Zyrtare: FIFA ia lejon miqësoret Kosovës
Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ka konfirmuar se klubet dhe përfaqësuesja e Kosovës mund të zhvillojë ndeshje pa marrë leje nga Serbia.
Sipas nenit 83 të statutit të FIFA-s, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ka të drejtë të autorizojë anëtarët e FIFA-s që të luajnë ndeshje kundër shteteve jo-anëtare, në këtë rast Federatës së Futbollit të Kosovës.
Pas shumë takimeve që janë zhvilluar në vitin 2012, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, sot me datën 13 janar 2013, ka konfirmuar një sërë modalitetesh për ndeshjet miqësore që i përfshijnë klubet dhe kombëtaren e Kosovës.
Ky propozim iu dërgua Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s gjatë takimit të kryetarit të Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomislav Karadzic, dhe kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrrit, i cili u mbajt në zyret qendrore të FIFA-s me 10 janar 2014, e që u udhëhoq nga presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, transmeton Telegrafi.
Modalitetet përcjellëse të ndeshjeve miqësore që i përfshijnë klubet dhe kombëtaren e Kosovës janë pranuar dhe hyjnë në forcë menjëherë:
- Anëtaret e FIFA-s janë të lejuara që të luajnë ndeshje miqësore me klubet dhe kombëtaren e Kosovës.
- Klubet dhe kombëtarja e Kosovës nuk kanë të drejtë të shfaqin simbolet kombëtare (flamujt, emblemën, etj) e as ta lëshojnë himnin kombëtar. Sidoqoftë, ato kanë të drejtë të veshin apo të shfaqin paisjet me mbishkrimin ‘Kosovo’, si dhe simbolin e një ylli të madhësisë së shkronjës ‘o’ në kuadër te emrit ‘Kosovo’.
- Klubet dhe kombëtarja e Kosovës nuk mund të luajnë ndeshje kundër klubeve apo kombëtareve të shteteve të ish-Jugosllavisë deri në njoftimin e ardhshëm.
- Ndeshjet miqësore ndërkombëtare që përfshijnë klubet dhe kombëtaren e Kosovës mund të luhen në territorin e Kosovës, por me kusht që FIFA të njoftohet 21 ditë para secilës ndeshje. Më pastaj, FIFA vetëm do ta informojë Federatën e Futbollit të Serbisë.
- Çdo shkelje e kësaj marrëveshjeje do t’i referohet FIFA-s dhe marrëveshja do të përfundojë menjëherë.
“Vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s përfaqëson një shtytje të madhe për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe kjo gjë përsëri dëshmon fuqinë e jashtëzakonshme të sportit për t’i bashkuar njerëzit”, ka thënë presidenti i FIFA-s, Blatter.