ABC-ja e Kreshnikeve
A
- E njeh Zenelin?
- Jo, nuk e njoh!
- U bë për të vrarë. E do ta vras!
- Si e qysh?
- Dje më shkeli hijen!
- Hijen tënde?
- Timen! Ecja rrugës, në diell, kur më arriti Zeneli. Hija ime ishte aty poshtë. Ish e gjatë, sepse dielli perëndonte. E priste më dysh rrugën. Zeneli më dha tungjatjetën edhe ma shkeli hijen. Ç'të bëj?
- Vraje!
- E vrava.
- Aferim!
Pas pakëz, duke pirë duhan.
- Fëmijë ka Zeneli?
- Ka po janë të vegjël.
- Vraji!
- T'i vras?
- Vraji se do rriten. Më mirë tani sesa më vonë.
- Mirë thua; ke të drejtë. Do t'i vras! Do t'i shuaj! I ati më shkeli hijen. Kjo s'është pak!
B
- Dëgjove gjë?
- Jo.
- E vranë Todrin.
- Ku?
- Në mes të tregut.
- Kishte faj?
- Tani s'ka faj se është i vdekur, po atëherë kish.
- Si e qysh?
- Todri po shikonte një dru telefoni. Ish pak si i vrenjtur se s'kish me se të blinte bukë. Iu afrua një burrë me mustaqe, trim me fletë si çdo burrë me mustaqe, edhe i tha: - Bre qen!
- E njihte burri me mustaqe Todrin?
- Jo nuk e njihte. Por e vërteta: burri me mustaqe kish të drejtë. Bre qen! - i tha trimi me mustaqe: Bile i tha: Bre qen i qenit! Pse vështron me inat drunë e telefonit?
- Më fal, se të pres fjalën: druri i telefonit mos ish i trimit me mustaqe?
- Jo. Druri mund të ish i kujt të ish. A mund të mos ish asfare, mall pa zot si është malli i shtetit. Po sidoqoftë Todri e vështronte me inat drunë e telefonit.
- Ndofta sepse kish barkun bosh...
- Punë e tij. Bre qen, tha trimi, bre qen i qenit! Pse, bre, vështron me inat drunë e telefonit? Todri desh t'i përgjigjet, po trimi nuk e la: nxori koburen edhe e vrau. - Na, i tha, të të mësoj unë të shikosh me inat drunë e telefonit!
Kish të drejtë trimi.
- Doemos, se po të mos kish nuk e vriste.
C
- S'po e shoh prej disa ditësh Zefin.
- As e ke për të parë, Zefin e vranë.
- Pse? Kush?
- Fajin e kish Zefi.
- Fol!
- Nipi i të kunatit të vëllait të Zefit...
- Nuk mora vesh. Edhe një herë, të lutem.
- A ka një vëlla Zefi?
- Ka.
- Edhe ky a ka një kunat?
- Ka.
- Edhe kunati a ka një nip?
- Ka.
- Pra, nipi i të kunatit të vëllait të Zefit kish rënë në gjak me një shtëpi kreshnike kombëtare.
- Vetë nipi?
- Jo, shtëpia. Punë e vjetër, gjysh-stërgjysh, po ti e di se gjaku s'falet.
- Jo! Po të falet, humb burrnia, ndera e trimnia.
Po, pra... E meqë shtëpia e të nipit të kunatit të vëllait të Zefit ish në gjak, erdhën edhe e vranë Zefin, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, (ndjesë pastë!).
- Në e vranë sipas Kanunit, bënë mirë. Iu rrittë ndera e trimnia e burrnia hasmit të shtëpisë të të nipit të kunatit të vëllait të Zefit. Më vjen keq për Zefin, se ish njeri me kulturë - pesë vjet në Torino, poet e shkrimtar... - po në qenka punë gjaku, shumë mirë që u vra! Duhet ruajtur ndera, trimnia e besnia e kreshnikia e fisit të racës arbënore. Duhet ruajtur përgjithmonë Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!) sidomos për punë ndere, trimnie, kreshnikie, besnikie. Pse ndryshe kombi i racës kombëtare ilire edhe pellazge kreshnike arbënore asht në rrezik me hupë. Dhe që të ketë qetësi të plotë Shkëlqesia e Tij Lekë Dukagjini që na la Kanunin, duhet medoemos t'i digjet shtëpia Zefit edhe t'i priten drurët e kopshtit kombëtar.
- Eja të pimë nga dy-tri gota për shëndet të Lekë Dukagjinit (i rrofshin çunat!) e për nderën, trimninë, besnikinë e kreshnikinë mijëvjeçare që na nderon truallin tonë kombëtar e fisnik.
- Eja të pimë po koburet t'ia dorëzojmë një miku, se kam frikë mos të shkel hijen, o mos shoh me inat ndonjë dru telefoni...
Ç
- Ore, thonë se ti e vrave Selmanë...
- Unë, jo!
- Po kush?
- Dyfeku im!
- Ky që ke në krahë?
- Ja, ky! Pse s'ta mbush synë?!
- Si jo. Dyfek të këtillë s'kam parë as në Turqi.
- E ke mirë. Dyfek si të turkut s'ka në botë, se turku i punon me merak. Po ky imi është veç botës. Pandeha se s'të pëlqen...
- Si u bë puna e Selmanit?
- I qe shkrojtur ta vras unë, nga e shkrojtura nuk shpëton dot.
- E ke hak. Që kur e polli e ëma, iu shkrojt në qitap: këtë çun do ta vras Ymeri me një dyfek turku. Po aman më thuaj si erdhi puna që e vrave?
- Me një të shtënë e lashë thes. Erdhën edhe e ngritën në tabut.
- Ti ku ishe?
- Prapa ferrës.
- Ai?
- Shkonte rrugës.
- Bukuri! Si trimat e vrave. Edhe ai bëri mirë që ra si thes. Të lumtë dora ty edhe dyfekut i lumtë çarku!
Ymeri qeshi se iu kujtua thesi. Selmani ra menjëherë si një thes me misër pa pasur kohë t'i thotë: faleminderit se më vrave - si e do burrnia, kreshnikia e besa shqiptare. Po Ymeri zemërgjerë e shpirtluan, ia fali këtë të metë.
- Shkaku i vrasjes?
Fajtor ka qenë Selmani! Sepse Selmani ka një nip nga ana e mbesës. Nipi i mbesës së Selmanit ka një qen edhe ky qen qopek i ka lehur një herë mikut të të nipit të së mbesës së Ymerit. Miku iu qa të nipt, nipi iu qa mbesës, mbesa iu qa Ymerit edhe Ymeri mori dyfekun dhe e vrau Selmanë...
D
Rrinte Suli me Sulën në hijen e një lisi kombëtar edhe përkëdhelnin dyfeqet kreshnike me nga një leckë vaj. Këtë e bënin për të kaluar kohën e për të shprehur dashurinë kreshnike për armët kreshnike.
Dhe që të dy, si trima kombëtarë, e kishin ngjeshur mesin me kollanë e gjoksin me rripa. Kollanët ishin mbushur me paketa fishekë edhe varur kishin bomba të kuqe.
Të tjerë fishekë e bomba kombëtare kishin nëpër xhepat kreshnikë.
I foli Sula Sulës:
- Ore, ti e ke të papërdorur dyfekun e as që di në shpon.
- Kam zbrazur njëzet paketa. Qe kalamidhet!
- Ke zbrazur në bosh, jo në plot...
- Qysh në bosh? I kam rënë një zogu majë një lisi edhe e kam rrëzuar, i kam rënë një lepuri, i kam rënë një thiu të egër...
- Të thashë se ti ke zbrazur bosh, më havadan. Ti s'hyn në rradhën e burrave. Hajt!
- ...
- Ore, a ke zbrazur më njeri? Se atëhere i thonë plot. Je goxha burrë, e s'ke vrarë njeri! Jo, njeri kurrë! Kur të më bjerë hasmi në pusi, do t'ia shkrep.
- Prit gomar të mbijë bar!
Fluturoi një zog kombëtar nga lisi kombëtar edhe hija e tij kreshnike shqiti për një grimë në truallin e fisit arbënor, ku ujku nuk e ha ujkun, po arbri e ha arbrin, si urdhëron Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!).
I foli Sula Sulit:
- Po ti sa herë e ke përdorur pushkën?
- Dy! Një herë i rashë Zeqos edhe e lashë kapicë, në lëmë. Gjysmë herë kur plagosa Zyferë e gjysmë herë Stavron. Këto të dyja bëjnë një. E një e para: dy!
U duk larg një si pikë e zezë që lëvizte në rrugë. I foli Sula Sulës:
- Ja, shikon tutje, po vjen një njeri! Bjeri!
- S'di cili është...
- Çudi e madhe! As ai nuk di cili je ti. Atij i qënka shkrojtur t'i biesh ti me dyfek të ri. I erdh exheli. Apo s'ta mban?
- I bie po mos merret vesh...
- S'ka si merret vesh. Unë s'rrëfej!
- Me besa-besë?
- Me besa-besë e për kokën e dyfekut.
- Atëherë t'i bie?
- Bjeri! Në këtë kohë pika që lëvizte në rrugë ish madhuar se e shtynte exheli drejt pushkës kreshnike kombëtare.
Sula ish i përulur prej Sulit se kish shtënë vetëm bosh. Turp i madh për një trim kombëtar e për një pushkë kreshnike të lyer me vaj!
U shtri barkazi në mezhdë, i fjeti synë pushkës edhe i hoqi këmbëzën.
Edhe pika lëvizëse nuk lëvizi më...
Edhe Sula puthi çarkun e dyfekut kreshnik për provën e naltë...
... Qanë e vajtuan në shtëpi. Shkulën flokët nëna e motrat e të vrarit. U kanos vëllai të marrë gjakun nga hasmi i vjetër i shtëpisë, po puna është se pushka kreshnike e Sulës nuk mbeti në turp kombëtar.
Edhe Suli e mbajti fjalën e nuk e tradhtoi Sulën...
DH
Vasili me Veselin ishin shokë. Shokë që në vogëli - ngrohur më një diell, lagur më një ujë. Pastaj erdh puna që Veseli vrau Vasilin edhe Vasili vrau Veselin. Që të dy ia dhanë flakë më flakë, si trima të ndjerë që na nderojnë vendin e kombin kombëtar kreshnik.
Puna rrodhi kësilloj:
Vasili me Veselin rrinin në një hije edhe bisedonin. Aty pranë ish lumi. Pranë lumit një plep. Vasili tha: - Hajde plep, hajde, që të mbolli dora e Krishtit!
Veseli tha:
- E keq, or mik, e mbolli dora e Muhametit!
- E Krishtit!
- E Muhametit!
E filluan si me të qeshur po doli e ngjeshur se sikush gojën e kish të tijën edhe me bukë e ushqente. Po përveç gojës, kishin edhe kobure në brez, si çdo shqiptar i vërtetë.
- Plepin e mbolli Krishti!
- Plepin e mbolli Muhameti!
Pak-pak! koburet kreshnike, flakë më flakë!
E që të dy u vranë!
Njëri për plepin e Krishtit, tjetri për plepin e Muhametit...
E
Selmani vrau Selmanin; Stefani vrau Stefanin; Hasani vrau Kristanin; Mestani vrau Vasilin...
Puna rrodhi kësilloj:
Rrinin që të gjithë edhe vështronin malet e larguar.
I pari i tha të dytit (Selmani Selmanit):
- Mali që përtej është më i lartë se ai tjetri.
- Jo, e ke jangëllësh. Ai tjetri është më i lartë nga ai që përtej.
- Jo, ti e ke keq!
- Jo unë, po ti! Hynë në valle edhe të tjerë: dy Stefanë, një Hasan, një Mestan, një Kristan, një Vasil, një Halil...
Si trima që ishin, e bënë fora edhe u vranë trimërisht në shesh të burrave. U ngritën pastaj edhe farefisi edhe i dogjën shtëpinë njëri-tjetrit.
Dhe malet mbetën si ishin: male...
-------------------------------------------------------------------
Po vdes në dhe të huaj
Elegji
Po të vdes në dhe të huaj
-Shortë mërgimtari –
Të ma bëni varrin tim
Ku do bje së pari.
Pa një grusht nga toka jonë,
-Balt’ nga balt’ e vetë –
Të ma sillni e ta vini
Drejt në zemr’ e shkretë
Se kjo balt’ e Vendit tonë
Mallet do m’i shuaj,
S’do më duket fort i rëndë
Moj, ky dheu i huaj.
E të vini të m’i thoni
Asaj Nënës sime:
Zi mos qajë, zi mos mbajë
Po asnjë thërrime.
Se m’ i lumtur jam i fjetur
Se sa i mërguar
Mot pas moti arratije, -
Zemër copëtuar…
Pa fytyr’ e saj tretur
-Që e kam ikone, -
Lart mbi varr do më qëndrojë
Sot e gjithëmonë…
---------------------------------------
Sulmi
Ti bëre azape - s'u tremba,
ti ngrite kufire me gjemba,
fortesa ti ngrite;
t'i shemba!
Tani,
tani,
atje ku ti,
o Mal i Zi,
ngrite kufi
që ndanin
e çanin
vëllazëri;
Hej!
Sot!
Shkon
e valon
parmenda!
T'i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjurma t'u zhduk
si në ujë.
I bie arë mes për mes
e gjer në brez,
e përmbi brez,
humbas
me gaz
në grurin tim,
të dheut tim,
të babës tim,
të birit tim;
sot e përjetë,
jetë pas jetë!
Dhe ndie qysh flet,
me zë të qetë,
im atë vetë
nga balta poshtë:
"Ta mbroni dhenë
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë
e pluhur jam.
Ta mbroni dhenë
që e ushqej
dhe sot si dje,
me kurmin tim.
Ta mbroni dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni!
Të derdhni gjakun
me grushte plot -
po kurrë lotë,
as sot, as mot!
Se loti është robëri,
gjaku - liri!"
---------------------------------------------------
Ylli i karvanit
Doli ylli i karvanit
-lart mbi një botë një qiri-
E vështroi i jetimuar
Nga zëndani im i zi.
Pas një rreze që më hodhi
Lashë hadhin e po ik-
Ah, më falni, jam i mjerë
Pra po ik nga vendi i lik.
Po më doli para reja
Ma preu rrugën e karvanit...
S’kam ç’të bëj, do kthehem prapë,
Brenda ferrit të zëndanit.
Dhe do pres të dalë rishtas
Në mos sonte, tjetër herë,
Që të sulem si i çmendur
Nëpër qiej, nëpër erë.
Kush e di...do të gjej udhës,
Ndër ethire nj’yll me bisht-
Do t’i lutem të shpjerë
Lart e lart në Zoti Krisht.
Do t’i falem, përgjërohem,
Të më bëjë hi e baltë
Të më shkelin gjith të mirët
Pranë fronit tij të lartë.
Oh, për hir të Gollothasë
Dhe të brinjësë së shpuar
Prit, o Zot edhe dëgjoji
Gjithë tmerret që kam vuar.
Por në s’do as Zoti i jetës-
Sëkam ç’të bëj i mjeri unë
E le qiellin, zbres te ylli,
Doemos, me të përdhunë.
Pa kur ylli do kalojë
Zotëronjës, sipër detit,
Do të shëmbem tatëpjetë,
Shpirtin do t’ja jap lanetit.
Veç në dhe mos kthehm prapë,
Ku ka hekura, zinxhira
Orë e çast ta ndjekin hapin
Errësira...Egërsira...
Ah, më fal, o ti këndonjës
Se me fjal’ të turbulloj.
Jam në terr e jam i mjerë
S’di ç’të bëj, pra ëndërroj
Baltes shqiptare
Të dua, baltë shqiptare!
të dua
egërisht,
dëshpërimisht -
si ujku pyllin,
si vala valën,
si balta baltën!
Se gjer mbi gju
jam brenda teje;
se lerë kam këtu
si ati,
gjyshi,
stërgjyshi.
Të dua, baltë shqiptare
se gjer mbi bel
dhe përmbi bel.
Sime shoqe
Kaq afër jemi, por kaqë larg
Të lutem mos më prit-
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.
Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shëmb
Me dhunë e me përdhunë?
Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar.
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.
Se unë pres, përças po pres
Një udhë fort të gjatë
Dhe një të martë, në mëngjes,
Do hidhem nëpër natë.
Nëpër një natë që s’ka mbarim
Po qetësi për jetë:
Pushim...harrim...pushim...pushim...
Në prehjen e vërtetë
--------------------------------------------------
Qendrimi
Se jam këtu kur s'kish njeri,
kur s'kish kufi
as fqinjëri,
as shqa të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri;
kur nga një det në tjetrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem
- dem baba dem -
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri.
Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që në vegjëli.
Jam si më sheh
e si më njeh;
kësulëbardhë e kryelidhur,
kryelidhur me një shami;
me tri shami
për trimëri!
Jam eshtërmadh,
i vrazhdë jam,
e bojalli -
dhe sytë e mi
janë plotë shkëndi
si batërdi.
Dhe kam uri
si s'ka njeri -
për drejtësi
e për liri.
Si të gjithë asimët
e të gjithë qerimët
e vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që në vegjëli;
se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët
edhe gllavnikët.
Ma vranë
se urdhër dha vojvodi
e krali vetë:
"Të vritet!"
Se ish kosovar
dhe se ish zot
mbi këtë dhe!
Dhe tokën që kisha nga baba
nga gjyshi
rrënjë pas rrënjë -
prej qindra vjet,
prej mijëra vjet,
ma morën.
Ah!
Ma morën vatanin
që e desha si xhanin!
Ma morën,
me armë në duar,
me gjak nëpër duar.
Agrarët!
Xhandarët!
Tyxharët!
Të gjithë tok
u bënë shok;
si sorrat
për kërrmë.
Oborin ma morën
gjer në shtëpi
dhe ngrenë për vete shtëpi
në sytë e mi!
Dhe unë,
ja, unë,
që isha zot
që qëmot,
mbeta pa dhé,
bujk pa dhé,
bari pa kopé -
këtu
në dheun tim.
Dhe plori m'u ndryshk,
hambari m'u myshk...
Po shpresa s'mu vyshk