Ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, Erhard Busek, deklaroi se Prishtina dhe Beogradi duhet të nisin diskutimet për ndryshime territoriale të hartës së dy shteteve.
Në një prononcim për KTV-në, ai tha se kjo është zgjidhja më e mirë për të siguruar stabilitet afatgjatë. Sipas tij, ky “shkëmbim territoresh” do të shpërblehej me statusin e vendit kandidat për Serbinë dhe njohjen nga pesë vendet e mbetura të Bashkimit Europian, për Kosovën.
Sipas Busek, është e arsyeshme që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, tre qytetet serbe me popullsi dërrmuese shqiptare dhe rrethinat e tyre, të përfshihen në shtetin kosovar. Nga ana tjetër, krahinat me popullsi serbe në veri të Kosovës do të kalonin në shtetin e tyre “nënë”.
”Jam i bindur që nëse bisedimet aktuale nuk do të sjellin asnjë zgjidhje, atëherë ndarja mbetet e vetmja mundësi”, u shpreh Busek.
Sa u përket bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, ai ka thënë se vetëm pas zgjedhjeve në Serbi do të krijohen kushte të favorshme për zhvillimin e bisedimeve.
Aleanca Kuqezi: Jo pazar me tokën e Kosovës
Aleanca Kuqezi reagoi ashpër kundër fjalës së Erhard Busek, ndërsa theksoi se ndarja e Kosovës është një ide pa asnjë bazë.
”Kufijtë e Kosovës nuk janë dhe nuk mund të jenë një çështje pazaresh”, shkruante “AK” në një deklaratë të botuar për shtyp, mëngjesin e së dielës.
”Ne mbështesim projektin amerikan për Kosovën, pasi shkëmbimi i territoreve nuk është garanci për stabilitet. Propozimi i Erhard Busek nuk është aspak konstruktiv për rajonin”, vlerësoi Aleanca.