“Nuk jam e zemëruar, thjesht dua ta di pse e bëri”
Është një ngjarje që ka tronditur Britaninë.
Naomi Oni, 20 vjeç, që punonte për “Victoria’s Secret”, po kthehej për në shtëpi, kur një person me nikab- veshjen myslimane ku mbulohet gjithë fytyra përveç syve- i doli përpara duke i hedhur acid në fytyrë.
Ajo pësoi djegie në fytyrë, krah, këmbë e kokë dhe ka mbetur pjesërisht e verbuar.
Personi që e sulmoi është i lirë akoma, kurse Naomi ka folur në një emision mëngjesi.
“Pas sulmit, pyesja veten se pse unë. Unë punoj shumë, jam njeri i mirë. Nisja të pyesja shumë gjëra. A jam njeri i keq? Unë nuk zihem, nuk më pëlqejnë konfrontimet. Më pëlqen që të rri në qoshen time të vogël”.
Duke treguar trimëri, ajo thotë se sulmi e ka ndryshuar.
“Jam me fat që jam gjallë,” thotë ajo duke qarë.
“Jam i njëjti personalitet, por më e fortë. Dua t’i them personit që më sulmoi se mund të më djegësh lëkurën time, por nuk më djeg shpirtin”.
Policia as nuk e ka idenë se kush mund ta ketë sulmuar vajzën.
Naomi, që kujdeset edhe për mamanë e saj 52- vjeçare, kujton ngjarjen.
“Po kthehesha në shtëpi të haja diçka. Isha në autobus dhe po flisja në celular më të dashurin.
Kisha një ndjesi të mirë. Pashë pas meje dhe ishte një person me nikab. Nuk mbaj mend që të kem dëgjuar hapa ose që të kem parë diku duke zbritur nga autobusi me mua.
Nuk u fol asnjë fjalë. Kujtoj vetëm se personi më kishte ngulur sytë. Sytë e tij ishin të ftohtë”.
Ajo ishte vetëm pesë minuta larg shtëpisë. Vrapoi atje duke e ditur se ai i hodhi acid në fytyrë.
Mbërriti në shtëpi duke i rënë fort derës e duke bërtitur: Acid, acid.
Sapo mamaja i hapi derën, ajo thotë se iu duk sikur i ra fytyra përtokë.