Brahim (Ibish) Avdyli (1960), është poet i cili i takon plejadës së krijuesve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). I lindur dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, në këtë vend me tradita të njohura kulturore dhe kombëtare, që në vitet e hershme të rinisë së tij u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e popullit shqiptar.
Pas përfundimit të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Gjakovë i filloi studimet në Fakultetin Teknik, dega e arkitekturës, të cilat nuk i përfundoi, ngase, për shkaqe ekonomike, por edhe politike u detyrua të emigrojë në Zvicër. Më vonë, si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik i kreu studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë së madhe shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet postdiplomike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike- Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, ku në tetor të vitit 2010 ka mbrojtur temën e magjistraturës.
Ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 ka udhëhequr revistën „Qëndresa“ në Zvicër.
Pos botimeve në periodikun shqiptar, ka publikuar këto libra:
- Në hijen e Alpeve, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983,
- Buka e kuqe, poemë, Atdheu, Cyrih, 1990,
- Kur zgjohet Dodona, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992.
- Pasqyrë e përgjakur, poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994,
- Klithje nga fundi i ferrit, poezi, Onufri, Tiranë, 1997,
- Gjuha e dheut tim, poezi, Albin, Tiranë, 1999,
- Klithje nga fundi i ferrit, botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000,
- Baraspesha e humbur, poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003,
- Vragat e një kohe, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005,
- Lëvozhga e vdekjes, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007,
- Setele Vesniciei /Yjet e Përjetësisë, Poezie albaneza, din Kosova, BKSH, të Rumanisë, Bukuresht, 2008,
- Zogu i këngës, poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009.
- Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj, publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011.
Është i prezantuar edhe në këto libra:
- Rrjedhë e lë gjurmë, poezi e studentëve të Kosovës, Bota e Re, Prishtinë, 1983,
- Nebil Duraku, Shkrimtarët e Kosovës, 1945-1985, Rilindja, Prishtinë, 1985,
- Poezia dal Kossovo, Antologji e poezisë kosovare, Besa Editrice, Nardò, (Lecce), Itali,1999,
- Hasan Hasani: Leksikoni i shkrimtarëve shqiptar, 1501- 2001, Faik Konica, Prishtinë 2003,
- Vulcanul rabdarii/Vulkani i durimit, Poeme traduse in liba romana de Baki Ymeri, Editura Do-Minor, Bukuresti, 2008,
Libri i tij i parë poetik „Në hijen e Alpeve“ ka hyrë në zgjedhje të ngushtë për shpërblimin “Hivzi Sulejmani“ që filloi të jepej në vitin 1983 për librin më të mirë të autorëve të rinj. Është fitues i vendit të dytë në konkursin letrar me rastin e 28 Nëntorit, më 1997, të organit të LPK „Zëri i Kosovës“ dhe i Penës së Artë në takimet pranverore të krijuesve shqiptarë të Diasporës, më 2001. Me 25 prill 2009 ka marrë shpërblimin e parë “Agim Ramadani” në Konkursin e hapur pranë Qendrës Kulturore Shqiptare për poezi në Cyrih të Zvicrës. Shpërblimin e dytë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin Letrar dhe të lexuar me 1.5.2010, si dhe Shpërblimin e parë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin Letrar, të lexuar me 25.4.2011, ka marrë në Orët e mëdha Tradicionale Letrare për Pavarësinë e Kosovës, në Koblenz të Gjermanisë…
Poezia e tij është përkthyer në italisht, gjermanisht, rumanisht, anglisht. etj.
Brahim Avdyli është njëkohësisht anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Autorëve të Zvicrës (AdS), anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës dhe anëtar Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë.