Vidhte paswordet e facebook, pranga për hackerin nga Elbasani
Tiranë, 11 dhjetor 2013, NOA.al-Një student nga Elbasani ka rënë në prangat e policisë, nën akuzën e krimit kompjuterik dhe vendosjes së gjobave. Dorjan Bajraktari, student i vitit të dytë në Fakultetin e Shkencave Humane “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan kishte kohë që kryente aktivitetin e tij kriminal si hacker. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se sektori për Krimin Kompjuterik ka finalizuar sot operacionin policor “VIRUSI” në ndjekje të këtij personi. Studenti Dorjan Bajraktari akuzohet se në mënyrë të përsëritur ka përdorur teknika të posaçme kompjuterike, duke thyer masat e sigurisë së profileve apo llogarive elektronike të shtetasve të ndryshëm në rrjetet sociale. Pasi u merrte kontrollin adresave të tyre ai i shtrëngonte më anë të kanosjes, duke u marrë shuma të ndryshme parash. Në cilësinë e provës materiale nga strukturat e policisë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe mjetet me të cilat dyshohet se është kryer kjo veprimtari e paligjshme, një aparat telefonik celular, kompjuter laptop dhe desktop, 11 CD dhe iPod. Bajrajtari akuzohet për kryerjen e veprave penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, parashikuar nga nenet 109/b dhe 293/b të Kodit Penal. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi iu kaluan Prokurorisë pёr Krime të Rënda për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme.