Rikthehen problemet muskulore për Alexandre Pato, i cili do të qëndrojë jashtë fushave për rreth një muaj, pas një tërheqje të pësuar në ndeshjen e Kupës së Italisë, Milan-Novara 2-1.
Për brazilianin 23-vjeçar është në dyshim prezenca në fushë në përballjen e parë të Champions League, përballë Arsenalit. “Ekzaminimet treguan se Pato ka pësuar një tërheqje në një prej muskujve femoralë të kofshës së majtë. Normalisht, me përjashtim të komplikimeve, ai duhet të riaftësohet për të luajtur brenda 3-4 javësh”, shkruhej në një komunikatë të publikuar në faqen e internetit të Milanit.
Ky është dëmtimi i 12 muskulor për brazilianin, i cili që prej mbërritjes tek kampionët e Italisë, ka vuajtur shumë probleme fizike, të cilat e kanë lënë për muaj të tërë jashtë fushave.
Milani pret në “San Siro” në 15 shkurt skuadrën e Arsenalit, në ndeshjen e parë vajtëse të një të tetave të Champions League.