Situata e vështirë e krijuar në zonat e thella të vendit për shkak të motit të keq ka shkaktuar debate në nisje të sencës së sotme parlamentare. Deputeti socialist Taulan Balla ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme në zonën e Librazhdit, sidomos në komunën Steblevë, ku 2 persona kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore.
Balla i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, të dërgojë një helikopter për t’u ardhur në ndihmë atyre.
Deputeti socialist kërkoi që ministri i Brendshëm të japë informacione në lidhje me gjendjen e zonave të thella, të cilat sipas tij përveç borës dhe temperaturave tepër të ulëta po përballen edhe me mungesën e energjisë elektrike.
“Verilindja po jeton dimrin më të ashpër dhe situatën më të rëndë të këtyre viteve. Unë dua këtu sot të flasë ministri i Brendshëm, i cili duket se nuk ka dijeni për situatën. Pjesa më e madhe e fshatrave nuk kanë energji elektrike”, theksoi Balla.
Drejtuesi i seancës, Fatos Beja, i ka ndërprerë fjalën Ballës, pasi sipas tij çështja nuk kishte të bënte me procedurën dhe do të trajtohej gjatë diskutimeve të lira në fund të seancës.
Ndërsa vetë ministri Nishani u shpreh se do të raportojë në lidhje me situatën sapo t’i jepet fjala.