Studiuesja Lucia Nadin zbulon simbolin shqiptar.
Flamuri i Kastriotit në afresket e një kishe në Venecia
Flamuri i kuq me shqiponjë, pikturuar nga Veronese, është shquar në Kishën e Shën Sebastianit.
Kush ka pasur rastin të vizitojë Venecian dhe mrekullitë e saj të artit dhe të kulturës me famë botërore, dhe i ka rastisur të vizitojë Kishën e Shën Sebastianit, -sipas sugjerimit të ndonjë miku italian, njohës i veprave monumentale të Rilindjes Italiane, zor se ka vërejtur një gjë të rrallë, tejet emocionuese: flamuri që valëvitet në një nga tri hapësirat ovale të tavanit të kësaj kishe,- që tregojnë historitë biblike të Esterit dhe të Mardokut-paraqet një shqiponjë të zezë në një sfond të kuq; në ditët tona, deri para pak muajsh, ky flamur është konsideruar si flamur i Asburgëve. Në fakt, flamuri asburgas nuk dëshmohet të ketë pasur kurrë një sfond të kuq, por të çelur. Themi deri para pak muajsh, kur Lucia Nadin dha “lajmin” e madh dhe tronditës; jo vetëm për historinë dhe kritikën e artit venencian, por dhe për lidhjen e tyre me historinë, kulturën, me jetën spirituale të Shqipërisë, në bregun përballë, me të cilat ka dhënë e marrë në shekuj…
Studimi
Revista e njohur shkencore, letrare dhe artistike “Ateneo Veneto”, në numrin e saj CXCVIII, seria e tretë 10/II (2011), botoi një tjetër artikull të studiueses veneciane Lucia Nadin. Lajmin e pazakontë, me emocionin dhe modestinë që e karakterizon, Nadin e dha sërish në Shqipëri, këtë herë në Tiranë, kur erdhi- në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë- të përurojë një tjetër libër të saj, “Shqipëria e rigjetur. Zbulime të pranisë shqiptare në kulturën dhe artin e viteve 1500 të Veneto-s”. Sërish në edicionin dygjuhësh, sërish nga “Onufri” (2012). Artikulli mban titullin kuptimplotë: “Sugjerim për një interpretim të ri të pikturave të Paolo Veronese-s në Kishën e Shën Sebastianit në Venecia: Skënderbeg, Miles Christi dhe Kisha e Shqipërisë”. Sipas autores së njohur tashmë edhe në rrethet studimore e kërkimore veneciane, për qëmtimin e temës shqiptare në institucionet e famshme arkivore dhe bibliotekare venedikase, artikulli në fjalë përbën vetëm një ekstrakt, një lloj “parathënieje” analizash e kërkimesh më të thella, në proces, që synojnë t’i kthejnë Shqipërisë një seli arti me vlera të jashtëzakonshme në Venecia: Kishën e Shën Sebastianit, e famshme si vepër monumentale kishtare “autori”. Në të vërtetë, ajo përbën një shembull të rrallë në llojin e saj: një kishë në të cilën të gjitha zbukurimet mbajnë nënshkrimin e një artisti të vetëm: Paolo Caliari, i njohur si “Il Veronese” -një nga përfaqësuesit më të shquar të pikturës venedikase të viteve ‘500, pra të shekullit XVI. Është fjala për një vend simbol- një monument të veçantë të Rilindjes italiane, me famë ndërkombëtare, i njohur si ‘tempulli” i artistit të madh, ku deshi dhe të prehet pas vdekjes. Për fat të keq, një sërë afreskesh, me kalimin e viteve, u dëmtuan rëndë apo u shkatërruan krejtësisht.
Zbulimi
Pikturat e Veronese-s, nga tavani i sakrestisë, në atë të navatës qendrore, si dhe në zonën e rezervuar për murgjit në kuvendin ngjitur me kishën, deri në pikturat me përmasa madhore të presbiterit, u punuan në një kohë dhjetëvjeçare, midis viteve 1555 e 1565. Në të gjithë ciklin festohet triumfi i fesë, i kishës, i Virgjëreshës Maria, përmes një rrëfimi të rrallë të njërit prej martirëve të saj: Shën Sebastianit.
Deri më sot, kritika mbizotëruese e artit e ka njësuar ciklin e pikturave në fjalë, me festime në funksion antiprotestant, të lidhura me ngjarjet e fillimit të shekullit XVI: shpërthimin e protestës luteriane kundër Kishës Katolike dhe luftërave fetare përkatëse.
Një flamur që valëvitet në një nga tri hapësirat ovale të tavanit të kishës, në të cilën rrëfehen përmes pikturave të famshme, histori biblike të Esterit dhe të Mardokut, paraqet një shqiponjë të zezë në një sfond të kuq; deri më sot, ai ishte konsideruar nga kritika e specializuar veneciane dhe ndërkombëtare, si flamur asburgas, i lidhur me ngjarjet e sipërpërmendura. Në të vërtetë, flamuri asburgas nuk provohet të ketë pasur ndonjëherë sfond të kuq, por në ngjyrë të çelur.
Nadin, në tezën e saj sugjeruese dhe sugjestionuese rreth Kishës së Shën Sebastianit dhe të flamurit të kuq me shqiponjën e zezë- niset nga fakti i provuar se ai flamur i përket Skënderbeut, Kastriotëve, i përshkruar nga Marin Barleti që atë kohë; më pas, fakti mbështetet dhe nga Konica, në 1908-n e sërish, me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në 1912-n: shqiponja e zezë me dy krerë, në sfond të kuq.
Nadin, me intuitën e studiueses së mprehtë interpreton në mënyrë metaforike ngjarjet e bëmat e Mardokut, që lufton për ngritjen e popullit të tij hebraik, ngjarje të cilat paralelizohen me ato të Gjergj Kastriotit. Nën këtë këndvështrim, Nadin analizon të gjithë ciklin e festimeve të Shën Sebastianit, i cili në një mënyrë të padëgjuar e të panjohur më parë nga tradita e kritikës së specializuar të artit, paraqitet jo si një shenjtor mrekullibërës, por si Miles Christi (luftëtar i Krishtit, shën.V.L.), që përballet me perandorin Dioklecian, të njohur si persekutues i të krishterëve; ai është i vendosur të sakrifikohet e të martirizohet, për triumfin e fesë. Edhe nën këtë këndvështrim, Shën Sebastianit, Miles Christi, i përngjitet në një paralelizëm metaforik, figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i thirrur vazhdimisht nga disa papë, si Miles Christi, mbrojtës i krishterimit perëndimor.
Shën Sebastiani
Përgjatë murit të lartë të navatës së kishës, shihet një kokë dhie: simbol i vështrimit të mprehtë të saj ndër kafshët e Mesjetës, madje, simbol i largpamësisë së Krishtit. Është pikërisht koka e dhisë që do të nderonte kurorën e Skënderbeut, përkrenaren e tij, kur u shpall mbret e prijës i popullit të vet, në vijim të kryqëzatës së dëshiruar nga Papa Pio II dhe që përfundoi tragjikisht, me vdekjen e Papës në Ankona. Pra, dhe një “relikte” e shenjë tjetër, simbol i pamohueshëm i Skënderbeut, një shenjë e sigurt e “pranisë shqiptare” në Kishën e Shën Sebastianit!
Në martirizimin e tij, të paraqitur në pikturat masive në Presbiter, Nadin sheh simbolin e martirizimit të Kishës së Shqipërisë; më tej, në figurën e një personazhi të veçantë, që mban një veshje me shqiponjë dykrenore, ajo gjen personifikimin e familjes Engjëlli, së cilës Papa i Romës i njohu pikërisht në fillim të shekullit XVI, Urdhrin Kalorësiak të Shën Gjergjit. Ishte fjala pra për një familje të përkushtuar në gjetjen e mbajtjen gjallë të kujtesës historike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të kohës. Ky është thelbi i zbulimit dhe i sugjerimit tejet të guximshëm, që Lucia Nadin i bën botës së historisë së artit e të kulturës, venedikase dhe ndërkombëtare, lidhur me praninë shqiptare në Kishën e Shën Sebastianit. Kritika e specializuar pret analizën e plotë të studimit të saj; por edhe kjo “hyrje” mjafton, edhe për një profan në fushën e studimeve jetëgjata dhe asnjëherë përfundimtare, për të kuptuar një të vërtetë të madhe, emocionuese: sërish Venediku, sërish Venecia, sërish një qytetare e shquar e saj, me këtë studim të paraqitur në artikullin e botuar në “Ateneo Veneto”, Shqipërisë dhe shqiptarëve u kthejnë një faqe tjetër, tejet të rëndësishme dhe me vlera të pazëvendësueshme, për historinë e tyre si dhe një seli të jashtëzakonshme të artit, akoma më autentike dhe e paçmuar, sepse lidhet me veprën e njërit prej piktorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave: Paolo Veronese. Meqë ra fjala, Veronese e ka për zemër temën shqiptare edhe në piktura të tjera të tij të kohës: Nadin na tregon në “Statutet e Shkodrës” se rrethimi i parë i qytetit u fiksua në kuadrin e njohur të Veronese-s, i vendosur në sallën e Këshillit të Madh në Pallatin Dukal të Venedikut; të dyja rrethimet janë të pranishme edhe në skulpturën që zbukuron fasadën e shkollës së shqiptarëve në San Maurizio, po në Venedik.
Burimi: gazeta Panorama