Megaupload, një ndër faqet më të mëdha në internet, e përdorur gjërësisht për ngarkimin dhe shkarkimin e materialeve të ndryshme, është mbyllur nga autoritetet amerikane.
Themeluesit e kësaj faqe janë vënë nën pranga nga FBI nën akuzën e shkeljes së ligjeve anti-pirateri. Prokurorët federalë thanë se aktiviteti i kësaj faqe i kanë kushtuar të drejtave të autorit një dëm prej më shumë se 500 milion dollarë.
FBI bëri me dije se dy bashkëthemeluesit, Tim Shmitz dhe Matias Ortman u arrestuan në Auckland të Zelandës së Re bashkë me dy punonjës të tjerë të këtij biznesi. Tre të akuzuar të tjerë janë në arrati.
Operacioni i FBI-së, vjen vetëm një ditë pas protestës së zhvilluar nga qindra faqe online për ligjin e ri anti-pirateri, SOPA. Por sipas zyrtarëve amerikanë, arrestimet e fundit nuk kanë lidhje me miratimin e ligjit të ri, pasi operacioni ishte autorizuar dy javë më parë.
Si kundër përgjigje ndaj këtij operacioni, grupi i piratëve “Anonimous”, sulmoi faqen e internetit të FBI-së dhe të Departamentit të Drejtësisë. “Anonimous” mori përsipër këto sulme dhe tha se të tjera do të pasojnë.