Udhëheqësi i ekipit shkencor holandez, i cili ka zbuluar llojin vdekjeprurës të virusit të gripit të shpezëve, të mërkurën ka vërtetuar që rreziku nga publikimi i mundshëm i këtij hulumtimi “nuk është aq i madh sa mendohet në botë”.
“Kërcënimi për biosiguri nuk është aq i madh sa mendojnë të gjithë, sepse krijimi i këtij virusi nuk është procedurë e thjeshtë edhe për të duhet të keni numër të madh të personelit shumë të kualifikuar si dhe kushte adekuate të punës”, ka thënë Ron Fouchier.
Laboratori i Qendrës Mjekësore Erasmus të Universitetit holandez në Rotterdam nën udhëheqjen e Fouchier në shtator ka raportuar për suksesin e krijimit të formës mutante të H5N1, i cili për herë të parë ka potencialin e transmetimit të thjeshtë me ajër mes gjitarëve, dhe kështu edhe nga njeriu në njeri.
National Science Advisory Board for Biosecurity (NSABB) në fund të nëntorit ka kërkuar nga revista shkencore amerikane Science, e cila është dashur t’i publikojë rezultatet e hulumtimit holandez që nga artikulli të mënjanojë mënyrat dhe metodat e përdorura në hulumtim.
Ditë më parë gazeta “The Independent” ka njoftuar se si zbulimi ka shkaktuar frikë në qeverinë e SHBA-së që informatat do të bien në duart e terroristëve, të cilët mund ta përdorin si armë biologjik për shkatërrim në masë.
“Science” ka njoftuar që NSABB ka insistuar në “domosdoshmërinë e parandalimit të mundësive që detajet e hulumtimeve të bien në duart e gabuara”.
“Ato informata duhen t’i marrin vendet në të cilat virusi H5N1 shkakton epidemi për të qenë në gatishmëri në rast të shfaqjes së mutacionit të virusit”, ka thënë Fouchier, por ka shtuar që respekton rekomandimet e NSABB-së dhe që tashmë ka dërguar version të spastruar të rezultateve të hulumtimit.
Lloji i virusit i gripit të shpezëve H5N1 ka mbytur qindra miliona zogj që nga paraqitja në vitin 1996 dhe deri tani ka infektuar vetëm 600 njerëz të cilët kanë ardhur në kontakt direkt me zogjtë, por me vdekshmëri prej 60 për qind.