Deri më tani mendohej se flakët misterioze të diellit shkaktoheshin nga shkëlqimet diellore. Një teori e re hedh hipoteza për shkaqe të tjera.
Sipas një zbulimi të ri, ngjarjet e fuqishme sizmike në sipërfaqen e diellit mund të lidhen me nxjerrjen jashtë të grimcave të ngarkuara në atmosferën diellore. Shkencëtarët i kanë lidhur gjithmonë tërmetet diellore, me shpërthimet diellore, gjë që mund të lëshojnë në hapësirë flukse rrezesh X, ultravjollcë dhe lëndë. Më 15 shkurt të vitit 2011, shkencëtarët vunë re dy ngjarje sizmike dhe një shpërthim diellor pak a shumë në të njëjtën orë, por shpërthimi nuk ishte dhe aq i nxehtë sa të gjeneronte valë sizmike.
“Mendohet se nxehtësia dhe rrezatimet nga shpërthimet diellore lëshojnë një valë presioni mbi sipërfaqe, si bubullima që krijohet nga rrufeja. Mirëpo, ngjarja e 15 shkurtit nuk ishte e tillë”, thotë Sergei Zharkov astrofizikan në universitetin “College” të Londrës. Me sa duket “stuhitë diellore” të shkurtit të 2011-s u shkaktuan nga një derdhje e masës koronale, ose CME (“coronal mass ejection”) një re e madhe grimcash të ngarkuara që shpërtheu në atmosferën e sipërme të diellit.
“Është hera e parë që jemi dëshmitarë të një ngjarjeje të tillë sizmike diellore të shoqëruar me një CME”, thotë Zharkov. “Falë kësaj ndodhie u hodh poshtë teoria e shkëlqimeve diellore”.
Fuqia e “tërmeteve diellore”
Në vitin 1972 për herë të parë shkencëtarët hodhën hipotezën e ekzistencës së tërmeteve diellore, që të kujtojnë rrathët koncentrikë që krijohen nga hedhja e një guri në një pellg uji. Megjithatë, vetëm në vitin 1998 një grup studiuesish njoftoi për një ngjarje sizmike të ndodhur në diell, që u zbulua mes të dhënave të vitit 1996 nga sonda e NASA-s “Solar and Heliospheric Observatory”.
Tërmeti me magnitudë 11,3 kishte ndodhur pas një shkëlqimi diellor dhe ishte 40,000 herë më i fuqishëm se ai i San Franciskos i vitit 1906. Zharkov dhe grupi i tij i punës e cilësuan forcën e ngjarjeve sizmike të shkurtit të 2011-s si 1000 herë më të fuqishme se tërmeti i marsit i vitit të kaluar që ra në Japoni.
Vëzhgimet e reja të Zharkov dhe kolegëve të tij sugjerojnë se ngjarjet sizmike në sipërfaqen diellore mund të shkaktohen nga shumë forca të tjera të ndryshme, e jo vetëm nga presioni i krijuar nga shkëlqimet diellore siç mendohej më parë.
“Një nga mundësitë është se flakërimat e grimcave të derdhjes së masës koronale mund të ushtrojnë presion nga lart mbi atmosferën diellore, duke nxitur kështu tërmetet diellore”, thotë Zharkov. Një teori tjetër është se linjat e fushës manjetike të shtresuara mund të lëshojnë valë akustike që përhapen në atmosferën diellore, ndërprerjet e të cilave pas ndeshjes me sipërfaqen diellore sjellin ngjarje sizmike.
“Në këtë pikë është e qartë që nuk e kemi kuptuar ende mekanizmin e tërmeteve diellore. Kështu pra, proceset fizike që i shkaktojnë mbeten ende një mister”, shton Zharkov. Shkencëtarët e NASA-s zbuluan se me 14 qershor të 2010-s sistemi ynë diellor po kalon përmes një reje të energjisë ndëryjore. Kjo re energjike dhe e elektrizuar e gazit, pengon dhe ndërpret Diellin në lidhje me dobësimin dhe zhvendosjen e fushës magnetike të Tokës, kështu që bota po bëhet gjithnjë e më e pambrojtur ndaj shpërthimeve masive diellore dhe rrezatimit intensiv të tij.
“Të dhëna të mrekullueshme” nga Dielli
Për të zbuluar këto mistere, Zharkov ka nevojë që të shikojë ngjarje të tjera sizmike diellore dhe të mbledhë më shumë dhëna. Lajmi i mirë është se sot janë aktivë një numër i madh satelitësh për vëzhgimin e aktiviteteve diellore, shumë herë më efikasë se ata të mëparshmit. “Të thënat më të mrekullueshme vijnë nga sonda e NASA-s ‘Solar Dynamics Observatory’ e lëshuar në vitin 2010”, thotë Zharkov. Sipas studiuesit, do të jetë pikërisht ajo sondë që do të sigurojë pamjet më të mira të ngjarjeve sizmike diellore, që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.
“Këto tërmete diellore janë një pjesë e enigmës së shkëlqimeve dhe CME-së, që kanë ndikim të madh në klimën diellore, por gjithashtu mund të dëmtojnë satelitët artificialë dhe të shkaktojnë aurorat (krijimin e dritave veriore që njihen me këtë emër)”, shpjegon Zharkov.
Ëndrra e shkencëtarit është që të mund t’i përdorë tërmetet diellore për të “parë” brenda diellin, ashtu si sizmologët përdorin tërmetet për të matur thellësinë e planetit tonë. Tërmetet diellore përshkojnë brendësinë e diellit dhe mund të na informojnë se çfarë ndodh brenda yllit. Na duhen me doemos këto informacione për të kuptuar se çfarë ka nën sipërfaqen e diellit”, përfundon studiuesi.