Hije misteri kanë rënë mbi figurën e një prej krerëve më të lartë të policisë kineze, pasi qeveria amerikane konfirmoi se ai vizitoi një nga konsullatat e saj.
Disa spekullojnë se oficeri Wang Lijun po kërkonte azil, edhe pse Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se nuk mund ta komentojë ngjarjen.
Zoti Wang u bë i njohur në mbarë Kinën pasi drejtoi një super-operacion kundër krimit të organizuar në provincën Çongking, por ai u lëviz nga posti dhe aktualisht është i pezulluar për shkak të “stresit”.
Një nga zëvendës-ministrat e Jashtëm të Kinës, Cui Tiankai, deklaroi se bëhet fjalë për “një incident të izoluar”.
Në një deklaratë për shtyp, ai tha se kjo çështje ishte zgjidhur qetësisht, edhe pse nuk dha detaje mbi atë që i ka ndodhur oficerit Wang.
Incidenti mund të ketë pasoja për shefin e super-policit, Bo Xilai, i cili duket se do të bëhet një nga liderët kryesorë të Kinës gjatë vitit.
Zoti Xilai ka qenë një nga politikanët e profilit më të lartë së fundmi, i cili lançoi një fushatë që vlerësoi virtytet e së kaluarës komuniste të vendit, si dhe një ofensivë kundër krimit të organizuar.
Lidhur me fatin e Wang Lijun ka pasur një sërë spekulimesh për ditë të tëra, pas një rrëmuje jashtë selisë së konsullatës amerikane në Çengdu më herët gjatë javës.