Kapiteni i kryqëzorit të fundosur në muajin janar, Francesco Schettino, rrezikon mbi 2 mijë vjet burg, informuan të hënën burime brenda Prokurorisë Italiane.
I konsideruar përgjegjës për aksidentin si pasojë e lundrimit të rrezikshëm, Schettino përballet me 34 akuza vrasjesh dhe disa vepra të tjera penale.
Në bazë të ligjeve italiane, vrasja e shumëfishtë e pavullnetshme dënohet me së paku 15 vjet burg, pakujdesia me pasojë mbytjen me 10 vjet dhe tetë vjet shtesë për secilin prej pasagjerëve të braktisur dhe të lënë pa ndihmë pas dhënies së alarmit për evakuimin e mjetit.
Duke përllogaritur 34 viktima dhe të paktën 300 persona të braktisur në anije, pasi kapiteni nuk priti deri në fund për t’u larguar, prokuroria mund të kërkojë për të një burgim prej 2 697 vitesh, që do të konvertohej me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.
Në bazë të akuzave që rëndojnë mbi kapitenin, Prokuroria do të dërgojë këtë javë në gjykatë kërkesën për anullimin e arrestit me burgim shtëpie, për ta dërguar në burg në pritje të nisjes së gjyqit.
Kryqëzori “Costa Concordia” u përplas me shkëmbinj të nënujshëm, për shkak të daljes nga kursi, pasojë direkte e neglizhencës në drejtimin e mjetit. Anija me 4 200 persona në bord në momentin e aksidentit, u mbyt disa orë më pas, mëngjesin e 13 janarit, pranë ishullit Italian të Xhilios.