Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg fitoi 3.3 miliardë dollarë me shitjen e aksioneve në vitin 2013, tregon një llogaritje e fundit.
Zuckerberg ka përfunduar kështu operacionet e shitjes të stoqeve si rezultat i ofertës publike të Facebook. Ai ofroi 60 milionë aksione për të siguruar ndihmën në shlyerjen e taksave.
Rroga e tij bazë për vitin 2013 ra në 1 dollar, njësoj sikurse ndodhi me liderët e tjerë të gjigandëve të teknologjisë, si Larry Page nga Google dhe Steve Jobs nga Apple.
Megjithatë, kompensimi i tij total për të gjithë vitin ishte 653 mijë e 165 dollarë, më poshtë se 1.99 milionë që ishte në vitin 2012.
Facebook deklaroi se shumica e këtyre të ardhurave shërben për të paguar fluturimet e stafit të tij në avionë privatë, që konsiderohen si jetikë për arsye sigurie.
Zoti Zuckerberg ende zotëron 426.3 milionë aksione të rrjetit social, që vlejnë rreth 25.7 miliardë dollarë. Aksionet e Facebook janë më shumë se dyfishuar në vlerë gjatë vitit të kaluar, duke kaluar parashikimet.
/ Top Channel