Kur kafshët i përdorin si armë lufte
Nga qentë antitank, tek strategjia e pelave. Nga lakuriqi-bombë, deri tek majmunët në luftë. Kafshët i kanë shoqëruar gjithnjë burrat në luftë. Ato kanë mbajtur mbi shpinë ushtarët tanë dhe tërhequr topat. Nëse ju mendoni se kaq është e gjitha, atëherë lexoni historitë e disa prej përdorimeve më të çmendura të kafshëve në fushën e betejës
1.Qentë anti-tank
Ky është një nga shembujt më të këqij të brutalitetit të luftës. Qentë anti-tank, u përdorën për herë të parë nga Bashkimi Sovjetik, për të goditur tanket gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ideja ishte e thjeshtë por efektive. Qentë u trajnuan për të gjetur ushqim nën tanke, dhe pastaj liheshin për disa ditë pa ngrënë para betejës. Ata lëshoheshin më pas në betejë, duke u hedhur nën tanke me shpresën për të gjetur ushqim.
Çdo njëri prej qenve, ngarkohej me një ngarkesë eksplozive prej 10-12 kg, e cila kishte një levë që e shpërthente bombën kur qeni futej nën tank. Sipas burimeve sovjetike, rezultatet ishte mjaft mbresëlënëse. Qentë anti-tank, arritën të shkatërrojnë rreth 300 tanke gjermane.
Por kjo metodë kishte gjithashtu të metat e saj. Një nga problemet më serioze, ishte se qentë kishin shpesh frikë nga të shtënat e armëve dhe ktheheshin prapa në llogore, duke vrarë ushtarët sovjetikë.
Për të shmangur këtë gjë, ushtarët sovjetikë u urdhëruan që të qëllonin menjëherë, çdo qen që kthehej mbrapsht. Gjithësesi, sovjetikët hoqën dorë nga përdorimin e qenve anti-tank në vitin 1942. Edhe SHBA-ja e ka përdorur këtë strategji kundër fortifikimeve armike.
2. Lakuriqi-bombë
Lakuriqi-bombë, mund të tingëllojë si subjekti i ndonjë një romani fantashkencor, por fakt është se lakuriqët e natës transportuan bomba gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ideja e çuditshme ishte e Lytle Adams, një dentist nga Pensilvania, që në jetë kishte shumë më tepër interesa sesa thjesht dhëmbët e njerëzve.
Pasi pa lajmin e sulmit japonez mbi “Pearl Harbor”, Adams doli me një strategji të pazakontë kundër kombit ishullor. Ai projektoi përdorimin e lakuriqëve, për të bombarduar qytetet japoneze.
Çuditërisht, ideja e tij u vlerësua shumë, pasi shumica e shtëpive japoneze ishte e përbërë nga materiale të ndezshme, si druri dhe letra, ndaj dhe metoda e Adamsit kishte të ngjarë të shkaktonte kaos, pa patur shumë humbje në rradhët e trupave amerikane.
Gjithashtu, lakuriqët e natës ishin mjaft të përshtatshëm për projektin, përderisa ata mund të mbanin ngarkesa të barabarta me peshën e tyre trupore. Plani ishte të kapeshin sa më shumë syresh, dhe të vëndoseshin në kontejnerë të ftohtë, ku ata do të shplodheshin.
Më pas bomba të vogla do të montoheshin në kurrizin e lakuriqëve. Kontejnerët u hodhën nga lartësi të larta. Në hapësirë ata u hapën duke lëshuar mijëra lakuriqë njëkohësisht.
Gjatë ditës, ata do të strehohedhin në vende të errëta, ndërsa shumica prej tyre do të vendoseshin në strehët e shtëpive. Bombat do të aktivizoheshin nga një orë me zile, duke djegur tërësisht ndërtesat japoneze.
Ushtria amerikane e testoi teorinë e Adamsit, duke shpenzuar afro 2 milionë dollarë për projektin. Por pas vetëm 1 viti testimesh, ideja u hodh poshtë, pasi besohej se ishte më i rëndësishëm përqëndrimi tek një armë shumë më efektive:bomba atomike.
3. Shpërqëndrimi nga pela
Një nga strategjitë më efektive të luftës është shpërqëndrimi i vëmendjes së armikut nga veprimet luftarake. Kjo strategji është përdorur për shekuj me radhë, por një njeri në botën e lashtë, kreu një hop cilësor.
Mbreti Tutmesi III, ishte një nga Faraonët më të mëdhenj të Egjiptit të lashtë. Ai e udhëhoqi ushtrinë e tij në beteja të panumërta, dhe ndërtoi perandorinë më të madhe egjiptiane.
Mbreti i Kadeshit, një dinasti që ishte vendosur në Sirinë e sotme, kishte frikë se mos e humbiste mbretërinë e tij për shkak të Tutmesit. Ndaj, ai kishte nevojë jetike të gjente një pikë të dobët tek ushtria e Faraonit, në mënyrë që të shpëtonte fronin e tij. Dhe ajo që ai kërkonte u gjet.
Mbreti i Kadeshit, zbuloi një lëvizje të pazakontë dhe po aq inteligjente. Ai e dinte se Tutmesi lëvizte mbi një qerre, të tërhequr nga disa kuaj hamshorë. Këtu e gjeti ai pikën e dobët. Pikërisht në kulmin e betejës, Mbreti Kadesh vendosi një pelë në fazën e ndërzimit, si një mjet shpërqëndrimi.
Të dhënat e lashta, tregojnë se ideja funksionoi mjaft mirë, duke shkaktuar një shturrje totale në rradhët e armikut. Ky veprim u bë mjaft i njohur dhe u përdor gjerësisht në atë kohë.
4. Minjtë-bomba
Në vitin 1941, Britania ishte thuajse e pashpresë në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Ajo duhej të bënte diçka, për të mbajtur gjallë shanset e saj për të fituar ndaj gjermanëve. Britanikët ishin duke kërkuar për diçka, që të mund të zpraste gjermanët dhe kështu erdhën tek ideja e përdorimit të miut-bombë. Por çfarë ishte në fakt kjo shpikje?
E pra, kjo është një pyetje e lehtë. Bombat nuk ishin gjë tjetër, veçse minj të ngordhur të mbushur me eksplozivë. Britanikët shpresonin, se në rast se bombat e tyre me minj mund të arrinin linjat gjermane të furnizimit me qymyr, ata do të mund t’i fusnin ato në kaldaja së bashku me qymyrin, duke i shpërthyer nga të nxehtit. Ishte llogarritur, se bomba mund t’i shkaktonte dëme të mëdha infrastrukturës gjermane. Për fatin e keq të britanikëve, gjermanët e zbuluan shpejt këtë plan, ndaj dhe ai u anulua.
5. Macet-bomba
Para gjithë sistemeve të sofistikuara udhëzuese, amerikanët dolën me zgjidhjen më të çmendur, për të drejtuar raketat e tyre në shënjestër. Macet kanë një neveri natyrore ndaj lagies me ujë. Prandaj, një strateg ushtarak amerikan arriti në përfundimin se në qoftë se një maceje do t’i bashkëngjitej një bombë dhe do të hidhej në afërsi të një anije armike, instinktivisht ajo për t’iu shmangur ujit do të drejtohet së bashku me bombën drejt mjetit më të afërt lundrues.
Edhe pse tepër e çuditshme, e ashtuquajtura zgjidhje “gjeniale” në të vërtetë nuk e shpjegoi kurrë, sesi një krijesë aq e vogël si macja mund të bartë drejt objektivit një bombë të madhe. Ka pasur ndërkaq edhe shumë variante të tjera të përafërta, shumica e të cilave mbetën pa përgjigje, dhe kjo është ndoshta arsyeja pse plani nuk kaloi në tryezën e planifikimit.
6. Majmunët në luftë
Majmunët kanë patur përherë vendin e tyre të veçantë në beteja, për shkak të inteligjencës së tyre të pazakontë. Nuk është çudi, që ata janë përdorur në luftëra për një kohë shumë të gjatë. Përdorimi i parë i njohur i majmunëve në luftë, ka ndodhur në Kinën e lashtë. Në një betejë mes forcave jugore Song dhe një ushtrie të Janzhusë, majmunët u përdorën si mjete të gjalla ndezëse. Ata ishin veshur me kashtë, zhytur në vaj dhe iu vihej zjarri. Krijesat e kapura nga paniku liroheshin pastaj në kampin e armikut, duke shkaktuar zjarre në tenda.