Fare pak njerëz në botë mund të kenë fatin e Shyqyri Nimanit. Më 16 shkurt të vitit 2008 në ora 21:30 në shtëpinë e tij bie telefoni. Atë e marrin nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Profesorit të dizajnit i duhet ta bëjë një punë që pak veta e dijnë me siguri. Përveç kësaj, ai duhet ta mbajë në fshehtësi të madhe, dhe për këtë i duhet të punojë në zyrën e kryeministrit.
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë gati dhe profesori, atë kohë 66 vjeç, duhej ta bukur shkruante në pergamenën e bërë nga lëkura e vicit, dhe për këtë ka në dispozicion vetëm 16 orë.
Në këtë situatë të presionit të kohës, profesori thotë se i ra ndërmend që shkrimin ta lidhte me traditën shqiptare…
“Me formulën e pagëzimit, viti 1462, Palë Engjulli…”.
Përveç kësaj, profesor Nimani thotë se bukur shkrimi është i afërt me atë të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa brengë i mbetet që për shkak të kohës nuk mundi ta ilustronte ashtu siç kishte dëshirë. Sikur të gabonte, fjala vjen në fjalinë e fundit, profesor Nimani thotë se nuk do t’i kishte 16 orë të tjera në dispozicion për të përmirësuar gabimin por me një vendosmëri ia doli ta përfundojë në kohë.
Dhe, kur gjithçka është gati Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme shpalli pavarësinë, mijëra njerëz në temeperatura të ulëta mbushën rrugët e Kosovës, e deklarata e pavarësisë ishte e gatshme. Drejtuesit e shtetit të ri dhe deputetët tashmë mund të nënshkruanin.
Nëse ruhet siç duhet, deri në 700 vjet mund t’i bëjë ballë kohës mbase edhe më shumë, pergamena e sjellë nga Londra, e puna e profesorit në të ka zënë vend edhe në mediat ndërkombëtare, deri edhe në Japoni.
“Më respektojnë njerëzit kudo. Artistikisht mendoj që kjo nuk është gjëja më e mirë që kam bërë në jetën time, por si akt është i jashtëzakonshëm”, thotë Shyqri Nimani, Profesor universitar i dizajnit.
Nga të gjitha veprat e tij prej artisti e shkencëtari, shkrimi i tekstit të Deklaratës së Pavarësisë në pergamenë ka domëthënienmë të madhe.
Këtë fat fare pak njerëz në botë e kanë pasur këtë fat, e më pak akoma ata që mund të tregojnë për këtë.