku Vangjush Dako ka bërë një thirrje për të gjithë qytetarët durrsakë për të ndihmuar banorët e këtyre zonave që janë në një moment kritik.
“Unë i bëj thirrje çdo biznesi të Durrësit dhe çdo qytetari të Durrësit, që të ndihmojnë dhe ti gjenden pranë në këto ditë shumë të vështira banorëve të këtyre zonave, ku situata është me të vërtetë e rëndë.
Në këto zona, rrugët janë të bllokuara, shtëpitë po shkatërrohen dhe mungon kujdesi shëndetësor, ndërkohë që ushqimet për këta banorë të bllokuar kanë mbaruar. Qeveria nuk gjendet fare në këto zona dhe ata banorë janë lënë në mëshirë të fatit. Ndaj ndërmorëm këtë inisiativë për të ndihmuar sa të mundemi këta njerëz në një moment kritik. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve durrsakë të ndihmojnë sa më shumë këta shqiptarë, që në këtë moment kanë nevojë për ndihmën e të gjithëve.”