John Terry, qendërmbrojtësi i Chelsea, i cili do të dalë para gjyqit në korrikun e ardhshëm i akuzuar për sjellje raciste, nuk është më kapiteni i kombëtares angleze të futbollit.
Lajmi është bërë i ditur nga Federata Angleze e Futbollit (FA) me anë të një komunikate ku shkruhet se “Terry nuk do të jetë më kapiteni i Anglisë deri në momentin që të zgjidhet çështja e tij”.
David Bernstein, presidenti i FA-së, u mblodh ditën e enjte me anëtarët e kryesisë për të diskutuar çështjen Terry dhe vendimin e marrë ia komunikoi të premten trajnerit të “Tre Luanëve”, italianit Fabio Capello e më pas vetë Terry-t me anë të një telefonate në orën 10 të mëngjesit.
“Është në interesin e të gjithë palëve që John Terry-t t’i hiqet shiriti i kapitenit. Detyra e veçantë që të jep ky shirit, si brenda ashtu edhe jashtë fushës, si dhe kërkesat shtesë që bien mbi një kapiten kanë bërë që të arrihet në këtë vendim”, lexohet në komunikatën e FA-së.
FA sqaroi se Terry nuk është përjashtuar nga ekipi kombëtar.
Mbrojtësi dhe kapiteni 31-vjeçar i Chelsea ka thënë se është i pafajshëm pas akuzave të ngritura ndaj tij për racizëm ndaj lojtarit të Queens Park Rangers, Anton Ferdinand, në ndeshjen e 23 tetorit.