Shndërrimi i Aleancës KuqeZi në një parti politike zyrtare duket se nuk do të ndodhë deri në maj të këtij viti. Kjo është lënë të nënkuptohet dje nga Kreshnik Spahiu gjatë ceremonisë së themelimit të Këshillit të Aleancës KuqeZi, qarku Tiranë.
Në një ceremoni ku ishin të pranishëm historianë, diplomatë, juristë, ekonomistë etj u zgjodh këshilli nismëtar për degën e Tiranës KuqeZi. “Kjo hap tiparin e maratonës të krijimit të degëve të AK në çdo qytet deri në realizimin e Kuvendit Mbarëkombëtarë i cili do të mbahet në muajin Maj të këtij viti. Deri në muajin Maj në Kuvendin Mbarëkombëtar, Tirana do të regjistrojë 100 mijë aktivistë, të cilët do të jenë pjesë e nismës 1 milionë kuqezi në të gjithë trevat shqiptare”,- tha Kreshnik Spahiu. Ndërkohë burime të Aleancës thanë se në kuvendin Mbarëkombëtar do të vendoset edhe krijimi i partisë.
“Aleanca KuqeZi do t’i japë fund urrejtjes politike në vend nën premtimin e realizimit të një kompromisi historik, i cili do të jetë çelësi i stabilitetit dhe paqes në rajon. Pas muajit Maj Aleanca KuqeZi do të shihet si alternative e vetme nga qytetaret shqiptarë për të drejtuar vendin”,- tha Kreshnik Spahiu, i cili premton se do të mbledhë të gjithë intelektualët e kërcënuar dhe shantazhuar. Duke premtuar një politikë të re, Spahiu deklaroi dje: “Aleanca KuqeZi ka për detyrë të vrasë frikën në një qytet ku sulltanët e politikës përgjojnë dhe survejojnë këdo për të mbajtur për dekada të tëra monopolin e politikës. Largimi i sulltanëve të politikës, të majtë dhe të djathtë, do ti sjellin shqiptarëve gjakun e ri në politikë”.
Dy ditë më parë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka akuzuar Spahiun si një sharlatan që nuk do i marrë asnjë votë PD-së. Dje Spahiu i ktheu përgjigje duke e cilësuar Topallin më keq se Nexhmije Hoxha në vitet e fundit të qeverisjes komuniste. “Disa e quajnë Nexhmija e fundit, por ajo nuk e meriton këtë kompliment, pasi Nexhmija dilte njëherë në 5 muaj në ekranin e TVSH, ndërsa ajo ka hipotekuar TVSH i cili mbahet me taksat e shqiptarëve duke kërcënuar dhe shantazhuar publikun e gjerë”,- tha Spahiu.
Duke ndaluar edhe tek situata e rëndë e kriminalitetit në kryeqytet, përfaqësuesit e Aleancës KuqeZi, bënë një krahasim me periudhën e luftës. “Tirana nuk ka njohur as në Luftën e Dytë Botërore këtë nivel të lartë kriminaliteti dhe vrasjesh publike që bëhen rrugëve të këtij qytetit. Për këto arsye duhet të punojmë nën një strategji për të përgatitur një alternativë të re për Tiranën, Tirana KuqeZi dhe gjithë Shqipërinë e cila ka tre armiq, krimin e organizuar, korrupsionin dhe pastrimin e parave. Aleanca KuqeZi premton se duke nisur nga aktiviteti i radhës ajo do të jetë në çdo qytet të Shqipërisë duke organizuar takime me aktivistët, mbështetësit dhe këto që kërkon dhe dëshiron të bëhet pjese e saj me qëllimin e vetëm për një të ardhme me prosperitet për Shqipërinë dhe Shqiptarët”,- thanë përfaqësuesit e Aleancës.