Fizika dhe kimia së bashku na ofrojnë shembuj të ndryshëm të prioritetit të boshes ndaj të plotës. Me teorinë speciale të relativitetit të vitit 1905, Ajnshtajni kishte treguar se hipoteza e ekzistencës së eterit në hapësirë, është një komplikacion i panevojshëm. Megjithatë, eksperimentet e fundit i japin besueshmëri idesë së një hapësire që nuk është bosh, por shumë e pasur me energji dhe aktivitet, aq sa mund të kujtojmë eterin e padukshëm dhe shkëlqyes të shkencës dhe rrymave spiritualiste të shekullit të 19-të. Krahasime analoge dalin nga analiza e gazrave fisnikë si heliumi, gazra shumë të rrallë këta sa mund të konsiderohen joaktivë apo inekzistentë, ashtu edhe nga zhvillimet elektronike pas shpikjes së tranzitorit të parë në vitin 1947. Boshja në matematikë të bën të mendosh se zero është bashkësia pa elemente, e quajtur ndryshe edhe bashkësia boshe. Fiset Maja zotëronin një teknikë të avancuar të llogaritjes metrike nëpërmjet përdorimit të një tabele të ngjashme me kutinë e shahut, mjet të cilin ne e kemi zbuluar shumë vonë. Ata kuptuan dhe përdorën në mënyrë perfekte konceptin abstrakt të zeros dhe kishin njohuri për numërimin vendor. Këto janë fusha ezoterike. Shifra zero dhe numërimet vendore janë kaq shumë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe është një komoditet kaq i qartë, sa është e vështirë të kuptohet shkaku pse shpikja e tyre u vonua kaq shumë. E megjithatë, as grekët e lashtë me matematikanët e famshëm dhe as Roma e lashtë nuk kishte idenë e zeros apo numërimit vendor. Majat përdornin sistemin e tyre që e kishin trashëguar nga Olmecet, të cilët nuk dihet nga e kishin trashëguar. Ky sistem ishte një kombinim pikash (të cilat përcaktonin teket apo çiftet apo shumëzime të njëzetës), vijash (të cilat përcaktonin pesat apo shumëzimet e pesës me njëzetën) dhe një guaske të mysët që personifikonte zeron.
Grekët e lashtë, përkundrazi, nuk përdornin asnjë simbol për zeron, madje nuk e konceptuan atë kurrë si një numër. Ata posedonin një shkencë të rafinuar të logos-it, d.m.th., të raportit matematik, nga ku rrjedh edhe koncepti ynë për numrat. Atëherë, mund të imagjinohet se për ta raporti dhe ndarja e numrit zero në vetvete është dukur e pakuptimtë. Kështu, duke përdorur fjalët e Simone Weil, mund të themi: ”Në natyrë ekzistojnë raporte, jo zeroja”. Në fakt, zeroja është një numër special dhe përdorimet e saj të shumta në matematikë, elektronikë dhe astrofizikë, mund të prodhojnë fenomene të paqëndrueshme, madje kolapsin e një sistemi të tërë llogaritës. Megjithatë, koncepti i boshes në matematikë, mungesa e vërtetë në sistemin e numrave, nuk është zeroja, madje as bashkësia pa elementë, por numri irracional. E kundërta e boshes, e zeros, mund të jetë e plota. Në fakt, kjo e jona është një e shoqëri e fiksuar nga koncepti i të plotës. Duam apo nuk duam, ne jemi të zhytur në informacione, gjëra dhe imazhe që shumëfishohen vazhdimisht. Sigurisht, nuk mund të injorohen idetë që thonë se nga ajo që duket bosh dhe pa ekzistencë varet realiteti material dhe mendimi ynë.