Shqiponja dykrenore në strukturat e trashëguara shpirtërore e materiale të popullit tonëProf. Dr. Zymer Neziri
Instituti Albanologjik i Prishtinës
Autori
Jaho Brahaj, i pranishëm që disa dekada në studimet shqiptare në fushën
e gjurmimeve të heraldikës shqiptare dhe të etnokulturës, në gazeta, në
revista dhe në tubime shkencore kombëtare e ndërkombëtare, është autor i
pesë veprave monografike. Ai është i njohur edhe për përkushtimin e tij
të madh për trashëgiminë e mbetur dorëshkrim të Shtjefën Gjeçovit. Ka
botuar katër vëllime të Kollosit të traditës. Për përkushtimin e tij në
fushën e dijes dhe për rezultatet e mbërritura është fitues i çmimit të
dhënë nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Kulturës (1997).
Shqiponja dykrenore ilire me lashtësi, që nga 6 shekuj para epokës së re e deri më sotShqiponja, e njohur si simbol i lirisë dhe i trimërisë, e vështruar në
etnokulturën shqiptare ndër shekuj, do parë dhe do mbështetur në
shtyllat kryesore mbi të cilat mund të shtrohet çështja, ku
mbizotërojnë kulti i së kaluarës dhe kulti i trashëgimisë. Autori Jaho
Brahaj e ka parasysh se këto dy kulte janë të pranishme gjatë gjithë
shekujve në traditën tonë etnokulturore, kurse shqiponja aty zë një vend
të rëndësishëm. Edhe në parathënie e studimit, Bardhosh Gaçe, vlerëson
se kjo monografi është e para e këtij lloji, e mbështetur kryesisht në
strukturat shpirtërore e materiale, të trashëguara, dhe se për herë të
parë tregohet zanafilla e traditës mijëravjeçare e shqiponjës. Nëse mund
të konstatojmë se këto rezultate janë të pamohueshme, megjithatë nuk
bën pa u përmendur edhe një e dhënë me interes për këtë monografi: çka
ndodhi me shqiponjën nëpër shekuj, sidomos në periudhën nga viti 1444 e
deri më sot, si mbijetoi dhe pse nuk u harrua? Kjo ishte edhe pikë
nismëtare e hulumtimit të autorit.Studiuesi Jaho Brahaj, autori i monografisë Flamuri i kombit shqiptar.
Origjina, lashtësia, me guxim ka punuar në kronologjinë e jetës së
shqiponjës, si kult dhe hyjni te parailirët dhe ilirët, për të cilët
thotë, se ka shumë pak të dhëna të shkruara historike, dhe pohon, se
është mbështetur sidomos në traditën gojore, etnologjinë, ornamentikën
dhe arkeologjinë. Për lexuesit tanë janë tërheqëse dhe interesante të
dhënat për shqiponjën dykrenare nga shek. XII para epokës së re, e
dëshmuar në periudhën e Perandorisë Hitite, (në territorin e Turqisë së
sotme), po njëkohësisht ose pak më vonë edhe në Mesopotaminë e lashtë,
në territorin e Iranit të sotëm. Shqiponja dykrenare, gjashtë shekuj më
vonë, e dëshmuar edhe në Iliri, paraqet një fakt të rëndësishëm
historik. Shqiponja me dy krerë, nga shek. VI para epokës së re, në
Iliri, ka vazhdimësi të pandërprerë te shqiptarët e sotëm. «Shqiponja
dykrenore nuk u ruajt dhe nuk u trashëgua nga hititët në vazhdimësi, as
te iranianët. Ajo u ruajt që nga shekujt e mijëvjeçarit të parë para e.
së re vetëm në truallin ballkanik nga Arbërit dhe nga Bizanti. Ajo, si
simbol, u përhap me shpejtësi në mbarë Europën» (f. 10), shpjegon autori
i kësaj monografieVeçohet edhe mendimi për shqiponjën, që shkon drejt qiellit, për ta
drejtuar diellin, por edhe për të ndriçuar botën e përtejme, e cila në
objekte kulti e në artin popullor, te shqiptarët, është e pranishme para
se të përdorej në flamurin e tyre, sipas agumenteve të autorit (f. 9).
Shqiponja si kult ilir-shqiptar me koka të kundërta është simbolizim i
diellit në dy lëvizjet e tij.
J. Brahaj ka shfrytëzuar mirë edhe
përrallën shqiptare Tri jetët, ku vihet në spikamë edhe roli i
shqiponjës si hyjni dhe si kult. Edhe Vallja e shqiponjës në Pukë, që
vdes dhe ringjallet në valle, e luhej kur hapeshin varre simbolike
(kushtimore), sipas studiuesit Ramadan Sokoli, është pjesë e
vazhdimësisë së jetës së këti.j shpendi simbol ndër shqiptarë, si dhe riti i bukës së re, zbukurimi i
saj, në shenjë të gjallërimit të natyrës, që i këndohet edhe në Ciklin e
Kreshnikëve.
Në këtë monografi autori jep të dhëna për simbolin e
shqiponjës me dy krerë në Bizant, te rusët, te austriakët, te serbët
etj., kurse tek shqiptarët është më i vjetri flamur në Evropë me shqipe
dykrenore, në vijimësi të pandërprerë për pesë shekuj. «Shqiponja
dykrenare në stema dhe në flamuj mesjetarë tek shqiptarët është
bashkëkohëse me Paleologët bizantinë, por është e sigurt se tek arbrit
është shumë më përpara serbëve, rusëve, Habsburgëve të Austrisë,
Perandorisë së Shejtë Romake etj.» (f. 10).
Ky studiues ka
paraqitur të dhëna edhe për fisin ilir të Japodët, që e kishin
shqiponjën dykrenore në urna (varre guri ku depozitohej hiri i të
vdekurit) nga shek. VI para e. re; hajmalia të fiseve ilire të fillimit
të mijëvjeçarit I para e. s., me kryeshpendin me dy koka; tokëza ilire
me motive të shqiponjës me dy krerë; shqiponja në monedha ilire; mozaiku
i shek. IV në Besianë (Podujevë); skenë me shqiponja; unazën me shqipen
me dy koka, shek. IX, Kaninë,Vlorë (f. 25-36) etj.Në monografinë Flamuri i kombit shqiptar. Origjina, lashtësia, autori
jep të dhëna të rëndësishme dhe praninë e shqiponjës në xhubletë, me një
kokë e me dy koka; në djep, sepse ajo ruan derën, shtëpinë, djepin; në
brez, në sixhade, xhupetë, xhybe, xhoke, pështjellak etj. (f. 35-57).
Kjo vepër ka të dhëna me interes edhe për shqiponjën dykrenare në
emblema: emblema e Derës shqiptare Gropa e Ohrit shek. XIII, emblema e
L. Dukagjinit; emblema e Gj. Arianitit, sh. XIV; emblema e Buzezezëve,
shek. XIV; shqiponja te Principata e Arbërit, te Dera e Kastriotëve
etj. Shqiponja në objektet e kultit kristian: Sarandë, me një kokë,
shek. XIII; kryqi i zbuluar në Butrint, fillimi mesjetës; shqiponjë me
dy krerë në Kishës së Kalkondit, Myzeqe, drugdhendje; shqiponjë me dy
krerë në Kishën e Shën Kollit, Ohër etj.; shqiponja me dy krerë në
Manastirin e Mbigurit, Dibër; shqiponjë me dy krerë në Kishën e
Jashanicës së Epërme, Kosovë (f. 40-49).
Flamuri ynë kombëtar nga viti 1444 e deri në ditët e sotme
Nëse
sipas Mark Titrës, përveç karakterit etnik, funksioni etnoveçues,
etnondërgjegjesues dhe etnointegrues, shqiponja është me peshë të
veçantë në studimet etnokulturore shqiptare, këtë funksion do hetuar
edhe te flamuri ynë, simbol i kombit, e këtë detyrë ka bërë përpjekje që
ta realizojë edhe studiuesi Jaho Brahaj në monografinë e tij Flamuri i
kombit shqiptar. Origjina, lashtësia. I mbështetur në rezultatet e
derisotme, e duke i pasur parasysh sidomos autorët tanë, që nga Marin
Barleti e deri te brezi i studiuesve të sotëm, ai përsëri evërteton tezën e tij për vazhdimësinë e këtij simboli kombëtar të shqiptarëve.
Në
vijim janë me interes të dhënat dhe publikimi i flamurit të Lidhjes së
Lezhës, të vizatuar në një hartë të vitit 1459, kohë kur jetonte
Skenderbeu; shqiponjën heraldike të Kastriotëve të shek XIV-XV në
afreskun e Kishës së Rodonit; një vepër përkujtimore e vitit 1500 me
shqiponjën e Kastriotëve, në Napoli, për peshkopin Konstandin Kastrioti
(f. 82); shqiponja dykrenore e veprës së Barletit 1508; shqiponja
dykrenore në vulën e Pleqësisë së Arbrit, më 1593; kapedanët arbër me
flamur në Evropë, ku do ta veçoja rastin e përdorimit të flamurit në
shek. XVI nga Pal Gjini, kapedan në shërbim të Venedikut; dëshmi për
përdorimin e flamurit në shek. XIX; flamuri në vitet e Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit; flamuri i vitit 1899, i qëndisur nga Seid Najdeni (Hoxhë
Voka); flamuri më 1900-1908; skicë e flamurit të arbëreshëve të
Sicilisë, më 1910; flamuri më 28.11.1912; sopatat e Liktorit dhe ylli
mbi flamur në vitet ‘40 etj.
Në këtë vepër ka peshë edhe
paraqitja kronologjike për përdorimin e flamurit në viset shqiptare të
mbetura dhunshëm jashtë kufijve: ndalimi sekret i flamurit në janar 1945
nga KQ i PKJ dhe i Shtabit Suprem (f. 166); përdorimi i tij më 28
nëntor ‘44 dhe kremtimi i lirë në tërë Kosovën; përdorimi i flamurit të
ndaluar më 11 mars 1945 në demonstratën e Gjakovës, organizuar nga
organizata NDSH-ja. Autori pohon, se kjo demonstratë shënon edhe manifestimin e parë publik kundërpushtues të Jugosllavisë me
simbol kombëtar (f. 167); Kosova 1947-1967, pas prishjes së
marrëdhënieve politike me Tiranën; ndalimi me ligj i flamurit shqiptar
në Jugosllavi dhe dënimi me burg për vepër penale, si dhe përdorimi i
tij i fshehtë; demonstrimi me flamur kombëtar më 6 tetori 1968 në
Prizren për të drejta kombëtare etj. janë një pasqyrë kronologjike e
jetës së lirë dhe të ndaluar të flamurit tonë ndër shekuj, për të cilën
mund të shkruhet një monografi e veçantë.
Libri, përveç
fotografive të shumta, që këtë vepër e bëjnë të afërt për të gjitha
shtresat e lexuesve, ka një përfundim dhe një bibliografi për
literaturën e përdorur, ku, natyrisht, e ka vendin edhe një rezyme në
një gjuhë botërore dhe regjistri i emrave, që kësaj vepre do t’ia
shtonin vlerën.
Rezultatet e deritashme të studiuesit Jaho Brahaj
dhe monografia e tij e fundit, për flamurin tonë kombëtar, na bindin se
nuk mund të shkruhet për përpjekjet dhe sukseset e mbërritura ndër ne në
fushën e haraldikës, të etnokulturës, të studimeve historike mesjetare,
po as për dorëshkrimet e Shtjefën Gjeçovit, pa e përmendur edhe punën e
përkushtimin e Jaho Brahajt, studiues që ka punuar dhe punon me shumë
zell e vullnet në biblioteka, në arkiva e në terren dhe prej tij,
natyrisht, presim edhe rezultate të reja, që i çojnë përpara studimet
albanologjike.