“Selfie” vetëvrasës i një çifti në Portugali
Një çift të martuarish ka gjetur vdekjen pasi ra nga një shkëmb në Portugali teksa po bënte një foto ‘selfie’, ose thënë ndryshe po fotografonte veten.
Trupat e tyre u gjetën me vonesë. Për shkak të motit të keq ata ishin tërhequr nga rryma të forta detare të oqeanit Atlantik. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur në Kabo de Roka, një destinacion turistik shumë popullor.
Ndërkaq, autoritetet portugeze thanë se çifti kishte dy fëmijë, 5 dhe 6 vjeç, të cilët për fat të keq kanë mbetur jetimë pas ngjarjes tragjike.
Por kjo nuk është hera e parë që një fotografi e thjeshte ‘selfie’ merr jetë njerëzish. Javën e kaluar një 26-vjeçar në Meksikë, teksa po fotografonte veten në një pozë me armë në dorë, e shkrepi atë aksidentalisht dhe humbi jetën.
Sipas një studimi ndërkombëtar, sindroma ‘Selfie’ është kthyer në një proces psikologjik që shkon përtej një pozimi të thjeshtë.
Sipas gazetës “Daily Mail”, në Britani numërohen raste të njerëzve të cilët bëjnë seancë trajtimi me psikolog për kurimin nga mania ‘selfie’.
/ Top Channel