Macja Toldo që i shkon të zotit me dhurata përditë te varri
Që kur i ka vdekur i zoti, pak më shumë se një vit më parë, Toldo, macja 3-vjeçare në ngjyrë bardhegri, çdo ditë i shkon tek varri. Siç tregon “Corriere della Sera”, merr me vete peceta, degë dhe shkopinj, gota plastike, si dhurata të vogla, dhe i çon tek varri i Renzo Iozzellit, i cili vdiq në 22 shtator 2011, në moshën 71-vjeçare.
Renzo ishte shumë i lidhur me Toldon, e pati marrë atë në një karvan macesh, kur macja ishte 3-muajshe. Nëse nuk do të kishte shumë dëshmitarë, që përditë vërejnë macen se ç’bën, kjo do të dukej si një histori e dalë nga imagjinatat e “Walt Disney”. Por, në fakt, gjithçka është e vërtetë.
E tregon këtë edhe vejusha e Iozzellit, zonja Ada, dhe e pohojnë edhe shumë të tjerë. “Edhe sot, – rrëfen zonja Ada, – kam shkuar te varri dhe Toldo më erdhi nga pas. Rrugës, një njeri që njoh, më tha se atë ditë, herët, macja kishte qenë dhe një herë aty”.