Në prag të 30-vjetorit të luftës së Ishujve Falkland mes Argjentinës dhe Britanisë së Madhe, tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar.
Retorika se cili shtet ka sovranitetin e ketyre ishujve me rreth 2500 banorë, ka shpërthyer mes presidentes argjentinase, Cristina de Krichner Fernandez dhe kryeministrit britanik, David Cameron. Fernandez akuzon Londrën se është e gatshme të futet në luftë me të gjithë vendet sovrane për t’u grabitur atyre, sipas saj, burimet natyrore, ndërsa nga ana tjetër Cameron përgjigjet se Ishujt Falkland janë territor britanik, për të cilin ai nuk do të bisedojë kurrë me Buenos Aires, përvecse në rastin kur këto bisedime i kërkon vetë popullsia e ishujve.
Dhe si për të treguar rëndësinë që kanë për Britaninë e Madhe Ishujt Falkland (Argjentina i njeh me emrin Malvine), në terren ka zbritur edhe princi William. Pasardhësi i Kurorës ndodhet në Falkland në kuadër të një stërvitje ushtarake 6-javore. Ai do të ushtrohet si pilot helikopteri, në gjendje për të përballuar me sukses situata lufte dhe emergjencash të tjera.
Ishujt Falkland ndodhen nën kontrollin e “Kurorës” që prej vitit 1830. Në vitin 1982 për sovranitetin e këtyre ishujve u zhvillua edhe një luftë e shkurtër, por e përgjakshme mes Argjentinës dhe Anglisë. Argjentina ndërhyri ushtarakisht duke marrë kontrollin e ishujve, kontroll të cilin do të mbante jo më shumë se 2 muaj, pasi Britania e Madhe, e udhëhequr në atë kohë nga kryeministrja Margaret Thatcher, dërgoi flotën detare e ajrore dhe forca të tjera këmbësorie duke rimarrë ishujt. Që pas kësaj lufte marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të ftohta.
Por përse u ringjall pikërisht tani debati për sovranitetin e ishujve që ndodhen në jug të Oqeanit Atlantik. Sipas analistëve, ajo që ringjalli këtë debat është politika argjentinase e cila po kërkon të zhvendosë vëmendjen e elektoratit nga gjendja e vështirë ekonomike që ka përfshirë vendin, inflacioni galopant, mungesa e gazit, karburantit dhe në vecanti mungesa e theksuar e elektricitetit, ku shumë zona vuajnë prej vitesh orar të reduktuar.