Një personazh i vetëm, që i përmbledh të gjithë. Prej pesë vitesh nuk zbatohej kjo formulë nga revista prestigjoze “Time” e cila ka zgjedhur si personazh të 2011-ës “Protestuesin”.
I gjithë ky vit u shënua nga protesta në shumë vende të botës. Pranvera arabe tronditi disa rregjime që u rrëzuan njëri pas tjetrit, nga Tunizia, në Egjipt dhe më pas Libi.
“Protestuesi” mund të jetë një prej të indinjuarve në Spanjë, në Londer, Athinë, kundërshtar i zgjedhjeve në Rusi, pjestar i Lëvizjes “Pushtoni Uoll Stritin”, apo një prej të shumtëve që mbuluan sheshin “Tahrir” në Kajro të Egjiptit.
Protestuesi, personazhi i vitit 2011 ne “Time”
Revista e përjavshme tha se cmimi u njihet protestuesve që ripërcaktuan pushtetin e popujve në të gjithë botën.
Botuesi i “Time” Rick Stengel shpjegoi se protestuesit ishin forca prapa lajmeve dhe raportimeve të këtij viti. “Ata përforcuan idenë se veprimi individual mund të sjellë ndryshime kolektive kolosale”.
Një prej kandidatëve ishte dhe Admirali Uilliam Mek Raven, komandanti i trupave speciale amerikane, që vranë kryeterroristin Osama Bin Laden. Pas tij, artisti disident kinez, Ai Ueiuei, i cili u burgos në mënyrë sekrete nga autoritetet kineze dhe kjo ndezi indinjatë mbarë botërore.
Pas tij ishte kongresmeni republikan, Pol Rajan, arkitekti i planit të buxhetit që shkaktoi, pranverën e këtij viti, një stuhi të vërtetë ideologjike.
Dhe në fund, dukesha e Kejmbrixhit, Kejt Midellton, e cila u martua me princin Uilliam në prill të këtij viti.
Në vitin 2006, “Time” e quajti personazhin e vitit “Ti”, cka reflektonte pushtetin në rritje të medias sociale.Vitin e kaluar, personazhi i vitit për revistën “Time” ishte Mark Zukerberg, themeluesi i rrjetit social “Facebook”. (Top-channel )