Londër, 22 qershor 2013, NOA - Ministria e Mbrojtjes në Britaninë e madhe ka publikuar dokumentet e fundit sekrete në lidhje me jashtëtokësorët. Bëhet fjalë për materiale që përmbledhin punën e kësaj ministrie gjatë 50 viteve, por në që fakt arrijnë në përfundimin se nuk ka prova për ekzistencën e UFO-ve. Sipas dokumenteve, Ministria ka ndaluar hetimin dhe projektet e mëtejshme për UFO-t dhe ka mbyllur zyrën përkatëse për këtë çështje që në vitin 2009.
Dokumentet që përfshijnë të dhënat për pesë vitet e fundit, 2005-2009, përmbledhin dëshmi që duhet të shërbenin për njohjen e objekteve dhe jetës jashtëtokësore. Por dokumentet konfirmojnë se nuk ka pasur asnjë të dhënë tjetër veç dëshmive të qytetarëve të ndryshëm që janë të paverifikueshme. “Të gjitha të dhënat që janë mbledhur deri më sot nuk flasin se kemi të bëjmë me kërcënim të sigurisë se jetës së qytetarëve, apo të territorit të Mbretërisë së Bashkuar”,- shkruan ministri i atëhershëm i Mbrojtjes në Angli, Bob Ainsuorth.
Zyra e specializuar për këtë çështje mblidhte mesatarisht 150 dëshmi në vit. Por sipas raportit, në shumicën e rasteve, ato ishin deklarata të paverifikueshme. Mediat i cilësojnë si qesharake disa prej “fakteve” të klasifikuara top-sekret me të cilat janë marrë agjentët e Ministrisë së Mbrojtjes.
Disa prej tyre janë: “Një burrë në qytetin Kardif pretendon se UFO-t i kanë rrëmbyer qenin”.
“Një grua në qytetin Dorset thotë se ka parë një UFO, në formën e një topi të zjarrtë. Sipas saj, UFO-ja ka hyrë në kuzhinë nga dritarja dhe më pas ka dalë nga ballkoni me shpejtësi”.
“Një numër i madh njerëzish pretendojnë se janë bezdisur nga drita shumëngjyrshme gjatë natës. Ka rezultuar se bëhej fjalë për llambadarë në një lagje kineze”.