Nëse nuk merren masa të menjëhershme për t’ia përforcuar themelet, të cilët janë të drunjtë dhe të kalbur, Taxh Mahalli mund të ketë edhe pesë vjet “jetë”.
Ky monument i mermertë, 358 vjet i vjetër është atraksioni më i njohur turistik në Indi dhe çdo vit tërheq katër milionë turistë në qytetin verior, Agra. Lumi Xhamuna - në ujërat e të cilit janë të zhytur themelet nga druri i mahagonit dhe që janë vendimtare në qëndrueshmërinë e tij - janë të rrezikuar dhe po thahen për shkak të ndotjes së lumit nga materiet industriale. Një grup historianësh, politikanësh dhe ekologësh kanë ngritur alarmin për Taxh Mahallin. Ata konsiderojnë se themelet janë të brishtë dhe po kalben për shkak të mungesës së ujit. Sipas tyre, një situatë të këtillë nuk e kishin parashikuar mjeshtrit e moçëm.
”Nëse kjo situatë nuk zgjidhet në mënyre të shpejtë, Taxh Mahalli mund të shembet në një afat kohor prej dy deri në pesë vjet”, ka thënë Ramshankar Kateri, deputet i Agrës dhe i cili udhëheq kompaninë për shpëtimin e kësaj vepre arkitektonike e për të cilën punë duhen hiq më pak se 80 milionë euro.
Taxh Mahall është ndërtuar nga perandori Mogul Shah Xhehan, i dërmuar pas vdekjes së gruas së tij Mumtaz Mahall, e cila vdiq kur po lindte fëmijën e tij. Imazhi romantik i këtij monumenti vazhdimisht tërheq shumë turistë, por edhe personalitete të njohura.
Koha.net