Xhavit Kadri Kryeziu u lind më 24. 4. 1943 në Rogaçicë, komuna e Dardanës (Kamenicës). Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, Normalen në Gjilan (1965), ndërsa ShLP-në, Dega e Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Prizren (1968). Fakultetin për të njëjtën degë e kreu në Prishtinë (pa shkëputje nga puna), Shkollën e Oficerëve Rezervë - Dega e Artilerisë Tokësore në Zarë të Kroacisë e që pas mbajtjes së praktikës ushtarake në Slloveni, merr gradën e nëntogerit dhe pastaj magjistroi në Fakultetin e Mbrojtjes Popullore. Në detyrën e mësuesit e arsimtarit ka punuar në shkollën e vendlindjes në vitet 1965-1973 (me ndërprerje). Në vitet 1973-1978 punoi në detyrën profesorit për lëndën e Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Gjimnazin e Dardanës. Në vitin 1978 emërohet kryeshef në Organin e Mbrojtjes Popullore të kësaj komune, ku punoi deri në vitin 1988. Në qershor të këtij viti pushteti serb filloi fushatën e largimit të punëtorëve shqiptarë nga puna, duke filluar nga këto organe, e kështu u veprua edhe ndaj tij që më se një vit mbeti pa punë. Në vitet 1981-2001 ka ligjëruar lëndën e Mbrojtjes Popullore në Fakultetin Teknik të Prishtinës, Dega e Makinerisë, në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm, pra, deri kur hiqet kjo lëndë nga programi mësimor. Që nga viti 1989 punon në Gjimnazin “Ismail Qemali”, ku punon edhe tash dhe jeton në Dardanë.
Marrun nga:
SHABAN CAKOLLI: MONOGRAFI NGA XHAVIT KRYEZIU RRETH VATRËS GJIMNAZI "I. QEMALI", DARDANË