Njeriu në epokën e teknologjisë informative
29.10.2004 Nga: Imer Gruda
Shkencëtarët dhe teknologët kishin një ëndërr; të ndërtojnë një robot që është e përsosur sikur që ne jemi, të mëndojë, të mësojë e madje edhe të dashurojë sikur që neve mundemi. Megjithatë, në thellësinë e imagjinatës së tyre qëndronte frika se një ditë roboti do të marrë pushtetin mbi neve dhe do të humbim qëllimin e vërtetë të jetës sonë, duke u bërë robër të asaj që dikur ndërtuam. Fatkeqësisht, kjo nuk është më pjesë e imagjinatës së ndonjë shkrimtari fantastiko-shkencor por ky është realiteti që na rrethon – epoka e teknologjisë informative – koha kur njerëzit posedojnë aq shumë fuqi por pak dituri se si ta përdorin atë.
Sot jemi dëshmitarë të shpejtësisë së madhe në avansime dhe ndryshime në fushën e shkencës, teknologjisë, kulturës dhe shoqërisë si dhe arritjes së informacioneve të tepërta që askush nuk mund të ballafaqohet me to.
Pa dyshim, kjo shpejtësi mahnitëse e ndryshimeve të shkaktuara nga teknologjia krijon strese të rënda, çorjentim dhe kaos në individë dhe shoqëri.
Çdo popull ka tregimet dhe mitet e veta rreth së ardhmes. Njerëzit gjithmonë e kanë ndier të nevojshme të dinë se ku do shkojnë, çfarë do të jetë ardhmëria e tyre e afërt si dhe ajo e largëta. Në shoqërinë e sotme teknologjike shkencëtarët, filozofët dhe shkrimtarët janë ata të cilët mundohen të imagjinojnë ardhmërinë. Vizionet dhe parashikimet e tyre ndahen në dy doktrina, atë optimiste dhe atë pesimiste. Optimistët besojnë që progresi i plotësuar me hulumtime shkencore do të vazhdoj të bëjë jetën tonë më të mirë duke mposhtur tërë problemet. Pesimistët, në të kundërtën, besojnë që problemet përcjellin vetë njerëzimin, dhe teknologjia vetëm sa i shton ato, duke i liruar forcat e errëta njerëzore që mund të dalin kontrollit përgjithmonë.
Një ndër optimistët ishte filozofi marksist Henri Lefebvre. Ai deklaroi që: “Niveli më i lartë i lirisë do të arrihet vetëm në një shoqëri në të cilën teknologjia evoluon të gjithë potencialin e saj.” Megjithatë, ndryshimet në shoqërinë tonë të sotshme janë të shoqëruara me një sërë problemesh të shkaktuara nga shpejtësia shumë e madhe e avancimeve. Sa shpejt mundemi ne njerëazit të ndryshojmë? Sa shpejt mund të evoluojmë? A jemi ne të mbingarkuar psiqikisht dhe shoqërisht nga ritmi i të ardhmes që vjen? Futuristi Alvin Tofler në librin e tij “Tronditjet e së ardhmes”, shqyrton këto pyetje. Ai parashikon që zhvillimi i shpejtë teknologjisë shpie në një mori shqetësimesh fizike dhe mentale të cilat ai e quan simptom të tronditjeve të së ardhmes.
Bota jonë moderne po na bombardon me shumë gjëra të ndryshme, që vijnë e shkojnë shumë shpejt për ne duke mos qenë në gjendje të dimë çfarë po ndodh rreth nesh dhe ku po shkojmë.
Avancimet teknologjike kanë bërë rimarrjen, paraqitjen dhe shpërndarjen e informacionit shumë më të lehtë se në periudhat e mëparshme, kjo ka bërë heqjen e proçeseve natyrale të seleksionimit të cilat nuk do të pranonin tjetër, përveçse informacionin më kryesor. Ne dëgjojmë tepër nga ajo çfarë nuk na intereson, shumë zhurmë dhe banalitet, informacione të degraduara që prodhojnë moral të ulët, vandalizëm dhe krim. Megjithëse teknologjia kontribuon në pasurimin e shumëllojshmërisë së informacionit, shumëllojshmëria, gjithashtu mund të jetë e mërzitshme kur nuk ka gjë për të thënë, kur shkakton tek ne zhurmë, hutim dhe mungesë lidhjeje, duke e bërë edhe më të vështirë kuptimin që kërkojmë”
Në vend që të kemi një “varg” idesh të lidhura, të organizuara dhe të sistematizuara për ne, ne jemi çdo herë e më shumë të ekspozuar me module të shkurtra informatash, komanda, teori, copa lajmesh, copëza të prera, të shkurtëra që refuzojnë të përshtaten qartë me skedarët e paraegzistuar në mendjen tonë. Këto “mjegullira të dhënash” çojnë drejt një numri efektesh negative tek individi, siç janë; ankthi, dobësim në vendimmarrje, vështirësi në memorizim dhe mbajtjen përmendsh. Sipas disa psikologëve dhe hulumtuesve, “mjegullira të dhënash” që na bombardojnë çdo ditë mund të na bëjnë të sëmurë duke ndërhyrë në gjumin tonë, duke sabotuar koncentrimin tonë dhe duke shkatërruar sistemin tonë imun. Jo vetëm kaq, gjithashtu edhe shoqëria si e tërë mund të pasoj këto efekte të mbingarkesës së informacioneve.
Në ditët e sotme ne kemi një shoqëri informacioni, një shoqëri me pranim të lartë të dhënash, e cila gjithashtu është edhe një shoqëri e zhurmshe. Ne jetojmë në një zhurmë të përhershme mediash, me të cilën vazhdimisht adaptohemi. Botën tonë sot me shpejtësi po e drejtojnë kombinimi i informacioneve dhe vlerat argëtuese, dhe që të dyja këto janë të promovuara nga shpërthimi i shpejtë i mjeteve të ndryshme për kombinim, veçanarisht mjetet elektronike siç janë sateliti dhe interneti.
Media gjithnjë e më shumë po zë vendin kryesor në jetën tonë të përditshme. Ajo po definon çfarë është e rëndësishme dhe çfarë nuk është; çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe. Ajo po formon idetë tona, mendimet tona si dhe përceptimin e botës që na rrethon.
Kualiteti i jetës, madje vetë vazhdimësia dhe identiteti ynë, në një mënyrë apo tjetër varet nga informacionet që marrim vazhdimisht përmes mediave.
Në kohën tonë, sikurse përgjatë gjithë historisë njerëzore, njerëzimi dhe teknologjia kanë evoluar reciprokisht. Ndryshimet dhe avancimet në një sferë kanë nxitur dhe mbështetur ndryshimet në sferën tjetër, dhe në të kundërtën. Teknologjia e lartë bashkëkohore i ofron premtime të mëdha njerëzimit. Ajo tenton të depërtoj në çdo fushë të jetës sonë për hir të përsosshmërisë së saj. Arritjet në shkencat e mjeksisë, ekonomisë, transportit, sikurse edhe teknologjisë informative i japin një mundësi më shumë njerëzimit për një jetë më të mirë. Ndërkohë mbas gjithë këtij optimizmi nund të pyesim; a do të thotë që jeta jonë ëshët më e kompletuar, më e sigurt, më e lumtur dhe më njerëzore? Përgjigjja padyshim është “JO”.
Familja si një institucion bazë e shoqërisë ka kaluar nëpër një ndryshim drastik që ka ndikuar në të gjitha nivelet e shoqërisë. Sociologu J. Henslim në librin e tij “Problemet Sociale” numëron njëmbëdhjetë efekte negative të industrializimit mbi familjen, ndër të cilat janë: largimi i babait nga shtëpia, varësia ekonomike, lëvizjet e pakontrolluara nga zonat rurale në ato urbane, ndërrimi i rolit të femrës në shtëpi, paksimi i lindjeve, si dhe shtimi i numrit të divorceve. Të gjitha këto ndryshime kanë çrrënjosur familjen, kanë dëmtuar rregullat fundamentale të jetës, si dhe kanë shkaktuar probleme të mëdha sociale.
Për shkak të ndryshimeve teknologjike me të cilat sot bota po ballafaqohet, vlerat tradicionale që përcaktojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe, po bëhen gjithnjë e më pak bazë modeli për sjelljen dhe veprimet njerëzore.
Gjërat që tradicionalisht perceptoheshin të mira, sot shpesh shihen si të liga, përderisa gjërat që dikur trajtoheshin të këqija sot shihen më pozitivisht.
Sëmundjet shoqërore siç janë; vrasja dhe vetëvrasja, devijimet seksuale si dhe abuzimet seksuale të fëmijëve, homoseksualiteti – lezbianizmi dhe prostitucioni, droga dhe alkoholi, divorci dhe abortimi, janë gjëra të zakonshme në shoqërinë bashkëkohore. Shkalla e këtyre krimeve është direkt e lidhur me nivelin e zhvillimit të teknologjisë.
Ne të gjithë e dimë që ndryshimet shoqërore janë të paevituara por ne duhet të kemi kujdes dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për një ndryshim partikular nëse ai është një progres apo një hap prapa.
Në përfundim
Duket se problemi më i madh që po përballon sot njerëzimi nuk është se ka pak progres por në të kundërtën ka të tepërt.
Siç shihet nga shkrimi i mësipërm, të gjitha argumentet e përmendura kanë një domethënie kuptimplote dhe qartë na paralajmërojnë që të kemi kujdes gjatë ndërtimit të së ardhmes sonë. Albert Kamus pas hedhjes së bombës në Hiroshimë pati thënë: “Ne duhet të zgjedhim, në të ardhmen e afërt, mes vetëvrasjes kolektive apo përdorimit inteligjent të arritjeve tona shkencore.”
Thelbi i preokupimit tonë duhet të jetë zerma e njeriut si dhe vlerat humane dhe shpirtërore e jo roboti e ndërtuar nga vetë njeriu. Nuk është teknologjia ajo që e bën shoqërinë e fortë por janë vlerat morale dhe besimi.
Historia shënon shëmbjen e shumë civilizimeve të mëdha pamvarësisht nga fuqia që posedonin ato. Ilustrimi më i mirë për këtë gjendet në verset 6-13 të Kaptinës 90 të Kur’anit të shenjtë.
Teknologjia mund të zhytet në natyrë, por ne duhet ta kuptojmë që teknologjia është pjesë e natyrës, dhe jo mbi të.
Botuar në Gazetën Islame “ELIF” nr.11 të BI në Mal të Zi