“Aleanca Kuqezi” kundërshton ndryshimin e ligjit për përfitimin e kombësisë shqiptare. Në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha tha se kombësinë shqiptare mund të përfitojnë të gjithë ata persona të cilët investojnë në vendin tonë një shumë minimale prej 100 mijë euro.
AK ka mbajtur qëndrimin se një ligj i tillë diskriminon shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës të cilët duhet të ndjekin një procedurë 5 vjeçare për të marrë shtetësinë shqiptare.
Sipas kësaj organizate një ligj i tillë gjithashtu u hap rrugën kriminelëve për të përfituar. “Ky projekt/ligj e kthen marrjen e shtetësisë shqiptare në pazar të hapur për këdo që në vendin origjinës së tij mund të ketë probleme të gjithëçfarëdoshëm nga ato sociale dhe kriminale, i cili do të kishte mundësinë të maskohej dhe fshihej për vetëm 100 mijë euro. Ky projekt/ligj lë shkas për përfitime nga elementë kriminal”, thuhet në reagimin e AK-së. Organizata kërkoi që një propozim i tillë të diskutohet para se të kalojë për miratim.
* * *
Situata e krijuar në vend nga reshjet e mëdha të borës dhe temperaturat e ulëta ka “vënë në punë” më në fund qeverinë.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha propozoi krijimin e një komiteti për përballimin e situatës dhe ndihmën ndaj banorëve të zonave të thella, të cilat gjenden të izoluara prej shumë ditësh nga pjesa tjetër e vendit.
“Është e domosdoshme që të krijojmë komitetin e përballimit të kësaj situate, të kryesuar nga ministri Brendshëm, por ku do të jenë drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Punëve Publike, Bujqësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Arsimit. Komiteti duhet të ndjekë 24 orë në 24 situatën në zonat e izoluara. Vërtet në disa zona nuk arrin më shumë se 1 metër, por ka fshatra e lagje ku bora shkon në dy e më shumë metra. Të gjitha potencialet duhet të vihen në funksion të tyre. Në radhë të parë emergjenca shëndetësore, pastaj furnizimet me ushqime”, tha kreu i qeverisë.
Berisha sugjeroi që në dy ditët që vijnë, të cilat parashikohen të jenë më të qeta, duhet të shfrytëzohen të gjitha potencialet për ndërhyrje në akset kombëtare.
Shtetësi shqiptare të huajve që investojnë mbi 100 mijë euro
Berisha kërkoi gjithashtu edhe rishqyrtimin e ligjit për shtetësinë, duke e bërë atë më të hapur ndaj shtetasve të huaj.
Kreu i ekzekutivit u shpreh se të gjithë shtetasve të huaj që investojnë në vendin tonë mbi 100 mijë euro duhet t’u jepet shtetësia shqiptare. “Ligji duhet të rishqyrtohet, duhet të përcaktojmë standarte të reja duke ruajtur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjeja për heqjen e vizave. Shqipëria duhet t’u japë shtetësinë shqiptare të gjithë atyre shtetasve të huaj që investojnë mbi 100 mijë euro në territorin e saj”, theksoi Berisha.
Privatësia, Berisha “merr në mbrojtje” artistët
Sipas Berishës, një tjetër ligj që ka nevojë për rishqyrtim është ligji për privatësinë. Ai kërkoi që ndryshimet të garantojnë mbrojtje ligjore sidomos ndaj artistëve shqiptarë, të cilët “mbushin faqet e gazetave me shpifje çdo fundjavë”.
“Fundjava është e mbushur me shpifje dhe imagjinata për këngëtaret e artistet si në asnjë vend tjetër. Në fundjavë shtypi shqiptar vihet në garë se si të jetë sa më sensacional. Një mbrojtje ligjore ndaj artistëve shqiptarë është e domosdoshme. Le ta konsiderojmë këtë një hap të parë në përpjekjen për të garantuar mbrojtjen e jetës private të qytetarëve shqiptarë. Më e bukura është se ndodh ç’ndodh në botën e gazetarisë, nuk gjen një shkrim për ta. Nuk bëjnë për njëri-tjetrin, për të tjerët bëjnë suplemente”, shtoi Berisha.