Alekt Rizai vazhdon të mbajë pengjet e tij gjatë gjithë natës, duke kërcënuar se do t’i hedhë në erë nëse nuk arratiset. Në burgun e Malandrinos gjate natës janë dëgjuar të shtëna, por Rizai thotë se ka qëlluar policia greke. Ai thotë se nuk do dorëzohet deri sa t’i dërgojnë një makine për t’u larguar nga burgu. “Ose dal qe këtej i sigurt, ose 9 familje do te mbushen me lule”, ka thënë Rizai.
Në negociata merr pjese avokati i Alketit dhe e dashura e tij Sula, që i kërkojnë të dorëzohet. “Alket, mos merr jetë të pafajshme”, ka thënë avokati, i cili i përshkruan gjendjen e klientit të tij, shumë të renduar psikologjikisht.
02:00- Alket Rizai i ka kërkuar policisë se nuk është gati të negociojë dhe se ai kërkon vetëm largimin nga burgu, së bashku me dy të dënuar të tjerë.
Alket Rizai është dënuar me burgim të përjetshëm në burgun grek të Malandrinos. Rizai, i cili ka qenë në epiqendër të mediave greke për shkak të arratisjeve të tij të bujshme me helikopter, kërkon që të mundësohet lirimi i tij nga burgu dhe për këtë kërkon një makinë në dispozicion të tij. I mbështjellë me 500 gram lëndë eksplozive të tipit C4, shqiptari ndodhet në një gjendje tepër të rënduar psikologjike dhe jashtë kontrollit, sidomos pas përdorimit të gazit lotsjellës nga ana e policisë, gjatë një tentative të pasuksesshme për të ndërhyrë për lirimin e pengjeve. Sipas dëshmive, Alket Rizai paraqet pamjen e një njeriu, i cili “tashmë nuk ka asgjë se çfarë të humbasë dhe është i vendosur për gjithçka”. Ky qëndrim i tij duket se i ka bindur edhe pengjet, të cilët janë katër gardianë (siç u tha fillimisht dhe më pas u përgënjeshtrua në dy) dhe dy të burgosur, të cilët ende nuk dihet se çfarë roli luajnë, janë pengje apo bashkëpunëtorë. Pengjet u bëjnë thirrje autoriteteve që të plotësojnë kërkesat e Rizait dhe t’i japin menjëherë një automjet që të largohet, pasi jeta e tyre varet në fije të perit dhe që të mos ketë përfundim të përgjakshëm e gjithë kjo histori.
Ndërkohë gjatë gjithë natës kanë vazhduar tentativat për lirimin e pengjeve, por pa asnjë rezultat, pasi gjendja psikike e Alket Rizait është e tillë që është pothuajse i pamundur komunikimi me të pa iu plotësuar kërkesat.
23:00- E dashura greke, negociata për lirimin e pengjeve
Rol në bisedimet për lirimin e pengjeve ka marrë përsipër edhe e dashura e tij greke, Aspasia Mitrushia (Sula), por deri tani nuk ka asnjë rezultat. Ndërkohë edhe avokati i Rizait, Sakis Kehajaoglu, i cili komunikoi me Rizain gjatë orëve të natës deklaron se klienti i tij është në një gjendje psikike shumë të trazuar dhe është i vendosur. Sipas avokatit ai është i veshur me lëndë eksplozive dhe kërkon makinë që të largohet. Edhe në këtë rast rol të rëndësishëm duket se luan e dashura e tij, Sula, e cila, ashtu si edhe avokati i tij i bëjnë thirrje që të dorëzohet dhe t’i japë fund kësaj historie, në mënyrë që të mos derdhet gjak i pafajshëm.
Po ashtu, është bërë e ditur, se në përkrahje të tij, gjë që e bën situatën dhe më të vështirë, është edhe se një grup shqiptarësh, po të armatosur, janë në mbështetje të tij.
22: 00- Një ngjarje e rëndë po ndodh në Greqi, ku shqiptari Alket Rizai, ka marrë peng 6 persona të burgut grek në Malandrino.
Mediat greke bëjnë me dije se një triller i vërtetë po ndodh në burgun grek, ku frika dhe tmerri ka pushtuar policinë greke nga Alket Rizai, i cili konsiderohet si një nga personat më të rrezikshëm me precedent penal në këtë vend.
Bëhet e ditur se i burgosuri Rizai ka mundur të futë në burg nga jashtë të gjitha municionet.
Pengmarrja ka nisur në orën 21.00 të mbrëmjes së sotme, ku i dënuari Alket Rizai, rrëmbeu katër pengje të cilat janë oficerë të burgut (dy gra dhe dy burra) dhe dy të burgosur, duke i kërcënuar dhe në dorë mban dy granata dr një thikë. Ai deklaroi se bashkë me to ka dhe një qese ku thotë se ndodhen 200 gr lënë eksplozive.
Ai i ka kërkuar drejtorit të burgut t’i afrojë një makinë afër derës, por t’u arratisur ose në të kundërt do të hedh në erë pengjet.
Sipas policisë plani i Riziait është që të përdorë si mburojë pengjet, për t’u arratisur me makinën e parkuar në hyrje të burgut.
Policia thotë se situata është e rrezikshme, sidomos për faktin se ai është edhe nën efektin e substancave narkotike. Në burgun e Malandrino janë grumbulluar forca të shumta policie.
Histori pasioni, në vitin 2003 vrau një grek
Do të ishte një histori pasioni ajo që do të bënte bumin e parë në shtetin helen. Në vitin 2003 Alket Rizai vrau një shtetas grek me dyshimin se kishte lidhje me të dashurën e tij ruse Oksana. Në fakt greku kishte vërtet një lidhje me një femër ruse, por emri i saj ishte Roksana. Vetëm mbi dyshimet e ngritura, shqiptari Alket Rizai vrau shtetasin grek.
Rizai: Do tentoj të arratisem gjithmonë
Në shtypin shqiptar në Greqi në gazetën Tribuna, Alket Rizai ka deklaruar se do të jetë gjithmonë i gatshëm për t’u arratisur nga burgu grekë. Ai ka deklaruar bindshëm se nuk do të pranojë të qëndrojë asnjëherë në burgjet greke. Ajo që ka rënë gjithmonë në sy të mediave greke e shqiptare, është fakti që Rizai ka thënë se edhe pasi të arratiset nuk do të largohet nga Greqia. Megjithatë, Rizai i ka marrë të gjitha fajet përsipër, duke mos treguar asnjë fakt që mund të komprometonte askënd tjetër, as të dashurën e tij greke, Sula. Sula ka qenë e arrestuar si bashkëpunëtore e shqiptarit me burgim të përjetshëm, pasi e ka ndihmuar të dashurin e saj të arratisej me helikopter. Lirimi i saj nga drejtësia greke është bërë pasi Rizai ka marrë përsipër të gjithë autorësinë e veprimeve të tij
Kush është Alket Rizai
Alket Rizai, është rreth 38 vjeç, nga Ballshi, i biri i Donikës dhe i Ramizit. Prej vitesh në Greqi, Rizai vuante dënimin për vrasjen e një qytetari grek, sipërmarrësin Thanasi Koropiotis, për të cilin dyshonte se kishte lidhje me të dashurën e tij ruse, Oksana. Mesditën e datës 4 qershor 2006, një helikopter ulet mbi burgun e Koridalosit në Greqi. Personat që gjenden në të hapin zjarr mbi gardianët, duke i çorientuar, ndërkohë që Rizai e Paleokostas ngjiten në mjetin fluturues e largohen pa asnjë shqetësim.
Shqiptari nga Ballshi dhe miku i tij grek u arratisën sërish në të njëjtën mënyrë. Me ndihmën e një helikopteri, ata u larguan nga burgu i sigurisë së lartë në Gramatiko. Alket Rizai u prangos sërish më 16 nëntor 2009.
Akuzat
Alket Rizai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje dhe për pjesëmarrje në bandë të armatosur. Pas dy arratisjeve, gjykata ia shtoi dënimin edhe me 26 vjet të tjera burgim për largimet nga qelitë e dy burgjeve, nga ku u arratis në mënyrë spektakolare. vijon…