Bizneset po përballen gjithmonë e më tepër me ulje të aktivitetit të tyre. Konsumatorët nuk shpenzojnë më si më parë duke bërë që të ulet volumi i shitjeve. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave flasin për një ulje tjetër të tregtisë më pakicë në vend gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas Institutit, tregtia me pakicë gjatë tre mujorit të tretë 2011 ka rënë me 5.5 për qind krahasuar me tre mujorin e tretë të vitit 2010.
Pavarësisht këtij treguesi, volumi i shitjeve në vend gjatë tre mujorit të tretë 2011 ka qenë më i madh se ai gjatë tre mujorit të dytë. Rënia e madhe e tregtisë më pakicë ndodhi gjatë vjeshtës së vitit 2010, periudhë në të cilën Indeksi kapi treguesit 150 % krahasuar me 179.5 % që është aktualisht. Gjatë kësaj periudhe, indeksi ka pësuar luhatje të mëdha duke shqetësuar edhe autoritetet për jostabilitetin e tij. Nisur nga treguesit negative të tregtisë me pakicë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka bërë vazhdimisht thirrje për rritje të konsumit nga ana e qytetarëve dhe për më shumë besim të ekonomia.
Nëse periudha për të cilët jep të dhënat Instat përkon me periudhën korrik-shtator 2011, periudhë kur inflacioni vërtitej në 3.1 për qind. Inflacioni gjatë janarit 2012 ishte 1.6 për qind, nisur nga kjo, edhe tregtia me pakicë pritet të ulet në tre mujorin e parë 2012. Banka e Shqipërisë ka ulur disa herë rresht normën bazë të interesit me qëllim stimulimin e konsumit në vend, i cili përbën rreth 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Vendimet erdhën pas treguesve të ulët të inflacionit.
Shpenzimet
Përpos uljes së përgjithshme të volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, Instat raporton për një rritje të vrullshme në nëngrupin “Tregtia me pakicë e karburanteve”, Indeksi i volumit të shitjeve për tremujorin e tretë 2011 për këtë nëngrup është rritur 69 për qind krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraardhës. Shitja e karburanteve është rritur gjithashtu krahasuar edhe me tre mujorin e dytë të vitit 2011 duke pasqyruar kështu një rritje të vazhdueshme të shpenzimeve të shqiptarëve për blerje karburanti, blerje makinash dhe shërbimet ndaj tyre. Kjo rritje është disa herë më e madhe se sa rritja që ka pësuar tregtia e mallrave ushqimorë.
Vrojtimet tregojnë se familjet shpenzojnë mesatarisht gjysmën e buxhetit të tyre mujor për të blerë ushqime. Të dhënat e publikuara dje nga Instat ndërkohë flasin për një rritje shumë të vogël të tregtisë me pakicë për grupin “Artikuj të përzier kryesisht ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara”, rreth 11 për qind. Kjo rritje e volumit të tregtisë me pakicë të makinave dhe karburanteve vjen në një kohë kur konsumi i përgjithshëm ka rënë, por janë shpenzimet për makina dhe karburant ato që stabilizojnë deri diku treguesit negativ.