Reshjet e dëborës kanë rinisur në veri të vendit. Sipas informacioneve, problematike vijon të mbetet situata në rrethet Kukës, Has, Tropojë dhe Pukë.
Temperaturat e ulëta, reshjet e borës dhe stuhitë kanë bllokuar rrugët në këto rrethe, duke i izoluar ato nga pjesa tjetër e vendit.
Kjo ka sjellë edhe nevojën për furnizim me ushqime. Pritet që kamionë me ndihma të nisen sot nga rezerva e shtetit për në këto zona.
Një situatë e tillë paraqitet edhe në rrethin e Dibrës, ku shumë akse vijojnë të mbeten të bllokuara, ndërsa të tjerat janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
Në qarkun e Korçës, stuhitë e borës gjatë natës kanë bërë të pakalueshëm aksin Korçë-Dardhë, ndërsa në Korçë-Ersekë dhe Ersekë-Leskovik, lëvizja e automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë.
Ndërkohë, pas apelit të banorëve të shumë komunave të bllokuara, të cilët për shkak të bllokimit të rrugëve kanë mbetur pa rezerva ushqimore, Drejtoria e Rezervave Materiale ka nisur shpërndarjen e ndihmave me helikopterë dhe kaminoë.
Sipas të dhënave të fundit nga kjo drejtori, 2 kamionë me 300 pako me ushqime janë nisur drejt pukës, ndërsa drejt komunave Trebisht dhe Klenjë të Dibrës janë nisur dy helikopterë, secili me nga 50 pako ndihma ushqimore.