Meqë ky debat është shtjelluar rreth shkrimit dhe rolit të tij në kulturë, në raport edhe me sistemet e tjera të shenjave, ndoshta është vendi për të sqaruar edhe mënyrën si është përftuar shkrimi historikisht.
Prejardhja ikonike e shkrimit
Martesa pothuajse e përsosur që ndeshet sot midis shkrimit dhe gjuhës së folur, në shumë gjuhë, duke përfshirë edhe shqipen, nuk i përgjigjet ndonjë gjendjeje ose prirjeje natyrale e të pashmangshme, por vetëm një konvergjence shekullore etapat e së cilës mund të ndiqen lehtë.
Në origjinë shkrimi nuk është veçse një gjurmë ose një modifikim i qëndrueshëm i materies, për të komunikuar diçka çfarëdo; me fjalë të tjera, i ngjashëm me atë që bën qeni, kur urinon në rrëza pemësh për të shenjuar territorin; ose i burgosuri që i numëron ditët në qeli duke gërvishtur viza në mur.
Shkrimet më të hershme, ose parahistorike, nuk i ndan dot me thikë nga paraqitjet piktoriale të sendeve, njerëzve dhe ngjarjeve; ato u përngjajnë për nga koncepti atyre tablove të pikturës në të cilat ngjarja rrëfehet duke u fiksuar në momentin kulmor.
Sisteme të tilla shenjash nuk kanë qenë dytësore ndaj gjuhës së folur, por vetëm alternative; përparësia e tyre ishte se i siguronin komunikimit atë qëndrueshmëri që ligjërimit gojor i mungon.
Prandaj shkrimi nuk e ka aq origjinën në përpjekjet për t’i dhënë gjuhës së folur një suport material më të qëndrueshëm se tingulli; sesa në pikturat shkëmbore, ornamentet e sendeve të përdorimit, magjinë dhe të tjera shenja pamore (ikona) të cilat u referohen objekteve duke u përpjekur t’i riprodhojnë vizualisht.
Edhe pse sistemet e sotme shkrimore kanë evoluar, përsëri mund të dallohen në to mbijetoja ikonike; madje edhe në shkrimet alfabetike, të cilat riprodhojnë nyjëtimin e dytë të ligjërimit – ose nivelin fonetik. Kjo shpjegohet me atë që alfabeti fenikas (grek) e ka prejardhjen, në analizë të fundit, nga hieroglifet egjiptiane, të cilat shpesh kishin bazë ikonike, ose paraqiteshin si vizatime të stilizuara objektesh konkrete.
Sot e kësaj dite, shkrimi hieroglifik i kinezçes nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me gjuhën e folur; dhe kjo është aq e vërtetë, sa përdoret nga gjuhë praktikisht të ndryshme mes tyre, të cilat i lexojnë hieroglifet në mënyra të ndryshme (p.sh. gjuha kineze ose mandarin dhe gjuha kantoneze).
Nga pikëpamja semiotike, por edhe e këndvështrimit të debatit tonë, është ironike që ne ia kundërvëmë sot shkrimit komunikimin vizual, edhe pse shkrimi jo vetëm ka origjinë piktoriale (ikonike), por edhe mbetet vizual sot e kësaj dite, pa çka se ikonicitetin shpesh e ka humbur.
Prandaj shkrimi, si sistem shenjash, nuk është aq derivat i gjuhës së folur siç duan të thonë disa antropologë dhe gjuhëtarë; sesa sistem shenjash i pavarur, nga pikëpamja historike dhe funksionale, që ka konverguar me gjuhën e folur në shumë prej kulturave të sotme.
Frigoriferi i kujtesës
Qëllimi i shkrimit është të ruajë kulturën duke e mbajtur të regjistruar në suport material; i afrohet ashtu gjuhës së folur, sikurse u afrohet ornamenteve, afreskeve dhe skulpturave. Në këtë kuptim, është njëlloj i baraslarguar nga muzika dhe nga arti vizual; dhe pikërisht ky tipar i jep vend qendror në kulturat.
Këtë koncept ma shembëllzon më së miri katedralja mesjetare, me narrativat biblike të pikturuara në afresket dhe vetratat dhe me muzikën korale e më pas instrumentale (organo etj.) që rimerr, shtjellon dhe pasqyron motive kristiane; e gjitha e organizuar në një strukturë të mbështetur në vetë arkitekturën e katedrales nga njëra anë, dhe të Biblës si libër i shkruar nga ana tjetër.
Nga ky këndvështrim, Interneti nuk është veçse katedralja e kulturës masive të ditëve tona, të konsumizmit, korporatizmit dhe të ekonomisë së tregut; meqë përdor të njëjtat sinkretizma, për të arritur të njëjtat efekte – kontrollin e mendjeve nëpërmjet (tej)ngopjes semiotike.
Paradoksalisht, elemente të shkrimit i gjen edhe brenda strukturave të ligjërimit të folur, sa herë që lind nevoja për të mbajtur mend, ose për të ruajtur, bie fjala, një poemë epike (narrative), e cila zgjatet me mijëra e mijëra vargje.
Këto poema, p.sh. “Iliada” ose “Cikli i Kreshnikëve” ose “Kalevala” ose “Gilgameshi” përmbajnë tipare të tilla si klishetë, formulat, anaforat dhe përsëritjet e tjera dhe në përgjithësi u binden skemave të tilla që të ndihmojnë rapsodin për t’i mbajtur mend kur i këndon; në kohët moderne, këto funksione do t’i përmbushë shkrimi.
Ashtu funksionojnë edhe proverbat, fjalët e urta, shprehjet “popullore”, e të tjera copëza urtësie të vyera e të meritueshme për t’u përcjellë folës pas folësi. Proverbi zakonisht paraqitet me një formulë hyrëse (introduktive): e thotë mirë fjala, nuk ka tym pa zjarr, dhe gjithnjë i referohet një instance ose okurrence të mëparshme, nga ku e merr edhe autoritetin. Njëfarësoj mund të thuhet se proverbi është i shkruar në ligjërim; çka lejon të ndriçohet më mirë jo vetëm si funksionon ky mekanizëm, por edhe vetë atributi i autoritetit që i bashkëlidhet zakonisht shkrimit.
Në lashtësi fjala e gdhendur në gur, e ekspozuar në një vend publik, mundësisht e shoqëruar me një post-skriptum të tillë si S.P.Q.R., e ushtronte autoritetin si të ishte zgjatim i vullnetit publik; sot diçka e ngjashme në funksion i ka mbetur ndoshta gazetës zyrtare…
Fjalën shqipe shkruaj Eqrem Çabej e nxjerr nga parashtesimi i kruaj; duke argumentuar se etimologjia latine nga scribo, scripsi, scriptum nuk qëndron nga pikëpamja fonetike. Nëse është kështu, atëherë edhe shqipja e ruan këtë konceptim të shkrimit si gërvishtje, gdhendje, ose skalitje e një mediumi të ngurtë – duke e mbështetur kështu përsëri analogjinë me artet pamore. Mbishkrimi në gur i jep fjalës peshë dhe qëndrueshmëri jo vetëm materiale, por edhe abstrakte; jo më kot ka mbijetuar si teknikë komunikimi sot e kësaj dite, që nga pllakat përkujtimore e deri te epigrafet në fasada të institucioneve.
Një vizitë disaditore në Romë do të mjaftonte për të rrokur rolin e mbishkrimit publik në kryeqytetin e perandorisë, si manifestim i autoritetit qytetar. Le të krahasohet kjo me mbishkrimet e lëna sot në Twitter ose në Facebook, për të kuptuar sa përpara kemi ecur.
Derisa u shpik riprodhimi mekanik i teksteve, shkrimi e ruante karakterin unik; një dorëshkrim është po aq i papërsëritshëm, për nga aspekti vizual, sa edhe një pikturë. Grafologët ende e studiojnë të shkruarit për të kuptuar tipare të personalitetit të shkruesit; firma ende përdoret si instrument unik autentikimi. Shkrimi me dorë e ruan vijueshmërinë midis proceseve cerebrale dhe majës së penës në letër; tastiera e makinës së shkrimit ose e kompjuterit e ndërpret.
Teknologjia e shtypshkrimit, që nga Gutenbergu deri te touch-typing mund të krahasohet, për nga efektet, me fotografinë; të dyja shkaktuan një të çarë të pariparueshme midis gjestit njerëzor dhe (ri)prodhimit të shenjës vizuale. Shkrimi sot e kësaj dite i ruan disa tipare të artit grafik; jo vetëm në konceptimin e shkronjave (typefaces), por edhe e sidomos në kaligrafinë, e cila krijon objekte të një bukurie sublime në shkrime të tilla si kinezçja ose arabishtja. Fotografia, nga ana e vet, ia hoqi pikturës peshën utilitare, duke e lënë të harliset në kotësi të kulluar, por edhe duke i hapur rrugë një arti të ri – kinemasë, dhe një mass mediumi të ri – televizionit.