Qeni i parë që ngjit Everestin
Nga varfëria e lagjeve me baraka të Indisë në çatinë e botës. Është historia e Rupee, që me siguri është qeni i parë në botë që arrin kampin bazë të Everestit, në kuotën 5.364 metra. Kanë kaluar vetëm pak javë që kur qenushi u shpëtua nga një grumbull plehrash deri në ditën që ka ngjitur malin legjendar.
“Sipërmarrja e tij duhet të bindë njerëzit që të jenë më shumë në favor të kafshëve”, ka thënë për agjencinë e lajmeve “AFP”, padronia e kafshës, Joanne Lefson, ish-lojtare golfi.
Kur u gjet, Rupee ishte në fund të jetës, tregon Lefson. I braktisur pas lindjes, ai endej mes plehrave në qytetin malor të Lehut, në Indi. Ishte katandisur kockë e lëkurë dhe i mungonte një pjesë e veshit të djathtë.
“Nuk hante e nuk pinte prej ditësh dhe nuk mund ta lija aty, në fatin e tij mizor”, vijon gruaja, që e adoptoi këlyshin 11-muajsh.
Ajo e mori atë dhe e ushqeu me një dietë vegjetariane të pasur me proteina, vezë dhe oriz të zier dhe pas një konsulte me veterinerin e bëri të përjetonte aventurën më të madhe: lartësitë e akullta të Himalajeve.