Përvjetori i 92-të i Tiranës si kryeqytet ka përplasur në distancë kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama. Ndonëse një ditë feste, dy krerët më të rëndësishëm në vend akuzuan njëri –tjetrin për mungesë zhvillimi të kryeqytetit. Kryeministri Berisha vlerësoi investimet në Tiranë dhe theksoi se kryeqyteti është në pritje të zhvillimeve të mëdha pasi politika ia ka mohuar këto. Për këtë gjë Berisha vlerësoi kryetarin e ri të bashkisë, Lulzim Basha dhe ekipin e tij, të cilët, sipas kryeministrit, i kanë rikthyer Tiranës frymën qytetare.
“Zoti Kryetar i Bashkisë duhet tu përgëzoj për frymën qytetare që keni rikthyer me të gjithë ekipin tuaj, në një kohë të shkurtër, në këtë qytet të mrekullueshëm, i cili para së gjithash dhe mbi të gjitha, kërkon tu frymëzojë ju, të na frymëzojë ne, të frymëzojë gjithë politikanët, drejtuesit, me virtytet e shpirtit dhe zemrës së saj. Tirana pret dhe unë jam i bindur se ju, me përkushtimin më të madh, me ekipin tuaj do ti jepni Tiranës zhvillimin e saj të dytë të madh, zhvillim të cilin fatkeqësitë politike ia mohuan asaj”, tha Berisha. Për shefin e mazhorancës, Tirana do të mbahet mend edhe si qyteti ku u themelua forca e parë opozitare në vend për rrëzimin e diktaturës komuniste duke u shndërruar në promotore e zhvillimit. “Në rastin më të parë Tirana iu dha përgjigjen e merituar, pasi do të ishte qyteti që do të përmbyste diktatorin, do të udhëhiqte Shqipërinë, do të themelonte partinë e parë opozitare, do të shndërrohej sërish në një udhëheqje të progresit, në një promotor të madh të udhëheqjes dhe zhvillimit”,- tha Berisha.
Sipas tij, Tirana u bë kryeqytet nga Sulejman Delvina e Ahmet Zogu dhe gjatë pushtimit fashist u organizua një qëndresë e shkëlqyer, por më pas Tirana u pushtua nga komunistët. “Tirana ra në kthetrat e një grupi, e një bande barbare, e cila u përqendrua në bllok dhe s’u integrua dot kurrë në qytetin e Tiranës, ndërtoi bunkerin e vet, por nuk penetroi dot kurrë, në rrugët, rrugicat, në mendjen, zemrën dhe shpirtin e qytetarëve të Tiranës”,- tha kryeministri.
I menjëhershëm ishte reagimi i liderit të opozitës Edi Rama në rrjetin social Tëitter, pas mbajtjes së simpoziumit me rastin e 92 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet. Kryetari i Partisë Socialiste u shpreh se ata që festojnë sot, janë ata që e bllokuan qytetin dhe i vodhën votat. “Festojnë 92 vjetorin e Tiranës ata që e penguan barbarisht për synime politike e pastaj ia vodhën votat ditën për diell. Hipokrizia në pushtet”, shkruan Rama në Tëitter. Qeverisja e kryeqytetit është kthyer në një mollë sherri ndërmjet mazhorancës dhe opozitës duke shkuar deri në mosmiratimin e buxhetit vjetor që do të përdorej për investimet në kryeqytet.
Këshilltarët e PS-së urojnë kryeqytetasit
Këshilltarët e Partisë Socialiste uruan dje qytetarët e Tiranës për ditën e shpalljes kryeqytet. Kreu i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, tha se “Kjo është një ditë historike dhe mirënjohja jonë shkon për të gjithë familjet e Tiranës që kanë kontribuar ndër vite. Kjo është një ditë e rëndësishme për qytetarët e Tiranës, Shqipërisë, por edhe për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo pasi Tirana është kryeqendra e tyre”. Këtë deklaratë, këshilltarët e majtë e bënë në ekspozitën e familjes Rreli që i dedikohej personaliteteve të Tiranës. Këshilltarët i dhuruan një flamur Kombëtar kësaj familjeje duke i bërë thirrje qytetarëve që të vendosin në banesat e tyre flamurin kuq e zi, në nder të 100 vjetorit të pavarësisë.