Astrologjia perëndimore ka lindur në Mesopotami (Babiloni), pikerisht në Irakun e sotëm, rreth 3000 vjet para Krishtit (5000 vjet më parë) dhe është trashëguar deri në ditët e sotme nga grekët dhe romakët. Natyrisht, që njerëzit parahistorikë janë ndër më të parët që i vëzhgonin këto fenomene natyrore. Njerëzit e parë duke vështruar qiellin, plot kuriozitet, e llogarisnin kohën me anë të Diellit dhe Hënës kur ende nuk ishin shpikur kalendarët. Përveç Hënës dhe Diellit, planetet që shikoheshin me sy të lirë ishin Venusi (Afërdita), Marsi dhe Jupiteri, të cilët janë më afër Tokës. Dhe me anë të vëzhgimeve të këtyre planetëve njerëzit e parë vunë re se këta trupa qiellorë ndikojnë fuqishëm në Tokë. Vetë Dielli, i pari, ka ndikimin kryesor, pasi pa Diellin nuk ka jetë, gjallëria do të ishte e pamundur. Bimët nuk do të rriteshin, akujt nuk do të shkrinin për të formuar ujin e jetës... Po ashtu dhe Hëna ndikon shumë në Tokë. Ajo, jo vetëm që na furnizon me dritën e pasqyruar prej Diellit për të ecur natën, por ndikon edhe në lumenjtë dhe detet: si baticat dhe zbaticat, peshkimi dhe ciklet e grave. Njësoj si Hëna, edhe Venusi kur kishte një shkëlqim të veçantë ushtronte ndikimin e tij duke i bërë njerëzit më të lumtur dhe të dukeshin më romantikë e të qetë. Ndërsa kur planeti i kuq, Marsi, (që dukej i egër dhe luftarak) ndriçonte më qiell, atëherë njerëzit parahistorikë vunë re se në Tokë mbizotëronte dhuna, lufta, gjaku (i kuq si Marsi) dhe egërsia. Pra kështu njerëzit e parë filluan të krijonin imazhe që lidheshin me astrologjinë parahistorike.
“Dokumenti” më i rëndësishëm i kohës antike, ( i ruajtur deri sot) është shkruar rreth 900 vjet para Krishtit në Mesopotami. Ai përbëhet nga 70 tableta, pllaka të shkruara (dërrase) dhe titullohet: “Enuma Anu Emil”. Nga Mesopotamia (Babilonia e lashtë), kjo astronomi-astrologji u përhap në Greqi pas pushtimit të Aleksandrit të Madh. Më vonë u përhap në të gjithë perandorinë greke të atëhershme, Indi, Egjipt, në Romën e lashtë si dhe në Persi, Kinë e Arabi. Gjithnjë duke u bërë më e strukturuar, më pak fetare dhe më shumë popullore. Ndarja e qiellit në 12 shenja zodiakale dhe horoskopët e parë të njohur datojnë në vitin 410 para Krishtit. Ku shenjat u ndanë me nga 30 gradë secila dhe kështu janë formuar tabelat planetare dhe është vendosur llogaritja hënore.
Astrologët babilonas ishin të parët që kanë dalluar planetet lëvizës dhe të cilët kanë dëshmuar ndikimin e planetëve mbi njerëzit. Më pas grekët dhe romakët e zhvilluan astrologjinë deri në pafundësi. Gjatë shekullit të XIII (13-të) astrologjia favorizohej nga vetë papa, princat apo sovranët e asaj kohe. Në Francë, Katerina De Mediçi e mbrojti dhe e nxiti astrologjinë, duke mbledhur rreth saj astrologë, ku ndër më të famshmit mbetet Nostradamusi. Në shkollën e mjekësisë në Bolonja, që ishte ndër me të famshmet në Europë, qarkullonte thënia: “Një mjek pa astrologji është si njeriu pa njërin sy”.
Astrologjia gjatë shekujve, ka kaluar periudha kulmore dhe rënieje. Ajo vjen në fuqi midis vitit 30 para Krishtit dhe 100 pas Krishtit... për të tejkaluar të gjitha besimet e tjera. Në shekullin e II dhe të V astrologët viheshin shpesh në krye të shoqërisë. Në 533, shpallej edhe dënim me vdekje për ata që ishin kundër matematicienëve (që në fakt ishin astrologët). Koha e artë e astrologjisë ishte nga viti 1450 deri në 1650. U botuan (publikuan) në këtë periudhë shumë libra dhe almanakë astrologjikë.
Në vitin 1666, meqë u krijua akademia e shkencave, astrologjia u përjashtua nga disiplinat e tjera, duke ndaluar kështu astrologët të praktikonin astrologjinë. Ishte Isak Njutoni ai që ndau përfundimisht astronominë me astrologjinë. Kjo ndodhi edhe për vetë faktin se astrologjia e ka bazën e saj nga pikëpamja gjeocetrike. Astrologjia u kthye në tabu dhe në vitin 1850, u konsiderua si një supersticion i së kaluarës. Astrologjia qëndroi në hije pothuajse gjatë dy shekujve, duke u ndaluar rreptësisht nga kisha (e cila e ndalon edhe sot). Në vitin 1896 Alan Leo themeloi revistën e parë shkencore të astrologjisë me titull: “Astrologjia moderne”. Në vitin 1936 u shfaq në Amerikë një revistë javore me horoskopin e 12 shenjave. Në vitin 1938 u krijua federata e astrologëve amerikanë. Ndërsa në Francë, më 1946, u themelua Qendra Ndërkombëtare e Astrologjisë. Që nga ajo kohë astrologjia vazhdon të zhvillohet dhe të pasurohet falë shumë kërkimeve dhe zbulimeve të reja në këtë fushë.
Pra, nga antikiteti deri në shekullin e XVIII, astrologjia konsiderohej si një shkencë dhe nuk bënte dallim me astronominë.