Administrata e Obama-s ka bërë llogari në lidhje me testimin e mundshëm nga ana e Koresë së Veriut, të raketave të lëvizshme balistike në cdo moment, bazuar në të dhënat më të fundit të inteligjencës, të cilat njoftojnë se Peniani me shumë mundësi ka përfunduar përgatitjet për lëshimin, tha një zyrtar amerikan gjatë së martës.
Administrata beson se kryerja e testit mund të ndodhë edhe pa lëshimin e ndonjë njoftimi standard të Koresë së Veriut, ndaj aviacionit komercial dhe flotës detare, gjë që zakonisht i paralajmëron ato të qëndrojnë larg distancës periferike të raketës, sipas zyrtarëve, të cilët refuzuan të identifikoheshin, për shkak të informacionit tepër të ndjeshëm.
Ai paralajmëroi se pjesa më e madhe e informacionit vjen nga imazhet satelitore, kështu që është e pamundur të arrihet në një konkluzion definitiv, sepse Shtetet e Bashkuara nuk ka ndërmend të mbledhë informacione në terren.
“Shpresojmë që ata të japin ndonjë njoftim, por në këtë pikë ne nuk presim asgjë prej tyre. Jemi duke punuar me prezumimin se ata nuk do të njoftojnë për veprimtarinë e tyre”, tha zyrtari. Ai shtoi se testimi mund të jetë “i pashmangshëm”, por paralajmëroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara “thjesht nuk dinë gjë se kur”.
Zyrtari në fjalë, i shoqëruar edhe nga një zyrtar i Pentagonit, tha se Shtetet e Bashkuara kanë patur mundësi të mbajnë satelitët mbi zonën e dyshuar të lançimit të raketës, përgjatë gjithë javës së kaluar.
SHBA-të mendojnë se raketat mbeten në të njëjtin vend, rreth gjysmës së rrugës përgjatë bregdetit lindor të Koresë së Veriut, si dhe janë rreth 10 milje në brendësi të tokës.
Imazhet janë penguar nga moti i keq, gjë që do të thotë se nuk ka një informacion perfekt në lidhje me atë që ndodh në terren. Por, bazuar në atë që kanë parë SHBA-të, besohet se raketat kanë marrë furnizimin e duhur me karburant të lëngshëm dhe janë gati për lëshim.
Pas ndonjë lëshimi të mundshëm, satelitët amerikanë dhe radarët në rajon mund të përllogarisin trajektoren e raketave brenda pak minutave, si dhe të japin menjëherë konkluzione nëse testimet e tyre do të fokusohen në sipërfaqe të hapur mbi oqean, apo janë drejtuar potencialisht ndaj zonave tokësore, si për shembull Japonia.
Shtetet e Bashkuara dhe Japonia do të duhet të vendosin më pas, nëse do të përpiqen t’i rrëzojnë poshtë raketat, apo jo, konfirmuan zyrtarët.