Një sulm me armë zjarri që i ka marrë jetën një personi ka tronditur pasditen e së shtunës qarkun e Shkodrës.
Sipas informacioneve të fundit nga policia lokale, viktimë e atentatit ka mbetur shtetasi Gjon Xheka, i cili ka ndërruar jetë në vend.
Sipas burimeve, uniformat blu kanë mbërritur tashmë në vendin e ngjarjes dhe po mbledhin provat materiale dhe dëshmitë e mundshme.
Ato shtojnë se autorët nuk janë identifikuar ende dhe se është herët të flitet për motivet e këtij ekzekutimi, i verifikuar në vendin e quajtur kryqëzimi i Sarreqit.
Ky është një tjetër ekzekutim që regjistrohet në vend dhe që tregon kuotën e lartë të kriminalitetit dhe njëkohësisht mungesën e vullnetit të shtetit për të reaguar.
Ndër vrasjet më të bujshme të regjistruara që nga fillimi i vitit ka qenë ajo e shtetasit Admirim Sako, eksponent i njohur i botës së krimit.
Ai u qëllua në afërsi të Gjykatës së Tiranës nga një i dyshuar si vrasës me pagesë, që u largua nga vendi i ngjarjes dhe që deri tani nuk është kapur nga uniformat blu.
Gjithashtu, muaji janar u karakterizua nga një tjetër ngjarje e rëndë, qëllimi me armë zjarri i shefit të policisë së Burrelit gjatë një aksioni, i cili ndërroi jetë disa ditë më vonë në një spital të Italisë.