SI E LEXOVA POEZINË E SHEFQET DIBRANIT
Shkruan: Arif Molliqi
Kam përshtypjen se për ta kuptuar funksionalizimin e poezisë brenda një libri poetik, atyre poezive duhet t´u rikthehesh së rilexuari, ose thënë ndryshe; duhet i´i lexosh për së dyti herë. Ngase tek atëherë do ta kuptosh se çfarë ndikimi ka poezia në ndjenjën e një lexuesi. Ky rilexim, si të themi (është mendim krejt personal), të mundëson që vargjeve poetike t´ua gjesh lëvizjen ose, t´ua kapësh thelbin funksional që autori i ka ushqye fjalët, e ka ushqye shpirtin deri në qetësim gjithmonë përmes imazheve – imagjinatës dhe metaforës.
"Është e ditur se poezia ka ndikim më shumë se çdo art tjetër me fuqinë e saj, vepron në të folurit dhe në ndjenjën e tërë kombit" (Eliot).
Edhe tek rileximi i poezive të Shefqet Dibranit në librin “ËNDËRR E NJËJTË, TOKË TJETËR”, botoi “Qendra e Kulturës", Podujevë, 2007, si refleks shumë i detyrueshëm i meditimit, më afroi kënaqësinë për ta kap, për ta thithë poezinë e Dibranit ashtu siç e kam akceptuar unë. Mirëpo, i gjithë ky mendim (a meditim) jo rrallë më mbeshtjellëj me një mister, me një ndjenjë shpirtëror, që shoqërohet me një koncept filozofik racional, por më shumë me një sentencë lakonike që të shtynë me besuar se poeti u bënë një qasje, herë – herë kronikave të zhvillimeve të përditshmërisë se dhembshme: “...Blej në shitore ato që i blejnë të tërë/ Puthemi në rrugë e ndër sheshe/ Sa për t´u dukur të moderuar/ Lahem në banjë publike pa brekë...”, dhe, “Keni folur gjuhën tuaj, kur mbi dritare/ Perdet i keni lëshuar?-...“, ("Në një zyre integrimi” faqe 13).
Me këtë poezi mjaftë të trishtuar fillon ky libër me poezi, dhe se, nga vet protokolli metaforik, zgjidhet enigma për plagët që ulërijnë ideshëm brenda shpirtit të mërgimtarit kur ai vetëm brenda katër mureve e ka të drejtën për ta folur gjuhen e vet. E, në këtë furtunë dhimbje, a brenge, a proteste, është një hapësirë tematike që lë për t´u biseduar shumë. Nuk mund të mos themi se kjo është ajo që quhet “funksionalizimi i poezisë”, ngase, për të plotësuar krejt atë që e thotë poeti, nuk e thonë as më fjalime të tëra, nuk mund të përfitohen efektet e dëshiruara, ose, porosia e esencës; pse perdet i kemi lëshua, e thotë ky varg. Tashmë, poeti ka mundur që gjithë kohën të shkruaj, të flas për kurbetin si plagë e rënd, të vajtoj për integrimin si diçka që e bën asimilimin kulturor e kombëtar të mërgimtarit, ka mundur ti numëroj njëmijë e një të zeza që sjell kurbeti. Por, jo. Poeti e thotë: “Unë do të iki nga kjo botë biri im/ Po të lë ty se ku as vet nuk e di “, (faqe 27).
Më këtë poeti ka thënë gjithçka. Ai e di se ku po e lë të birin, në vend të huaj. Por ketë e ka thënë natyrshëm, duke na i kujtuar shpërfilljet (që aq shpesh ngushtohen qëllimisht), edhe atyre të drejtave universale të njeriut se, çdo popull ka të drejtë ta përdore gjuhen amë. Derisa, integrimin poeti e kupton si diçka të paarritshme: “Derisa uji të kthehet përpjetë/ Emigranti s´do ta rregullojë integrimin e vet”, (faqe 18).
Shefqet Dibrani
Por, emigranti nuk mund të integrohet sado që janë ato “të drejtat universale për njeriun” por që interpretohen – ekzekutohen, brenda vet shoqërisë njerzore ashtu siç i konvenon “njeriut – pushtetit” duke mos ia mundësua emigrantit ta bëj “integrimin e vet”. Kjo është një temë e ndjeshme aq e prekshme, aq e padefinuar në logjikën e zyrtarit dhe ligjdhënësit sa vetëm poetin e shqetëson në funksionin e shpirtit të tij, ngase vetem poeti është i ndishëm në këto raporte.
Në këtë sfond autori perceptimin e dhembjes e ngrit në stadin filozofik, si një mesazh që mund të kujtohet edhe si amanet (a testament), e ku mund të interpretohet edhe si dashuri e poetit që herëdokur ta kthejnë në vendlindje: “ ... ky mërgimtar/ pat shkuar herët që fëmijë/ u kthye vonë në pleqni/ për fshat e fis, miq e shokë/ u kthye me u çlodhë... “, (“Fjalë e thënë për fund” faqe 30).
Shikuar realisht, Dibrani jetën e vet, thënë ndryshe, dhimbjen e vet që s´është edhe aq personale por e gjithë njerëzishme, e shfrytëzon urtë e butë, pa ndonjë egërsim të tepruar, pa retorikë dhe, pa klithje të përditshmërisë sonë folklorike, por e shfrytëzon metaforën për qëllime estetike duke hyrë në esencën e asaj që e kërkon poezia në kohën që jeton autori. Ky edhe është shpirti i poezisë në kuptimin artistik dhe stilistik. Ky lloj motivi tematik nga e sotmja reale në një realitet letrar, poezisë i ka dhënë shije artistike, kurse nocionet poetike i ka shtjelluar sipas kodeve filozofike, ndoshta mund të themi kodeve empirike (përvojës dhe praktikës) ngase ai ka kaluar ose kalon nëpër situata të tilla. Kjo e bën natyrën e poetit më të pranueshme dhe si karakter më të qëndrueshëm duke bart mesazhe të forta, porosi të qarta, sado që “mohimi i mohimit”, te poezia “Të kundërtat” (faqe 35.), për pak sikur na detyron të mendojmë ndryshe: “E kundërta e prehjes/ Është ëndrra e trishtë...”. Por, mendoj se duhet me i dhënë të drejtë autorit i cili mendon se: “Kundërshtimi i besës/ Është një plumb në pritë.”
Ky varg (poetik), metaforë e të menduarit na bënë për të besuar, se poetin gjërat e tilla e shqetësojnë duke i shkaktuar dridhje tek shpirti i tij. Prandaj poezia e Sh. Dibranit, është poezi tipike e mendimit të thellë, përkatësisht poezi e tematizimit dhe shprehimësisë logjike. Ngase disa nga poezitë që i rilexuam (ndoshta edhe nga tri – katër herë) na shtynë për të besuar se koncepti i poezisë që ai krijon, sikur ka marrë konotacione të poezisë me një logjikë filozofike, ku poeti e provokon mendjen e lexuesit duke e detyruar atë të mendoj vetem për te, e shtyn të kërkoj edhe mesazhin alternativ, për idenë e dyfishuar dhe porosinë filozofike: “Dashuro o njeri dashuro/ Se gallatë është vetë jeta” (faqe 44).
Pra, është ky trinom i jetës se njeriut; dashuria, jeta dhe gallata (zhurma), të cilat autori qëllimisht i ka lënë pezull për të nxit lexuesin për ide të reja, alternativë mendimi dhe meditimi: “se ëndrra të duhet/ që parajsën ta bësh në këtë botë”. E gjithë kjo do të thotë se Sh. Dibrani poezinë e shkruan bashkë me lexuesin e vet, ngase bashkë me ata, edhe të pazbërthyerën, në esencë e zbërthen. Si duket, interesi i tij kryesor mbetet ripunimi i mendimit poetik. Pse? Sepse simbolika e poezisë së Dibranit është e kapshëm, ashtu sikurse edhe mendimi i tij i shtruar në vargun poetik, andaj lexuesi edhe ka dëshirë të bashkëjetoj me te.
Tjetra që gjeta pas rileximit të poezisë së Sh. Dibranit, është se ai nuk është poet i vargut abstrakt, i vargut të pakuptimtë që rendisë fjalë e fjali pa domethënie, diçka që i iriton lexuesit, ai thjeshtë është krijues i vargut që dëshiron ta krijon natyrën e vet poetike, duke pas si kriter qartësinë dhe porosinë. Por kjo qartësi, kaq e kapshme dhe ky varg kaq depërtues e bëjnë këtë tip poezie më të lexueshëm, mbase nxjerrin mesazhe shumë të qarta.
“Po vrastarët/ Dashurinë vranë një ditë...”, ose “Në parlament doli një ligj kundër urrejtjes/ Dhe asnjë ligj që bën dashurinë”, ("Rehabilitimi i dashurisë" – poetit Visar Zhiti, faqe 54.)
Këtu çdo gjë me duket e qartë kur në parlamente nxjerrin ligje kundër urrejtjes e asnjë ligj që bën dashurinë. Po sikur të ekzistonte dashuria e mirëfilltë, s´do kishte as kuptim urrejtja.
Fill pas kësaj poezie kushtuar poetit Visar Zhiti, i cili jetën e kaloi nëpër rrathët e ferrit, erdhi një poezi tjetër që e lexova disa herë dhe më impresionoj. Ishte poezia “Vajza nga Shqipëria”, (faqe 55.). Më pak fjalë, me tri vargje është thënë një kuptim shumë i gjerë. Këtu ka ardhur në shprehje ajo simbolika, metafora, alegoria por gjithsesi edhe elementi filozofik i poetit: “Një vajzë nga Shqipëria më tha vëlla/ Dhe puthja ngriu në buzë/ Si cigarishte kristali”
Prandaj, mbresa për këtë poezi nuk ka mbetur vetëm si diçka e shkruar me kujdes, por lë për të interpretuar esencën e meditimit të ndjenjës si kategori komplekse e poezisë.
Shefqet Dibrani si duket të gjitha poezitë i ka të përzemërta ngase të gjithave iu ka kushtua kujdes të barabartë, me mendime meditative. Nuk është poet i shablloneve, çka do të thotë se, në këtë rrafsh, të gjitha poezitë i bën të kapshme si porosi, lënë mundësinë e shumëkuptimësisë dhe dendësisë së mendimit poetik. Gjithçka që është e tepërt në poezinë e tij, jofunksionale, vet autori e ka gëdhendur duke e lënë në fund thelbin e fjalës poetike për lexuesin.
Ndonëse në një cikël të librit të tij vërehet toni biografik, janë disa poezi që janë bartje të impresionove, të mendimeve, të përvojave, të ideve, të “hamë – hameve” që e kanë ndjekur autorin apo ngjarjeve që është përplas pa dëshirë autori. Megjithatë nuk mund të thuhet se poezitë e tija janë një ditar ose një kronikë. Ato më tepër janë një lloj proteste ndaj dukurive të këqija të njeriut apo rrethit shoqëror. Janë groteskë që herë -herë shndërrohen në satirën dhe humorin e zi. Poeti si vrojtues i kësaj shëmtie arrin që veprimet e një karakteri të ultë ti artikulon përmes poezisë: “Më ndoqën gjithnjë në agun mëngjesor/ Dhe në muzgun e vonë/ Sepse nuk e urreja askënd/.../ Më ndoqën edhe nëpër dritën e diellit/ Edhe nëpër syrin tënd/ Sepse askujt nuk ia bëra gjëmën”, (“Hienat”, faqe 81), dhe “ Shpenzova kohë dhe nerva/ Që një qen ta bëja shok”, (“Unë dhe qeni” faqe 105). Ose, lexuesi i vëmendshëm mund të mendoj se element biografik vërehet tek një cikël më poezi, ku si kredo i tyre është ky varg: “M´ka vra buka/ Që kam shtruar për Njeriun e pabesë/ Oh sa i pabesë”, ("Prangat” faqe 109).
Pastaj plotë më xhevahir të groteskes dhe me sarkazëm janë edhe poezitë; “Unë dhe qeni”, “Leli”, “Dialog për fajësinë”, “Prangat” , “Në gjyq”, ”Gjyq në Zürich”, “Pështyrje”, dhe disa poezi të tjera që mendojmë, i gjithë dufi dhe mllefi sikur rrumbullakohet kur thotë: “O Zot ku të pështyj më/ Se më pështyhet o Njeri”
Poezitë, “Shekulli në mes inicialeve “V.ZH.” (faqe 85.), “ Për fjalën e lirë - Xhemail Mustafës” (faqe 95.), “Nona ka të drejt me qa për djalin e vet - Pran shtatores së Sali Çekajt”, “Baladë për Ibrahim Rugovën”, dhe “Misionari i Paqes - Ibrahim Rugovës”, janë poezi të veçanta që kërkojnë një qasje të veçantë. Edhe pse i kam lexuar njëherë, dy herë tri..., ato poezi, që për mua janë poema, kanë një jetë të tërë dhe një histori poetike që çdo poet do të dëshironte të arrinte n´atë lartësi.