Shumë nëna i gëzohen fëmijës së tyre teksa shohin sesi ai qesh kur e gudulisin. Por për një nënë 41 vjeçare në Britani, kjo është e vetmja mënyrë për ta mbajtur gjallë të birin 1-vjeçar.
Benn Norris ndalon frymëmarrjen disa herë gjatë natës dhe e ëma është e detyruar ta gudulisë që ai të mbushet me frymë.
Sanchia Norris zgjohet disa herë natën nga një alarm që i tregon se i biri ka ndaluar së marri frymë.
”Duhet ta stimuloj në një farë mënyre që ai të rifillojë frymëmarrjen. Zakonisht e gudulis në shputat e këmbëve, nën mjekër apo në bark. Kjo mjafton për ta bërë të marrë frymë sërish”, thotë ajo.
“Një natë ai ndaloi frymëmarrjen 23 herë dhe m’u desh ta gudulisja aq herë që të merrte frymë sërish”, tregon Sanchia.
Ben vuan nga apnea, një nga çrregullimet që prek zakonisht fëmijët prematurë. Apnea shkakton ndërprerjen e procesit të frymëmarrjes për 20 sekonda apo më shumë gjatë gjumit, kjo për shkak të zhvillimit të pamjaftueshëm të muskujve dhe sistemit nervor të fëmijës që në lindje.
Shumica e të prekurve e kalojnë këtë problem me kalimin e kohës. Benn erdhi në jetë në nëntor të vitit të kaluar, pas një lindjeje të parakohshme kur ishte vetëm 24 javësh. “Ai nuk kishte ende gjatësinë e dorës time kur lindi dhe mjekët thanë se shanset për të mbijetuar ishin shumë të vogla”, thotë nëna e Benn-it.
Por jashtë çdo parashikimi, pas 18 javësh në spital, gjendja e Benn ishte mjaftueshëm e mirë për të lënë spitalin. Tashmë e ëma mbledh fonde për stafin e maternitetit në Addenbrooke’s Hospital, ku lindi i biri.
Përgatiti: Gazmira Ndoja