Është e vërtetë që ne kemi nisur një rrugëtim drejt lumturisë, por shpeshherë ky rrugëtim ndërpritet për shkak të fatkeqësive, barrierave dhe vështirësive të shumta. Këto bëjnë që njerëzit të ndihen të braktisur, të trishtuar dhe të vuajtur, larg çdo elementi lumturie dhe gëzimi. Prandaj, këtë temë unë ua dedikoj të gjithë hallexhinjve, njerëzve në vështirësi dhe me fatkeqësi. Këtë temë ua dedikoj të gjithë atyre që e dëshirojnë suksesin, por nuk dinë.
Ka njerëz të cilët janë të mërzitur dhe e dinë shkakun, ndërkohë që ka shumë njerëz të tjerë, sidomos të rinj dhe të reja, të cilët nuk e dinë shkakun.
Me të drejtë, dikush mund të shtrojë pyetjen: “Si mund ta kuptoj nëse jam i mërzitur, i pikëlluar dhe i trishtuar?”
Një gjendje e tillë ka disa shenja dhe sindroma. Shenjat fillojnë që nga çasti kur zgjohesh nga gjumi në mëngjes, akoma pa u ngritur nga shtrati. Kur je i mërzitur, ndihesh i tensionuar, i ngrysur, nuk dëshiron të ngrihesh, herë ngrihesh dhe herë shtrihesh sërish, ndjen sikur të shtrëngon diçka në kraharor. Kur bën telefonatën e parë në mëngjes, ke zë të ngjirur dhe të trashë e nuk buzëqesh. Kur takohesh me njerëz, mezi u flet, përdor përgjigje të shkurtra, u rrëfen hallet dhe problemet e tua. Kur shkon në shtrat në darkë, mezi të zë gjumi.
Kompanitë celulare raportojnë se 60 % e telefonatave zhvillohen pas orës dymbëdhjetë të natës. Vallë përse ndodh diçka e tillë? Mos ngaqë të rinjtë dhe të rejat e kanë të vështirë të flenë në këto orë, apo ngaqë është koha kur janë më të lirë për të biseduar me njëri-tjetrin? Përse vallë facebook regjistron numër rekord vizitorësh në botën arabe pas orës dy të natës gjer në pesë? Mos vallë sepse është koha më e përshtatshme për chat dhe shfletim të fotove, apo sepse nuk i zë gjumi? Vallë çfarë kërkojnë të rinjtë që bredhin me makina deri në tre të mëngjesit? A jeni të kënaqur me jetën tuaj, o vëlla dhe oj motër, apo jeni të depresionuar dhe të mërzitur?